Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa III: Muajt dhe Vitet)

November 19, 2013

Studim nga Dr. Abdullah Nabolli

  1. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa I: Ditët)
  2. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa II: Java)
  3. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa III: Muajt dhe Vitet)
  4. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa IV: Festat në Islam dhe ditë të vecanta)

3- Muajt

Pas grupimit të ditëve në javë, Allahu i grupoi në një grupim tjetër, i grupoi ato në muaj ku çdo muaj është i barabartë me 29 ose 30 ditë dhe si shenjë për këtë bëri hënën e cila në ciklin e saj mangësim-plotësim do 29 ose 30 ditë. Allahu i Madhëruar thotë:

Është Ai i cili e bëri diellin ndriçim dhe hënën dritë dhe i përcaktoi asaj (hënës) fazat  që të dini numrin e viteve dhe llogaritjen e tyre.” (Suratu Junus: 5)

“Të pyesin ty për hënat e reja, thuaju se ato janë përcaktuese të kohës për njerëzit dhe haxhin.” (Suratu El-Bakara: 189)

Profeti alejhis-salatu ues-selam në një hadith të transmetuar nga Ibn Umeri radijallahu anuma thotë:“Ne jemi  ymet analfabet nuk lexojmë dhe as llogarisim. Muaji është: kështu dhe kështu” duke bërë me gishta një herë 29 dhe një herë 30. (E transmeton Buhariu).

Në çdo muaj ka tre ditë që janë ditët e netëve të bardha: dita e trembëdhjetë, dita e katërmbëdhjetë dhe dita e pesëmbëdhjetë. Janë quajtur të bardha sepse pasojnë netët ku hëna e tyre është e plotë dhe e bardhë,ndricuese në maksimumin  e saj. Profeti alejhis-salatu ues-selam ka njoftuar se agjërimi i këtyre tre ditëve është i barabartë me agjërimin e vitit.

Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Agjërimi i tre ditëve në muaj është i barabartë me agjërimin e gjithë kohës. Ato janë ditët e netëve të bardha: mëngjesi i ditës së trembëdhjetë, katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë.” (E transmeton Nesaiu dhe e saktëson sheikh Albani).

Ebu Hurejra radijallahu anhu thotë: “Më ka porositur i Dashuri im (Profeti alejhis-salatu ues-selam) për tre gjëra të cilat nuk do t`i lë derisa të vdes: agjërimin e tre ditëve në çdo muaj, dy rekatet e duhasë dhe të fal vitrin para se të fle.” (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu gjatë muajit ka edhe tre ditë që janë konsideruar më të mira për hixhame që janë: dita e shtatëmbëdhjetë, e nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e njësiç transmetohet nga Enesi radiallahuanhu: “Profeti alejhis-salatu ues-selam bënte hixhame në dy damarët e qafës (që vijnë në dy anët e shtyllës kurrizore) dhe mes shpatullave në ditën e shtatëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e një”.( E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani).

4- Vitet

Pas grupimit të ditëve në javë dhe në muaj Allahu i Madhëruar i grupoi muajt në vite, ku çdo vit është i barabartë me 12 muaj (cikle hënore mangësim-plotësim). Allahu i madhëruar thotë:

“Numri i muajve tek Allahu është 12 muaj, në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë pra mos i bëni zullum vetes tuaj në to.” (Surat Et-Teube: 36).

Muajt hënorë janë: Muharrem, Safar, Rabi-ul-Euuel, Rabi-ul-Akhir, Xhumade El-Ula, Xhumade el-Ukhra, Rexhep, Shaban, Ramazan, Sheual, Dhul-Kade, Dhul-Hixhxhe.

Katër prej tyre janë të shenjtë: Tre janë të renditur njëri pas tjetrit Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, dhe Muharrem dhe njëri është tek;ai është Rexhepi.

Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Viti është 12 muaj, katër janë të shenjtë: tre njëri pas tjetrit Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe Rexhepi i Mudarit (sipas llogaritjes së fisit të Mudarit) i cili është mes Xhumades dhe Shabanit.”( Mutefekun alejhi).

Në këto muaj siç u përmend më lart Allahu thotë që të mos i bëjmë zullum veteve tona.

Në këto muaj të shenjtë është e ndaluar lufta. Allahu thotë:

Të pyesin ty për muajin e shenjtë dhe luftën në të. Thuaju: lufta në të është gjynah i madh…” (Suratul- Bakara: 217).

O ju që keni besuar! Mos e prishni shenjtërinë e shenjave të Allahut dhe as të muajit të shenjtë” (Suratul-Maide: 2)

Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se deri në çlirimin e Mekës ky ligj ka qenë në fuqi por pas çlirimit të Mekës a vazhdon të jetë në fuqi? Këtu dijetarët kanë rënë në kundërshtim dhe shkak për këtë është se çlirimi i Mekës u bë në Ramazan dhe pas çlirimit të Mekës kur mushrikët filluan t`i mbledhin forcat e tyre, Profeti alejhis-salatu ues-selam niset në fillim të muajit tjetër i cili është Shevali për t`i luftuar dhe fiton kundra tyre në Hunejn. Mushrikët pas kësaj disfate mblidhen në El-Taif dhe Profeti alejhis-salatu ues-selam përsëri shkon atje dhe i rrethon për 40 ditë çka do të thotë se ka hyrë muaji i shenjtë Dhul-Kade duke qenë në këtë rrethim dhe për këtë shkak është thënë se ky ligj është shfuqizuar. Shumë dijetarë të tjerë janë të mendimit që ky ligj nuk është shfuqizuar por vazhdon të mbetet sepse i ndaluar është vetëm fillimi i luftës në këtë muaj ndërsa nëse e fillon luftën jashtë muajve të shenjtë dhe ajo zgjatet derisa të hyjë muaji i shenjtë atëherë kjo gjë është e lejuar dhe kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur me Profetin alejhis-salatu ues-selam, e filloi luftën në Sheual i cili nuk është muaj i shenjtë dhe më pas ajo u zgjat derisa përfshiu edhe një pjesë të muajit të shenjtë të Dhul-Kade.

Në muajt e shenjtë shumëfishohen sevapet e punëve të mira po ashtu edhe gjynahet e punëve të këqija.

Ibn Abasi radijallahu anhuma thotë: Gjynahu në këto muaj është më i madh po ashtu edhe sevapi i punëve të mira është më i madh.

Katade rahimehullah thotë: Padrejtësia në muajt e shenjtë është me  më shumë gjynahe se sa në muajt e tjerë.

Arabët para Islamit duke qenë se kishin gjëra të mbetura nga feja e pastër e Ibrahimit alejhis-salatu ues-selam i madhëronin muajt e shenjtë për të cilët folëm pak më lart dhe nuk luftonin dhe as vrisnin në to mirëpo nga konfliktet e brendshme që kishin mes tyre nuk duronin dot pa luftë e sidomos në tre muajt që ishin rresht Dhul-Kade, Dhul-Hixhe dhe Muharrem. Për këtë arsye disa e vononin Muharremin duke e zëvendësuar atë me Seferin, muajin tjetër pasues, ndërsa disa të tjerë vononin muaj të tjerë që t`i lejonin vetes së tyre luftën prandaj dhe Allahu i kritikon ata duke e quajtur këtë punë të tyre shtesë mbi mohimin, shirkun dhe idhujtarinë që gjendeshin. Allahu thotë në Kuran: “Vonimi (i muajit të shenjtë) është shtesë në mohim.” (Suratu Et-Teube: 27).Pra është punë e keqe mbi punën e keqe të mohimit.

Ky vonim i muajve apo ndryshim bëri që të prishej llogaritja e kohës nga ajo që kishte krijuar Allahu në ditën e krijimit të saj, mirëpo Allahu i Madhëruar në haxhin e lamtumirës  të Profetit salallahu alejhi ue selem e risjell dispozitën e kohës që të jetë e njëjtë me krijimin e parë,ndaj dhe Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Sot është rregulluar  llogaritja e kohës dhe është bërë si në ditën e krijimit të qiellit dhe të tokës”. (Mutefekunalejhi). Pra, që nga haxhi i lamtumirës çdo muaj është në kohen e vet siç i ka krijuar Allahu.

Prej mirësisë së Allahut mbi këtë ymet është që kalendari ynë është i lidhur me hënën dhe hëna si gjë e dukshme e bën shumë të lehtë ta përcaktosh kohën dhe ditët nëpërmjet saj. Sikur të ishte me diellin do të ishte një vështirësi shumë e madhe sepse dielli nuk kalon nëpër faza cikli si hëna por mban të njëjtë formë ç`ka do të thotë se nëse nuk regjistrohet çdo ditë në vete do të humbësh rrjedhën e ditëve dhe prishet kalendari. Unë nuk kam aspak dyshim se kalendari diellor ka në të gabime në lidhje me ditët dhe muajt dhe sikur të kishim mundësi ta krahasonim këtë që është sot me atë që ka qenë para shekujve të mëparshëm do të gjenim ndryshime.

Prej punëve të mira që mund kryhen në këta muaj të shenjtë është agjërimi dhe sidomos në muajin Muharrem,  po ashtu agjërimi është përmendur edhe për muajin Rexhep.

Transmetohet nga EbuHurejra radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është muaji i Allahut, Muharremi” (E transmeton Muslimi).

Transmetohet nga Ibn Abasi radijallahu anhuma se Profeti alejhis-salatu ues-selam agjëronte në muajin Rexhep derisa thonim se ai nuk e çelte (agjerimin) dhe e çelte derisa thonim se nuk agjëronte më . (E transmeton Muslimi).

Një tjetër adhurim që kryhet në këta muaj të shenjtë është edhe një kurban në muajin e Rexhepit.

Transmetohet nga Mikhnef bin Suleim radijallahu anhu se ai ka thënë: Kur ishim duke qëndruar në Arafat me Profetin alejhis-salatu ues-selam, ai tha: “O ju njerëz! Për çdo familje në çdo vit duhet një Ud’hije (kurbani i Bajramit) dhe një Atira (kurbani i Rexhepit)” (E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu dhe e saktëson sheikh Albani).

Këtë hadith disa dijetarë -mes tyre Ebu Daudi- e kanë konsideruar të shfuqizuar se në një hadith tjetër të transmetuar nga Ebu Hurejra thuhet se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Nuk ka  as Fer’ë(i vogli i parë që lind një kafshë të cilin e bënin kurban në kohën paraislame. Thuhet që e bënin për bereqet por edhe thuhet që e bënin për idhujt) dhe as Atira(kurbani i Rexhepit).”(Mutefekun alejhi).

Disa dijetarë të tjerë mes tyre dhe imam Shafiu e kanë gjykuar si të pëlqyeshme kurbanin e Rexhepit se Profeti alejhis-salatu ues-selam në hadithin e mësipërm nuk ka dashur të tregojë se nuk ka fare kurban në Rexhep por ka dashur të tregojë se nuk është më detyrë kurbani i Rexhepit pasi që Islami solli kurbanin e Bajramit.

Muaj të tjerë të begatë

Muaj me vlerë të veçantë është edhe muaji i Shabanit se në atë muaj ngrihen punët për te Allahu dhe Profeti alejhis-salatu ues-selam agjëronte shumë në këtë muaj.

Transmetohet  se Usame bin Zejdi se e ka pyetur Profetin alejhis-salatu ues-selam: O i dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë muaj prej muajve më shumë sesa në Sha`ban? Ai tha: “Ai është një muaj që njerëzit shkujdesen ndaj tij, është mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ai është muaji kur ngrihen punë për te Zoti i botëve.”( E transmeton Imam Ahmedi , Nesaiu dhe e saktëson sheikh Albani).

Ndër muajt më me vlerë gjatë vitit përveç atyre që përmendëm është edhe muaji i Ramazanit. Vlera e këtij muaji vjen për shkak se në të ka zbritur Kurani. Allahu në Kuran thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kurani udhëzim për njerëzit, qartësues i udhës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga e kota). Ai që prezanton në këtë muaj, të agjërojë” (SuretuEl-Bakara: 185).

Zbritja e Kuranit e përmendur në këtë ajet është përqëllim zbritja nga Leuhil-Mahfudh për në qiellin e dynjasë dhe kjo ka ndodhur në natën e Kadrit e cila është prej netëve të Ramazanit siç thotë Ibn Abasiradiallahu anhuma: Është zbritur Kurani natën e Kadrit nga qielli më i lartë në qiellin e dynjasë njëherazi pastaj është ndarë sipas viteve (d.m.th.: është ndarë zbritja e tij mbi Profetin alejhis-salatu ues-selam). (E transmeton Hakimi dhe e saktëson Imam Dhehebiu).

Zbritja e Kuranit si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin është mirësia më e madhe që u ka bërë Allahu njerëzimit prandaj dhe u ka kërkuar agjërimin e ditëve të Ramazanit si falënderim për këtë mirësi ndërsa netët e tij ia ka kushtuar Kuranit duke e lexuar atë nëpër taravi.

Loading...