Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa II: Java)

November 16, 2013

Studim nga Dr. Abdullah Nabolli

  1. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa I: Ditët)
  2. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa II: Java)
  3. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa III: Muajt dhe Vitet)
  4. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa IV: Festat në Islam dhe ditë të vecanta)

2- Java

Allahu i Madhëruar pas krijimit të ditëve i grupoi  ato në javë ku një javë ka shtatë ditë. Caktimi i këtij numri ka lidhje me krijimin e qiejve dhe të tokës i cili u bë në gjashtë ditë dhe ditën  e shtatë Allahu u lartësua mbi Arsh,siç thuhet në Kuran: “Zoti juaj është Allahu i cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi Arsh” [Junus: 3].

Në këto gjashtë ditë, katër prej tyre janë të krijimit të tokës dhe dy janë të krijimit të qiejve siç thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaju:A ju po mohoni Atë që ka krijuar tokën në dy ditë dhe po i bëni atij ortakë?! Jo, ai është Zoti i botëve. Ai bëri në të (tokë) male të palëkundshme nga ana sipërme e saj dhe derdhi mbi të bereqetin e Tij dhe caktoi riskun e saj në katër ditë(katër ditë bashkë me dy ditët që u përmendën më lart). Shpjegim për këdo që pyet. Pastaj iu drejtua qiellit i cili ishte tym dhe i tha atij dhe tokës: Dorëzohuni me dëshirë ose detyrim! Ata i thanë: Po vijmë me dëshirë. Ai i ndau ata në shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i dha detyrën e tij dhe e zbukuruam qiellin e dynjasë me drita dhe për ta ruajtur. Ky është krijimi i të Plotfuqishmit të Gjithëdijshëm.” (Suretu Fussilet: 9-11)

Thotë sheikh el-Islam IbnTejmije: “Koha ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vit. Për sa i përket ditës ajo dallohet me anë të shikimit, po kështu edhe muaji edhe viti me anë të numërimit në kalendarin hënor dhe me anë të shikimit në kalendarin diellor. Ndërsa për sa i përket javës nuk mund t`i vihet ndonjë kufi as me anë të shqisave dhe as logjikës por kjo është njohur nga lajmet e profetëve se Allahu e ka krijuar botën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi Arsh, prandaj dhe Allahu i ka bërë çdo ymeti një ditë ku të mblidhen për të adhuruar Allahun, Një të Vetëm dhe të jetë kjo gjë shkak për  regjistrimin e javës”.

Tani lind pyetja se cila është dita e parë e javës?

Përgjigjia e kësaj pyetje ka lidhje me fillimin dhe mbarimin e krijimit.
Ka dy mendime mes dijetarëve ne lidhje me këtë çështje:

Mendimi i parë: Dita e parë e krijimit është dita e dielë.

Ky mendim është mendimi i shumicës së dijetarëve mes tyre Imam Taberiut dhe e ka përkrahur sheikhu Islam IbnTejmije dhe mbështetet në disa fjalëtë selefeve si Abdullah bin Selam, Abdullah bin Abas,  Muxhahidi etj. Le të përmendim mes tyre thënien e Abdullah bin Selam.

Thotë Abdullah bin Selam: “Allahu i Madhëruar e filloi krijimin dhe e krijoi tokën në ditën e dielë dhe të hënë”. E Transmeton Taberiu.

Mendimi i dytë: Dita e parë e krijimit është dita e shtunë.

Ky mendim është i Muhamed ibn Is’hakut dijetarit të madh të historisë profetike dhe e ka përkrahur Imam Es-Suhejli dhe imam En-Neveviu siç duket në kapitujt ndarës që i ka bërë Sahihu Muslimit dhe mbështetet  në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra.

Ebu Hurejra radijallahu anhu thotë: Më mori Profeti alejhis-salatu ues-selam për dore dhe më tha: “Allahu e ka krijuar dheun ditën e shtunë, i ka krijuar malet ditën e dielë, i ka krijuar pemët ditën e hënë, e ka krijuar të keqen ditën e martë, e ka krijuar dritën ditën e mërkurë, i ka shpërndarë kafshët ditën e enjte dhe e ka krijuar Ademin pas ikindisë ditën e xhuma në fund të krijimit,në orët e fundit të ditës së xhuma mes ikindisë dhe akshamit ” E transmeton Muslimi.

Këtë hadith e kanë refuzuar dijetarët e mendimit të parë megjithëse e transmeton Muslimi për disa arsye:

1- E shpërndan krijimin në shtatë ditë duke i përshirë të gjitha ditët e javës ndërkohë që Kurani e shpërndanë atë në gjashtë ditë.

2- Nuk përmend krijimin e qiejve.

3- Ky hadith në një prej rrugëve të tij të transmetimi tnuk thuhet: Nga EbuHurejra nga Profeti alejhis-salatu ues-selam por thuhet: nga EbuHurejra nga Ka’ab El-Ehbar (një ish dijetar çifut që kishte pranuar islamin) të cilin shpesh herë e pyeste Ebu Hurejra për lajme të përmendura në Teurat gjë që e bën hadithin të mos jetë i Profetit alejhis-salatu ues-selam por thënie e Kabit –radijallahu anhu-.

4- Kundërshton kuptimin e ditëve në gjuhën arabe:

Ditët e javës në arabisht dhe kuptimi i tyre                         

E Diel                                   El-Ehad                 (e para)

E Hënë                                El-Ithnein              (e dyta)

E Martë                              Eth-Thulatha        (e treta)

E Mërkurë                          El-Erbia’a              (e katërta)

E Enjte                                El-Khamis              (e pesta)

E Xhuma (E Premte)         El-Xhumuah          (bashkimi)

E Shtune                             Es-Sebt                   (ndërprerja)

Pra siç shihet nga kuptimet e emrave nga dita e dielë deri në ditën e enjte, kanë kuptime numrash dhe në rast se do të ishte dita e shtunë dita e parë, nuk do të ishte dita e dielë “El-Ehad” që do të thotë “E para” me këtë emër.

Dita e xhuma, festa e javës

Dita më e mirë e javës është dita e xhuma. Profeti alejhis-salatu ues- selam thotë: “Dita më e mirë që ka lindur në të dielli është dita e xhuma: në të është krijuar Ademi, në të është futur në xhenet, në të ka dalë prej tij dhe nuk ka për tu bërë kiameti veçse ditën e xhuma”. E transmeton Muslimi.

Dita e xhuma është gjithashtu edhe festë siç ka ardhur në shumë hadithe:

Profeti alejhis-salatu ues- selam thotë: “Kjo ditë (e xhuma) është festë që e ka bërë Allahu për myslimanët. Kush vjen për në xhuma le të lahet, nëse ka parfum le të hedhë prej tij dhe le të përdorë misvakun”. E transmeton Ibn Maxheh dhe e saktëson shejh Albani.

Transmetohet nga Ibn Abasi, Ebu Hurejra dhe Ibn Omeri radijallahu anhum se në kohën e Profetit alejhis-salatu ues-selam ka qëlluar janë bashkuar dy festa dhe Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Janë bashkuar sot dy festa: festa e sotshme dhe xhumaja. Ne do ta falim xhumanë dhe kush do ta falë atë le të falet dhe kush nuk do, le të largohet”. E transmeton Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh dhe e saktëson shejh Albani.

Transmetohet se një çifut i ka thënë Umer bin El-Hattabit radijallahu anhu : “O prijësi i besimtarëve, është një ajet në Librin tuaj dhe që e lexoni, sikur të na kishte zbritur ne çifutëve, do ta kishim marrë atë ditë festë. Umeri i thotë: Cili është  ai ajet? Ai i thotë: “Sot e përsosa  për ju fenë tuaj dhe e plotësova mbi ju mirësinë Time dhe zgjodha islamin fe për ju. Umeri i thotë: E di ditën dhe vendin ku i ka zbritur Profetit alejhis-salatu ues- selam. I ka zbritur në Arafat dhe ka qenë ditë e xhuma (dhe që të dyja janë për ne festa)”. E transmeton Buhariu përveç pjesës në kllapa e cila është tek Taberaniu.

Për këtë ditë na kanë zili edhe ymetet e tjera para nesh siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Ata nuk na kanë zili për ndonjë gjë më shumë sesa për xhumanë tek e  cila Allahu na orientoi  ndërsa ata e humbën, për kiblen tek e  cila Allahu na orientoi ndërsa ata e humbën  dhe për fjalën Amin pas imamit”. E transmeton Imam Ahmedi.

Në ditën e xhuma është edhe një orë ku Allahu i përgjigjet duasë dhe është ora e fundit e ditës pas namazit të ikindisë siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Dita e xhuma është dymbëdhjetë orë.Prej tyre është një orë që kushdo që i lutet Allahut për diçka, ia jep atë. Kërkojeni atë në orën e fundit pas ikindisë”E Transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson Sheikh Albani.

Ditë të tjera me vlerë

Ndër ditët e javës ka edhe dy ditë të tjera që janë me vlerë: dita e hënë dhe dita e enjte për faktin se në to shfaqen punët e njerëzve para Allahut dhe Profeti alejhis-salatu ues-selam u kushtonte rëndësi të veçantë këtyre dy ditëve duke i agjëruar.

Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Punët shfaqen ditën e hënë dhe të enjte dhe unë dua që kur të shfaqet puna ime të jem me agjërim”. E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson Sheikh Albani.

Ditën e hënë dhe të enjte hapen edhe dyert e xhenetit siç thotë Profeti alejhis-salatu ues-selam: “Hapen dyert e xhenetit ditën e hënë dhe të enjte dhe i falen gjynahet çdo robi mysliman që nuk i bën gjë shok Allahut me përjashtim të një njeriu që i mban mëri vëllait të tij dhe u thuhet: Vonojeni (faljen e gjynaheve për) këta të dy derisa të ndreqen me njëri tjetrin”. E transmeton Muslimi.

Gjithashtu kohë e bereqetshme mendohet të jetë edhe pjesa mes namazit të drekës dhe ikindisë në ditën e mërkurë sipas një hadithi të transmetuar nga Xhabir bin Abdilah radijallahu anhu ku thotë: “Ka bërë dua Profeti alejhis-salatu ues-selam në këtë xhami, xhaminë El-Fet’h (një prej shtatë xhamive që ishin në kohën e Profetit alejhis-salatu ues-selam në Medine) ditën e hënë, ditën e martë dhe ditën e mërkurë dhe i është përgjigjur Allahu atij mes dy namazeve ditën e mërkurë. Thotë Xhabiri: sa herë që më ndodhte diçka e rëndësishme e rezervoja për atë kohë dhe i jam lutur Allahut mes namazeve ditën e mërkurë në të njëjtën orë dhe më është përgjigjur.” E transmeton Imam Ahmedidhe e saktëson sheikh Albani. (Duhet të dihet se ka edhe dijetarë të tjerë që nuk e saktësojnë këtë hadith prandaj dhe thashë pak më lart mendohet të jetë kohë e bereqetshme.)

Loading...