Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit

April 4, 2023

Prej gjërave të gabuara që bëjnë disa njerëz është dhe shpeshtimi i përmendjes së problemeve që ndodhin në shoqëri, si dhe diskutimi rreth këtyre problemeve në bisedat e përditshme. Po t’i kishin përmendur nisur nga dëshira e gjetjes së një mënyre për kurimin e tyre kjo do të ishte për tu lavdëruar. Por e keqja qëndron se ata i përmendin për të treguar vështirësinë që ekziston në rrugën e përmirësimit të këtyre problemeve. Si pasojë, ndodh zmbrapsja nga veprimi (përmirësimi) dhe futja e dëshpërimit në zemrat e atyre që e dëgjojnë.

Nëse ky person apo të tjerët që mendojnë njësoj si ai do t’i jepnin përparësi anës së optimizimit dhe idesë se janë në mirësi të madhe në rrugën e këtij përmirësimi, pa marrë parasysh a është riparuar e gjithë pengesa apo një pjesë e saj, apo qoftë edhe nëse nuk është riparuar asgjë prej saj, ata nuk duhet të harrojnë se në fund Allahu nuk ua humb shpërblimin atyre që bëjnë mirë.

Në këtë kontekst vëmë theksin se nuk duhen përmendur vetëm gjërat negative dhe të fokusohemi në tregimin e tyre, në mënyrë që ky pesimist dhe ky i dështuar të mos i mbyllë dyert e përmirësimit tek shpirtrat e atyre që e duan dhe janë entuziast për të. Prandaj, nuk është e udhës për dikë që e do përmirësimin të anojë më shumë nga gjërat negative dhe të anashkalojë shumë prej gjërave pozitive, të cilat nxisin ambiciet në shpirtrat e njerëzve të devotshëm. Do ishte më parësore që të tregohej i drejtë në fjalët e tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “E kur të flisni bëhuni të drejtë.”[1]

Që do të thotë: Nëse do të trajtojë një vepër të keqe që është përhapur dhe janë përlyer me të shumë njerëz, në këtë rast ai mund të përmendë rrezikun e këtij mëkati dhe ndikimin e tij të madh në shoqëri. Bashkë me këtë ai t’ju sjellë nëpërmend faktin se shumë njerëz kanë nevojë për përkujtim dhe sqarim. Gjithashtu, t’ju bëjë me dije se shumica e njerëzve që janë pjesë e kësaj shoqërie janë praktikantë të xhumasë dhe të namazit me xhemat, të cilët kanë natyrë të çiltër dhe të pastër. Duhet t’ju kujtojë se janë namazlinj dhe njerëz që i friësohen Allahut, prej atyre që shpresojnë mëshirën e Zotit dhe i druhen dënimit të Tij. Me këtë ne jemi në rrugën e duhur ndaj atyre që mund të kenë bërë lëshime, pa marrë parasysh ju përgjigjën thirrjes tonë apo nuk ju përgjigjën. Fjalë të tilla vetëm se shtojnë ambiciet (për mirësi) dhe e forcojnë vendosmërinë (për të braktisur të keqen).

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ambicia e lartë e njeriut është adresa e fitores së tij, ndërsa ambicia e tij e ulët është treguesi i privimit të tij (nga mirësitë).”[2]

Meqënëse jemi në këtë temë le ta trajtojmë pak edhe rastin e atyre që flasin gjithmonë për krenarinë dhe madhështinë e Islamit dhe se fitorja i takon kësaj feje, por nga ana tjetër nuk marrin mundimin më të vogël në rrugën e përmirësimit. Madje këto fjalë i përdorin më shumë për të justifikuar veten e tyre sepse janë optimistë për triumfin e Islamit.

Sidoqoftë, këta dhe ata të tjerët që përmendëm më parë qëndrojnë në dy skajet më të largëta.

Në këtë kontekst do ishte e udhës të kujtonim disa fjalë të shejh AbduRrahman es Sidit, Allahu e mëshiroftë, i cili ka thënë: Sot edhe pse muslimanët rënkojnë nga dobësia e madhe dhe armiqtë thurin kundër tyre lloj-lloj kurthesh, kjo gjendje solli mes tyre njerëz me iman të dobët, me mendime të ulëta dhe dobësi të theksuar. Me plot pesimizëm ata besojnë se mundësia e ringritjes së muslimanëve është shuar dhe se muslimanët janë në ikje dhe në zhdukje. Me këtë mendim ata gabuan shumë sepse kjo dobësi është kalimtare dhe ka arsyet e veta. Përpjekja në largimin e shkaqeve e rikthen shëndetin e islamit njësoj siç ka qenë, ashtu siç i rikthehet forca atij që e ka humbur me breza.

Kjo dobësi që i ka prekur muslimanët ka ardhur si pasojë e kundërshtimit të librit të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit, alejhi selam. Ata i mohuan rregullat universale, të cilat Allahu i ka bërë lëndë të jetës së popujve dhe ngritjes së tyre. Nëse muslimanët rikthehen në atë që ka përgatitur feja e tyre, ata patjetër do t’ja arrijnë qëllimit të plotë ose të pjesshëm.

Këto ide të ulëta, pesimizmi dhe dembelizmi, Islami nuk i njeh dhe nuk i pëlqen. Përkundrazi, i qorton në mënyrën më të prerë dhe u tregon njerëzve se suksesi është i mundur, dhe se bashkë me vështirësinë është edhe lehtësimi. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pas vështirësisë Ai sjell lehtësimin.[3]

Gjithashtu, u tregon se gjëja më e dëmshme për ta është pesimizmi dhe humbja e shpresës.

Prandaj le t’i frikësohen Allahut këta pesimistë dhe ta mësojnë një herë e mirë se muslimanët janë populli më afër suksesit të vërtetë.

Në anën tjetër të këtij grupimi qëndrojnë ata që shpresojnë shumë dhe nuk bëjnë asgjë. I sheh ata duke folur për krenarinë e Islamit dhe lartësimin e tij, fundi i mirë i takon kësaj feje, dhe se e vetmja mënyrë për krenarinë e ndjekësve të saj është rikthimi tek mësimet dhe udhëzimet e tij. Por nga ana tjetër nuk ofrojnë për fenë e tyre as interesin më të vogël, qoftë nga ana fizike apo monetare. Nuk japin kontribut serioz për realizimin e asaj që thonë, sepse fjalët nuk kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra.

Lum për ata njerëz që janë të zgjedhurit e muslimanëve, burra të kësaj dunjaje dhe të kësaj feje. Ata i shoqëruan fjalët me vepra dhe luftuan me pasurinë, shpirtrat dhe me fjalët e tyre për ngritjen e vëllezërve muslimanë, duke qëndruar larg ideve të atyre që zgjodhën pesimizmin apo të atyre që zgjodhën fjalët pa vepra. Tek këta njerëz mund të mbahen shpresat dhe mund të arrihen synimet e larta, përmes përpjekjeve të falënderuara dhe veprave të tyre të pranuara, në dashtë Allahu.[4]

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.

 Autor: Abdul Aziz Sed’han

 Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————————-

[1] Suretu El Enam: 152.

[2] “Medarixh es salikin” 3/180.

[3] Suretu Talak: 7.

[4] “Uaxhib el muslimijn” fq. 23-24.

Loading...