Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa I: Ditët)

Studim nga Dr. Abdullah Nabolli

  1. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa I: Ditët)
  2. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa II: Java)
  3. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa III: Muajt dhe Vitet)
  4. Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa IV: Festat në Islam dhe ditë të vecanta)

Koha

Koha është krijim i Allahut. Allahu i Madhëruar kur krijoi diellin dhe hënën dhe caktoi lëvizjet e tyre  bëri të mundshme ndarjen dhe llogaritjen e kohës siç thotë në Kuran: “(Allahu) është Ai i cili e bëri diellin ndriçim, hënën dritë dhe i përcaktoi asaj (hënës) rrathët që të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” [Junus: 5]

Dhe thotë gjithashtu: “Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj dhe të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” (SuratuEl-Isra: 12).

Llogaritja e kohës është me rëndësi të madhe sepse me të janë lidhur ngushtë çdo gjë e jetës së njeriut: kohet e namazit, koha e agjërimit, koha e dhënies së zekatit, koha e haxhit,po ashtu edhe koha e punës, koha e ngrënies, koha e qetësimit,ditët e netët e begata, muajt e shenjtë,  festat etj.

Koha sipas librit të Allahut ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vite.

1- Ditët

Me krijimin e diellit u formua dita dhe u nda nga nata në mënyrë që të përhapet jeta në tokë dhe kjo është një prej mrekullive të Allahut siç thotë Allahu në Kuran në ajetin e lartpërmendur:

Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj.” (SuratuEl-Isra: 12).

Ne e bëmë natën petk (për tu prehur nën mbulesën e saj) dhe ditën për të siguruar jetesën.” (SuratEn-Nebe: 10-11).

Pra, ditën për të punuar dhe siguruar jetesën gjë  kjo e cila realizohet me prezencën e diellit, kurse natën për tu qetësuar dhe prehur dhe kjo me perëndimin e diellit dhe kalimin në errësirën e natës.

Nata me ditën të dyja së bashku përbëjnë një cikël të plotë që njihet me emrin ditë-natë ose një cikël  24-orësh siç e quajmë ne sot.

Allahu në Kuran në shumë ajete kur përmend krijimin e natës dhe të ditës përmend të parën natën: “Është Ai i cili krijoi natën, ditën, diellin dhe hënën. Që të gjitha ecin në një trajektore.” SuratuEl-Enbija: 33.

Kjo do të thotë se nata i paraprin ditës në kalendarin islam p.sh.: kur mbaron dita e fundit e Ramazanit dhe hyn nata dhe njerëzit presin te nesërmen për të festuar thonë: është natë Bajrami. Kjo gjë thuhet për shkak se nata i paraprin ditës.

Nata fillon me perëndimin e diellit dhe mbaron me lindjen e agimit kurse dita fillon me lindjen e agimit dhe mbaron me perëndimin e diellit.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran ne lidhje me agjërimin: “Hani e pini derisa te dallohet filli i bardhë(drita e agimit) nga filli i zi(terri i natës) pastaj plotësojeni agjërimin deri në hyrjen e natës(perëndimin e ditës tjetër)” Suretu El-Bakara: 186.

Ky ajet tregon kufijtë e ditës dhe të natës:

1- Dallimi i fillit te bardhe nga i ziu është për qëllim dallimi i bardhësisë se ditës nga terri i natës dhe ky është agimi, sipas një hadithi te transmetuar nga Adij bin Hatimi radijallahu anhu dhe duke qenë se agjërimi  nuk bëhet veçse ditën, atëherë  agimi është pjesë e ditës. Këtë gjë e vërteton edhe një ajet tjetër ku Allahu thotë: “Fale namazin në dy skajet e ditës dhe atë që vjen gjatë natës”suretuHud: 11. Thotë imam Taberiu:Ka ixhma(unanimitet) mes dijetarëve se namazi i skajit te parë është namazi i sabahut. Pra agimi është skaji i parë i ditës i cili shënon gjithashtu edhe hyrjen e namazit të sabahut dhe fillimin e agjërimit.

2- Hyrja e natës është për qëllim perëndimi i diellit i cili shoqërohet me fillimin e errësirës siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam në një hadith tjetër: “Kur të perëndojë dielli nga këtu -duke bërë  me shenje nga perëndimi- dhe te fillojë nata nga këtu -duke bërë me shenjë nga lindja-  ka çelur agjëruesi”. Pra perëndimi i diellit është skaji i dytë i ditës i cili shënon gjithashtu hyrjen e natës.

Nga këtu kuptojmë ndryshimin mes ditës në sheriatin islam dhe ditës në kalendarin astronomik.

Ndryshimi i parë:Ne sheriatin islam e gjithë nata i paraprin ditës dhe se bashku me ditën ne vijim përbejnë një cikël të plotë pranjë ditë-natë 24 orëshe. Kurse në kalendarin astronomik nata e një dite 24 oreshe ndahet ne dy pjese: pjesa e pare nga perëndimi i diellit deri ne 12 të natës, pjesa e dytë nga 12 e natës deri ne lindje të agimit, ku pjesa e pare i përket ditës përpara dhe pjesa e dytë i përket ditës ne vijim.

Ndryshimi i dytë:Pjesa e agimit deri ne lindje te agimit ne kalendarin tone është pjese e ditës kurse ne kalendarin astronomik është pjese e natës.

Kohet e adhurimit

Adhurimet e një ditë-nate që kanë lidhje me kohën janë namazi dhe agjërimi, secila prej tyre ka një kohë të caktuar që nuk mund të kryhet veçse në të.

Namazet janë pesë:Sabahu, Dreka, Ikindia, Akshami dhe Jacia. Kohet e tyre janë të përcaktuara nga Allahu siç thotë Ai vetë në Kuran: “Namazi është për besimtarët është detyrë në kohën e caktuar”. SuretuEn-Nisa: 103.

Këto kohë të caktuara janë intervale kohore me fillim e me mbarim, ku çdo namaz gjatë kryerjes së tij nuk e merr gjithë intervalin tij kohor prandaj dhe quhet detyrë me kohë të zgjeruar dhe mund të kryhet ose në fillim, ose në mes, ose në fund të çdo intervalit përkatës.

Kjo gjë është mirësi prej Allahut të Madhëruar sepse namazi nga mënyra e kryerjes nuk mund të kryhet pa shkëputje nga puna dhe duke qenë se njeriu në këtë botë mund të preokupohet edhe me gjëra të tjera prandaj dhe detyra e kryerjes së tij është lënë me interval kohor të gjerë.

Sabahu: nga lindja e agimit deri në lindje të diellit siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Koha e sabahut, përderisa nuk ka lindur dielli.” E transmeton Muslimi.

Yleja (Dreka): Kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një objekti është sa gjatësia e tij siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Koha e drekës është kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një burri të jetë sa gjatësia e tij.” E transmeton Muslimi.

Dielli kur lind hija e çdo objekti është nga perëndimi dhe kjo hije vjen duke u zvogëluar deri ne zenit dhe pas zenitit dielli drejtohet nga perëndimi dhe hija kalon nga lindja. Pikërisht ky moment është fillimi i drekës dhe vazhdon deri sa gjatësia e hijes së një objekti që tashmë ka kaluar nga lindja të jetë sa gjatësia e objektit.

Ikindia (Pasditja): Kur hija e objektit është sa gjatësia e tij deri në perëndim të diellit.

Thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Koha e ikindisë, përderisa nuk është zverdhur dielli”. E transmeton Muslimi. Gjithashtu Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Kush kap një rekat nga ikindia para se të perëndojë dielli, e ka kapur namazin.” E transmeton Muslimi.

Akshami:Kur perëndon dielli deri në zhdukjen e shenjave të kuqe që lë dielli pas perëndimit.

Siç është transmetuar nga Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Koha e akshamit përderisa nuk është zhdukur El-Shefek”. E transmeton Muslimi.  Ibn Omeri radijallahu anhuma ka thënë: “El-Shefek është e kuqja (e perëndimit).”

Jacia (Darka): Nga zhdukja e shenjave të kuqe deri në mesin e natës siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Koha e jacisë deri në gjysmën e natës.” E transmeton Muslimi.

Mesi i natës llogaritet duke parë intervalin kohor nga perëndimi i diellit deri në hyrjen e namazit të sabahut i cili përkon me lindjen e agimit. Gjysma e këtij intervali kohor është mesi i natës dhe ndryshon sipas stinëve të vitit.

Agjërimi është një lloj tjetër adhurimi që ka lidhje me kohën dhe ka fillimin dhe mbarimin e tij, fillon kur shfaqet agimi që është dhe hyrja e namazit të sabahut dhe mbaron kur perëndon dielli që është dhe hyrja e namazit të akshamit, por në ndryshim nga namazi që është detyrë e zgjeruar, ai është detyrë e ngushtuar sepse agjërimi e merr gjithë kohën e caktuar për kryerjen e tij. Agjërimi edhe pse është detyrë e ngushtuar, mirësia e Allahut nuk mungon as këtu, se nga mënyra se si kryhet nuk kërkon shkëputje nga punët e tjera të ditës dhe e bën atë të lehtë për besimtarin.

Kohët e ndaluara për adhurim gjatë ditës

Gjatë ditës ka tre kohë në të cilat  është ndaluar të falurit namaz dhe varrimi i të vdekurve siç transmetohet nga Ukbe bin Amir radijallahu anhu se ka thënë: “Në tre kohë, na ka pas ndaluar Profeti alejhis-salatu ues- selam të falemi dhe të varrosim të vdekurit tanë: kur lind dielli derisa të ngrihet në horizont, kur të jetë dielli në zenit (mesi i ditës) derisa të anojë (nga perëndimi) dhe kur dielli është duke perënduar.” E transmeton Muslimi.

Shkaku i ndalimit në kohën e lindjes dhe të perëndimit është se dielli lind e perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë qafirët i bëjnë sexhde diellit ndërsa për kohën e zenitit shkaku i ndalimit është ndezja e zjarrit të xhehenemit siç transmetohet nga Amr bin Abese radijallahu anhu se e ka pyetur Profetin alejhis-salatu ues- selam për namazin dhe i ka thënë: “Fal namazin e sabahut dhe pastaj lëre faljen deri sa të lind dielli dhe të ngrihet se ai del del mes dy brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij (diellit) qafirët, pastaj falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) derisa të ikë hija e shtizës, pastaj lëre namazin se në atë kohë ndizet zjarri i xhehenemit, pastaj kur të dalë hija falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) deri sa të falësh ikindinë pastaj lëre namazin derisa të perëndojë dielli sepse perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij qafirët.” E transmeton Muslimi.

Pra, sipas këtyre haditheve namazi është i ndaluar para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij por ama është kohë e bereqetshme për përkujtimin e Allahut siç thotë Allahu në Kuran: “Përkujtoje emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje”SuretuEl-Insan: 25. Prandaj dhe Profeti alejhis-salatu ues- selam e përkujtonte Allahun në këto dy kohë me dhikr të posaçëm.

Gjatë natës ka një orë të bereqetshme për lutje dhe namaz dhe që është një e treta e fundit e natës siç transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Zbret Zoti ynë çdo natë në qiellin e dynjasë kur është një e treta e fundit e natës dhe thotë: Kush më lutet, t`i përgjigjem? Kush më kërkon diçka, tia jap? Kush më kërkon falje, ta fal?” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kohët e punës

Dita në përgjithësi është krijuar për të punuar -siç u përmend më lart- por gjatë ditës koha më e mirë për punë është mëngjesi i hershëm se Profeti alejhis-salatu ues- selam është lutur për bereqet në këtë kohë siç transmetohet nga Sakhr El-Gamidi se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: [“O Allah jepi bereqet ymetit tim në mëngjesin e hershëm.” Profeti alejhis-salatu ues- selam kur niste ndonjë çetë apo ushtri (për luftë) e niste në fillim të ditës. Sakhri radijallahu anhu  ishte tregtar dhe e niste tregtinë në fillim të ditës dhe u pasurua duke iu shtuar pasuria.] E transmeton EbuDaudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Kohët e qetësimit dhe të gjumit

Gjatë ditës koha më e mirë për të pushuar dhe qetësuar është mesi i ditës. Thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Flini në drekë se shejtanët nuk flenë.” E transmeton Ebu Nuajmi dhe e saktëson sheikh Albani.

Ndërsa nata e gjitha është bërë për qetësim -siç u tha më lart- me përjashtim të kohës para se të falet namazi i jacisë dhe koha më e mirë për të fjetur gjatë saj është menjëherë pas jacisë, siç është transmetuar nga Ebu Berze El-Eslemij radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam: “E urrente gjumin para jacie dhe bisedat pas saj.” Mutefekunalejhi.

Kohët e ushqimit

Paraditja dhe pasditja është koha ngrënies së ushqimit bile në hadithe nuk përmenden më shumë se dy vakte ngrënie çka do të thotë se në kohën e Profetit alejhis-salatu ues- selam nuk hanin më shumë se dy herë në ditë: një herë paradite në kohën e Duhasë dhe një herë pasdite afër akshamit.

Transmetohet nga Aisheja radiallahu anha se ka thënë: “Profeti alejhis-salatu ues- selam vinte dhe na pyeste: Keni ndonjë gjë për El-Gada (vakti i paradites)? Nëse ne i thoshim po, hante.  Nëse i thoshim jo, thoshte: Unë po agjëroj.

Transmetohet nga Enesi radiallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Nëse vjen El-Asha (ushqimi i pasdites)dhe bëhet ikameti për namaz, filloni me ushqimin.” E transmeton Muslimi.

Namazi i përmendur në këtë hadith është namazi i akshamit

Këto dy vakte i ka përmendur së bashku Aisheja radiallahu anha në një hadith tjetër ku thotë: “I shtrydhja lëng Profetit alejhis-salatu ues- selam në mëngjes dhe kur vinte pasditja e pinte për El-Asha (vakti i pasdites) dhe nëse tepronte gjë e derdhja. Pastaj i shtrydhja lëng natën dhe kur vinte mëngjesi e pinte për El-Gada (vakti i paradites). E laja enën dy herë në ditë”. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.