Njohja e shkaqeve të zbritjes së një ajeti apo sureje

February 20, 2023

Prej gjërave që ndihmojnë në kuptimin e Kuranit është njohja e shkaqeve të zbritjes së ajeteve apo sureve.

Shembulli i parë:

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Thirrini ata që ju i hyjnizoni përveç Tij! Ata nuk mund t’ua largojnë të keqen e as nuk mund ta hedhin atë tjetërkund. Vet ata që idhujtarët u luten kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre. Secili prej tyre do donte të ishte më i afërti, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” |El Isra: 56-57|

Ibën Mesudi ka thënë: Ishte një grup njerëzish që adhuronin një grup xhinësh, por xhinët e përqafuan Islamin ndërsa njerëzit vazhduan t’i adhuronin ata, dhe kështu zbriti ky ajet: “Vet ata që idhujtarët u luten kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre.”[1]

Hafidh ibën Haxheri ka thënë: “Njerëzit që i adhuronin xhinët vazhduan ta bënin këtë pavarësisht nga fakti se xhinët nuk ishin të kënaqur me këtë pasi kishin përqafuar Islamin, dhe ata vet po kërkonin një mënyrë për t’u afruar tek Zoti i tyre.

Taberiu e transmeton në një formë tjetër nga Ibën Mesudi, duke shtuar: Njerëzit që i adhuronin xhinët nuk e dinin për islamin e tyre, dhe ky është mendimi ku mbështeten për tefsirin e këtij ajeti.[2]

“U luten” – vet ata i nënshtrohen Allahut duke kërkuar atë që i afron me Zotin e tyre.

“Kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre” – afrohen tek Ai me anë të bindjes ndaj Tij dhe veprave me të cilat është i kënaqur.

“Secili prej tyre do donte të ishte më i afërti” – pra të jetë më afër Allahut përmes veprave të mira.

“Duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij.” – Sepse adhurimi nuk është i plotë nëse nuk shoqërohet nga frika dhe shpresa.

“Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” – Është e domosdoshme që njerëzit t’i druhen dhe t’i frikësohen dënimit të Tij.

Them: Ky ajet përmban një përgënjeshtrim ndaj atyre që u luten të tjerëve përveç Allahut, si p.sh. profetëve apo evlijave, duke kërkuar përmes qënieve të tyre qasje për tek Allahu i Lartësuar. Por nëse ata do të kishin kërkuar afrimin tek Allahu përmes besimit dhe dashurisë ndaj tyre (profetëve apo evlijave) kjo do të ishte e lejuar.[3]

Shembulli i dytë:

Abdullah Ibën Mesudi, radiAllahu anhu, thotë: Kur zbriti ajeti; “Ata që besojnë Allahun dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari).” |El En’am: 82| – shokët e Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem thanë: “Kush prej nesh nuk bën padrejtësi?” Kështu zbriti ajeti vijues: “Mos adhuroni të tjerët pos Allahut. Vërtet, adhurimi i të tjerëve pos Allahut është një padrejtësi e madhe.” |Lukman: 13| [4]

El Hafidh Ibën Haxher në librin “El Fet’h” ka thënë: Molepsin do të thotë nuk e përziejnë.

Shembulli i tretë:

Buhariu transmeton nga Urve se ka thënë: Zubejri pati një mosmarrëveshje me një burrë nga ensarët për një rrugë ujitëse në Harra. Kështu Pejgamberi, salAllahu alejhi ve sel-lem, i tha: “Ujite tokën tënde o Zubejr dhe më pas drejtoje ujin për tek fqinji yt. Ensari pyeti: O i Dërguar i Allahut, a po gjykon kështu për shkak se ai është djali i hallës tënde? Fytyra e Profetit ndryshoi prej fjalëve të ensariut dhe tha: Ujite tokën tënde o Zubejr, pastaj mbaje ujin derisa të arrijë në argjinaturë dhe në fund drejtoje për tek fqinji yt.”

Profeti i dha Zubejrit gjithçka që i takonte në gjykimin e tij të qartë pasi ensariu e zemëroi atë, edhe pse fillimisht i kishte drejtuar ata në një rrugë që ishte e lehtë për të dy.

Zubejri tha: Mendoj se ky ajet ka zbritur pikërisht për këtë rast dhe për këtë incident: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden plotësisht.” |En Nisa: 65| [5]

Shembulli i katërt:

Hudhejfe tregon se ajeti: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim.” |El Bekare: 195| – ka zbritur për shpenzimin, d.m.th. për braktisjen e shpenzimit për të tjerët.[6]

Në transmetimin e Ebu Davudit thuhet: “Ne u nisëm në një ekspeditë nga Medina me qëllim që të çlironim Konstandinopojën. AbduRrahman ibën Halid ibën Velid ishte udhëheqësi i një batalioni. Romakët ishin ngujuar dhe i kishin ngjitur trupat e tyre me muret e qytetit. Një burrë sulmoi papritmas, dhe njerëzit thanë: “Ndal! Ndal! La ilahe il-lAllah! Ai po e çon veten drejt shkatërrimit.” Në atë moment Ebu Ejubi tha: “Ky ajet ka zbritur për ne ensarët. Kur Allahu e ndihmoi Profetin e Tij dhe i dha islamit fitoren, ne thamë: Le të qëndrojmë në pronat tona dhe t’i përmirësojmë ato. Pas kësaj Allahu i Lartësuar shpalli: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim.” |El Bekare: 195| Prandaj çuarja e vetes drejt shkatërrimit nënkuptonte të mbetemi të zhytur në pasurinë tonë dhe të përkushtohemi ndaj saj, dhe të braktisim luftën në rrugë të Allahut. Ebu Imran tregon duke thënë: Ebu Ejubi vazhdoi duke luftuar në rrugën e Allahut derisa u vra, dhe u varros në Konstandinopojë.”[7]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————-

[1] Mutefekun alejhi.

[2] “Fet’hul Bari” 8/397.

[3] P.sh. nëse i lutet Allahut duke thënë: O Allah, për hir të dashurisë dhe imanit që kam për profetët e Tu, ose për hir të dashurisë dhe respektit që kam për të dashurit (evlijatë) e Tu ma plotëso këtë lutje, ose ma prano këtë adhurim. Kjo nuk do të përbënte ndonjë problem. Sh.p

[4] E përcjell Buhariu.

[5] E përcjell Buhariu 5/180.

[6] E përcjell Buhariu.

[7] E përcjell Ebu Davudi me sened të saktë. Shih “Xhami el Usul” 2/32.

Loading...