Tefsiri në gjuhën arabe vjen nga fjala “el fesr” që do të thotë; zbulesë e diçkaje të mbuluar.
Ndërsa në termin fetar tefsiri nënkupton sqarimin e kuptimeve të fjalëve të Allahut.
Mësimi i tefsirit është i domosdoshëm, dhe e themi këtë duke u bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed) për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.”[1] Si dhe në ajetin tjetër ku thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”[2]
Ajeti i parë aludon në atë se Allahu i Madhëruar e sqaroi se urtësia e zbritjes së këtij Kurani të begatë është që njerëzit të meditojnë në ajetet e tij dhe të marrin përvojë nga këshillat që gjenden aty.
Përsiatja e përmendur në ajet është të menduarit e thellë në fjalët për të arritur në kuptimet e tyre, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë dhe urtësia e zbritjes së Kuranit humbet sepse ngelet thjesht një libër me terma që nuk kanë forcë ndikuese.
Gjithashtu, nuk është e mundur të merren mësimet nga ajetet e Kuranit pa i ditur kuptimet e tij.
Ndërsa ajeti i dytë aludon në faktin se Allahu i Madhëruar i ka përçmuar ata të cilët nuk meditojnë Kuranin, duke dhënë të kuptojmë se zemrat e tyre janë të mbyllura dhe se hajri nuk mund të arrijë tek ato zemra.
Selefët tanë të mirë ndiqnin pikërisht atë që u kërkonte Allahu i Madhëruar sepse e mësonin Kuranin, shprehjet dhe kuptimet e tij. Vetëm në këtë mënyrë arinin të punonin me Kuran ashtu si kërkonte Allahu, sepse një punë e cila nuk kuptohet qëllimi i saj është diçka e pamundur që të bëhet.
Ebu Abdurrahman es Sulemi thotë: Na kanë treguar ata që na i lexonin Kuranin si Othman bin Afani apo Abdullah bin Mesudi etj. se kur i mësonin tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhjetë ajete, nuk kalonin tek të tjerat derisa të mësonin dobitë që gjenden aty dhe t’i praktikonin ato. Dhe thoshin: “Ne e mësuam Kuranin, diturinë, dhe praktikimin në të njëjtën kohë.”
Shejhul Islam ibën Tejmije thotë: Tradita e bën të pamundur që një popull ta lexojë një libër që flet për një art siç është mjekësia, matematika etj. pa e shpjeguar atë. Kur kjo nuk ndodh tek ata si mund të ndodhë me fjalën e Allahut të Madhëruar, fjalë e cila i ruan ata dhe me të arrijnë shpëtimin dhe lumturinë, dhe me anë të saj mbajnë lart fenë dhe jetën e tyre.
Dijetarëve u kërkohet që t’ua shpjegojnë njerëzve Kuranin, qoftë duke shkruar apo edhe duke dhënë mësime. Kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai.”[3]
Shpjegimi i Kuranit për njerëzit përmbledh frazat dhe kuptimet e tij, e në këtë mënyrë tefsiri i Kuranit është një premtim që Allahu ua ka marrë atyre që u është dhënë dituria që ta sqarojnë.
Qëllimi i mësimit të tefsirit është arritja për tek frytet e mira dhe të bereqetshme që realizohet në besueshmërinë e lajmeve, dhe përfitimi prej tyre duke i praktikuar dispozitat në atë mënyrë që ka dashur Allahu. Pra të adhurohet Allahu mbi baza të shëndosha diturie.
Detyrat e një muslimani kur komenton Kuranin.
Një musliman kur komenton Kuranin e ka për detyrë të ndiej në veten e tij se po përkthen fjalët që thotë Allahu i Madhëruar, dhe po dëshmon për qëllimet e atyre fjalëve. Kjo gjë duhet ta bëjë atë të druhet nga kjo dëshmi dhe të frikësohet që të flasë për Allahun pa njohuri, e në këtë mënyrë të bier preh e asaj që ka ndaluar Allahu dhe të poshtërohet me këtë gjest në ditën e gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Me të vërtetë Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin ato të hapta ose të fshehta. Si dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka për të cilën Ai nuk u ka dhënë kurrfarë të drejte, dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[4]
Gjithashtu ka thënë: “Në ditën e kijametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!”[5]
Ku referohet tefsiri i Kuranit?
Tefsiri i Kuranit referohet tek këto pika që do përmenden më poshtë:
1- Tek fjala e Allahut, që do të thotë: Të komentohet Kurani me vetë Kuranin, sepse Allahu e zbriti atë dhe vetëm Ai e di qëllimin e atyre fjalëve që ka zbritur.
Për këtë ekzistojnë disa shembuj:
– Fjala e Allahut: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.”[6] Fjalën “miqtë e Allahut” e ka sqaruar me vetë fjalën e Tij në ajetin vijues, duke thënë: “(Të tillë janë) Ata që besojnë dhe që i frikësohen (Allahut).”[7]
2- Fjalët e të dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pra komenti i Kuranit me anë të sunetit. I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është kumtues i asaj që i zbriti Allahu, kështu që është njeriu më i ditur për qëllimet që ka Allahu me fjalët e Tij.
Për këtë ekzistojnë disa shembuj:
– Fjala e Allahut: “Ata që bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”[8] I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem fjalën “edhe më tepër” e ka komentuar me shikimin në fytyrën e Allahut të Madhëruar, siç e ka përcjellë Ibën Xheriri dhe Ibën Ebi Hatim nga hadithi i Ebu Musas dhe Ubej bin Keabit.
Ndërsa në “Sahihun e Muslimit” Suhejb bin Sinani përcjell se Profeti sal-lallahu alejhi ve sel-lem në një hadith ka thënë: “E kështu pengesat do të largohen dhe atyre nuk do t’iu jepet kënaqësi më e madhe sesa të shohin Zotin e tyre.” Më pas lexoi këtë ajet: “Ata që bëjnë vepra të mira do kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”
3- Fjalët e sahabëve e sidomos të diturit prej tyre dhe ata që janë të angazhuar me tefsirin. E themi këtë sepse Kurani zbriti në gjuhën e tyre dhe në kohën kur jetuan. Gjithashtu, ata pas profetëve janë njerëzit që më së shumti e kërkojnë të vërtetën dhe më të ruajturit nga pasionet. dhe janë njerëzit më larg kundërshtimeve që e ndalojnë njeriun nga suksesi.
Për këtë ekzistojnë disa shembuj:
– Fjala e Allahut të Madhëruar: “Dhe nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë, ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni prekur gratë.”[9] Është vërtetuar nga Ibën Abasi se prekjen e grave ai e ka komentuar me marrëdhëniet intime.[10]
4- Fjalët e tabiinëve të cilët u kujdesën në marrjen e tefsirit nga sahabët. Tabiinët janë njerëzit më të mirë pas sahabëve dhe më të ruajturit nga pasionet. Gjithashtu, gjuha arabe në kohën e tyre nuk kishte ndryshuar shumë prandaj ata ishin më afër të vërtetës në kuptimin e Kuranit krahasuar me ata që erdhën më pas.
Shejhul Islam ibën Tejmije thotë: Kur ata bëhen të një mendimi (tabiinët) rreth një çeshtjeje, atëherë nuk dyshohet se fjala e tyre bëhet argument. Por nëse kundërshtohen, atëherë fjala e njërit nuk mund të jetë argument për një tjetër nëse ai e kundërshton, e as për ata që vijnë më pas. Kjo çështje i kthehet gjuhës së Kuranit, sunetit, gjuhës së arabëve ose fjalëve të sahabëve.[11]
Marrë shkurtimisht nga libri: “Bazat e tefsirit”.
Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin
Përktheu: Fatjon Isufi.
[1] Suretu Es Sad: 29.
[2] Suretu Muhamed: 24.
[3] Suretu Al Imran: 187.
[4] Suretu El Araf: 33.
[5] Suretu Ez Zumer: 60.
[6] Suretu Junus: 62.
[7] Suretu Junus: 63.
[8] Suretu Junus: 26.
[9] Suretu En Nisa: 43.
[10] Abdurrezaku në Musanefin e tij 1/134, dhe Ibën Ebi Shejbe në Musanefin e tij 1/192.
[11] “Fetva të mbledhura”.
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi