Njohje me fenë Islame

Javën e kaluar kemi folur rreth dijes dhe vlerës së saj, dhe kemi thënë se e gjithë dija e dobishme e Kuranit dhe Sunetit kthehet tek tri aspekte të rëndësishme: Njohja e Allahut, njohja e fesë Islame dhe njohja e Profetit ﷺ. Çdo dije e fesë tonë është njohje me Allahun, ose njohje me Profetin ﷺ, ose njohje me aspekte të ndryshme të fesë Islame.

Kemi folur shkurtimisht herën e kaluar rreth njohjes me Allahun. Në këtë hutbe do të flasim (në dashtë Allahu) shkurtimisht për disa njohuri rreth fesë Islame.

Islami është dorëzimi para Allahut me Teuhid, nënshtrimi ndaj Tij me adhurim dhe bindje, dhe distancimi nga shirku dhe idhujtarët.

Islami ka tre gradë: Islami, Imani, Ihsani, dhe secila gradë ka shtyllat e veta.

Trasmeton Umeri (radiAllahu anhu) duke thënë:

Ishim një ditë duke ndenjur me Profetin ﷺ kur erdhi një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza, dhe nuk shihej tek ai asnjë shenjë udhëtari e asnjë nga ne nuk e njihte (nuk ishte vendali). Erdhi dhe u ul afër Profetit ﷺ. bashkoi gjunjët e tij me gjunjët e Profetit ﷺ dhe vuri duart e tij në këmbët e tij mbi gjunjë (u ul siç ulet nxënësi para mësuesit të tij që të dëgjojë e të kuptojë më mirë).

Tha: O Muhamed! Më trego çfarë është Islami.

(Profetit ﷺ sahabët i drejtoheshin me fjalën; ‘O i Dërguar i Allahut’ ose ‘O Profet i Allahut’, dhe nuk  e thërrisnin në emër. Ky njeri deshi t’ju tregonte me këtë gjest që është i padijshëm rreth fesë sa nuk njihte as edukatën fetare se si t’i drejtohej Profetit ﷺ, e jo më dijen fetare.)

Profeti ﷺ tha: Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin, dhe të bësh Haxhin në Qabe nëse ke mundësi.

Ai tha: E vërtetë.

Umeri (radiAllahu anhu) thotë: U çuditëm… edhe pyet edhe t’a korrigjon e aprovon përgjigjen.

Ai tha: Më trego çfarë është Imani.

Profeti ﷺ tha: Imani është të besosh Allahun, melekët e Allahut, librat e zbritur prej Allahut, Profetët e dërguar prej Allahut, të besosh ditën e Fundit (ditën e Gjykimit) dhe të besosh caktimin e Allahut qoftë i mirë apo i keq.

Ai tha: E vërtetë. Më trego çfarë është Ihsani.

Profeti ﷺ tha: Ihsani është t’a adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë Atë. (Nëse nuk e arrin këtë gradë atëherë të paktën adhuroje Allahun duke e ditur se Ai të sheh) Edhe nëse nuk e sheh Allahun, Ai të shikon ty. 

Trasmeton Buhariu dhe Muslimi.

U përmend tek hadithi i mësipërm që Islami ka pesë shtylla: Dëshminë ‘La ilahe il-lAllah, Muhammed rasulullah’, faljen e namazit, dhënien e zekatit…

Kuptimi i fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ është ‘Nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut’. Ndërsa kuptimi i fjalës ‘Muhamed Rasulallah’ është ‘Muhamedi është i Dërguar i Allahut’ tek mbarë njerëzit dhe xhinët. Është detyrë bindja ndaj tij në çfarë na ka urdhëruar, largimi nga gjërat nga të cilat na ka ndaluar dhe besimi  në gjërat për të cilat na ka treguar.

Namazi është detyrë të falet me xhemat të pesë vaktet.

Zekati është detyrim një herë në vit nëse personi ka në gjendje para të ndenjura sa sasia e arit e cila ka vlerën mbi tre milionë lekë, ose sa sasia e argjendit e cila ka vlerë mbi 350 mijë lekë. Jepet 1/4.

Po ashtu është detyrë zekati i farave si gruri e misri nëse kalojnë 900 kg të korrura. Jepet 1/5 nëse e kemi ujitur vetë arën, ose 1/10 nëse nuk e kemi ujitur vetë por e ka ujitur shiu.

Zekat kanë edhe lopët të cilat kullosin shumicën e vitit e nuk blihet ushqim për to. Për çdo 30 lopë jepet zekat një lopë një vjeçare, për çdo 40 lopë jepet zekat një lopë dy vjeçare, e shumë e shumë lloje të ndryshme të zekatit.

Agjërimi është detyrë një muaj në vit dhe ky është muaji i Ramazanit.

Haxhi është detyrë për çdo musliman të rritur i cili ka mundësi fizike dhe financiare për ta kryer. Nëse ka mundësi financiare por jo fizike atëherë i’a jep paratë dikujt që ka kryer Haxh edhe më përpara dhe i’a kryen ai. Ndërsa gratë duhet të kenë shoqërues mashkull të gjakut ose burrin që të kryej Haxhin. Nëse ska kush e shoqëron nuk e ka detyrë haxhin derisa të ketë kush t’a shoqërojë.

U përmend në hadith se; Imani është të besosh Allahun, melekët e Allahut, librat e zbritur prej Allahut, Profetët e dërguar prej Allahut, të besosh ditën e Fundit (ditën e Gjykimit) dhe të besosh caktimin e Allahut qoftë i mirë apo i keq.

Besimi në Allahun është besimi në ekzistencën e Allahut dhe besimi se Ai është i vetmi Krijues, i vetmi Dhënës i rrizkut, i vetmi Sundues i gjithçkaje, i vetmi i cili ka nën kontroll gjithë universin. Gjithashtu, besimi se vetëm Allahu meriton të adhurohet dhe askush tjetër. Kush adhurohet përveç Allahut adhurohet padrejtësisht dhe nuk e meriton atë.

Besimi se Allahu ka emra të bukur dhe cilësi perfekte pa asnjë të metë. Emrat dhe cilësitë e Allahut janë të shumta dhe ne i besojmë të gjitha që janë përmendur në Kuran dhe në hadithet e sakta të Profetit ﷺ. I besojmë ato dhe nuk i mohojmë, i besojmë ashtu siç janë përmendur pa i përngjasuar me krijesat. P.sh. nuk themi se shikimi i Allahut është si shikimi i njerëzve. I besojmë siç janë pa i dhënë forma ngase format nuk i dimë. Nuk themi; Dora e Allahut është kështu e ashtu, por i besojmë siç janë përmendur në kuptimin e tyre fetar e nuk i keqinterpretojmë. Allahu ka thënë në Kuran: “E kam krijuar Ademin me duart e Mia”. Ne e pohojmë që Allahu ka Dorë e nuk themi që me fjalën ‘Dorë’ është për qëllim Fuqia e Allahut.

Besimi në engjëjt është besimi se ata janë krijesa të Allahut të cilat Alahu i ka krijuar nga drita dhe ne nuk mundemi t’i shohim. Ata janë robër të Allahut të bindur ndaj Tij, veprojnë çfarë u thotë Allahu dhe nuk e kundërshtojnë kurrë Atë. Janë krijesa madhështore me nga dy – tre – katër e më shumë krahë, ndërsa Xhibrili ka 600 krahë. Më të njohurit prej melekëve janë; Xhibrili (alejhi selam) i cili sjell shpalljen nga Allahu për tek profetët, Israfili i cili i fryn Surit në ditën e Gjykimit, Mikaili i cili është kujdestar për shiun etj. Ka engjëj që janë të caktuar për marrjen e shpirtit, disa për marrjen në pyetje të robërve të Allahut kur hyjnë në varr, disa janë të caktuar për të shkruar veprat e njerëzve etj.

Besimi në librat e zbritur prej Allahut është besimi se Allahu ka zbritur libra Profetëve të Tij si; Kurani, Inxhili, Zeburi, Teurati, broshurat e  Ibrahimit dhe Musait. Në këto libra ishte e vërteta prej Allahut, feja, urdhërat e Allahut, ndalesat, përgëzim për besimtarët, paralajmërim kundër jobesimtarëve etj. Në këto libra ka udhëzim dhe dritë. Zeburi, Teurati dhe Inxhili zbritën dhe u besuan popujve që t’i ruanin ata libra, por kundrejt parave ata pranuan të hiqnin e të shtonin pjesë në këto libra dhe u thonin njerëzve se kjo është prej Allahut. Ndërsa Kuranin e ka marrë përsipër vetë Allahu i Madhëruar që t’a ruajë e të mos ndryshohet.

Besimi në Profetët është besimi se Allahu ka zgjedhur burrat më të mirë të cilëve u ka shpallur, dhe i ka dërguar tek popujt e tyre si përgëzues dhe paralajmërues, thirrës për tek e vërteta. Ata kanë thirrur dhe ftuar në njësimin e Allahut në adhurim, dhe largimin nga adhurimi i të tjerëve krahas Allahut. Disave u ka dhënë libra e disave jo, dhe ka patur Profetë më shumë se 100 mijë madje thuhet deri në 124 mijë e më shumë. Prej tyre në Kuran janë përmendur 25 dhe në hadithe të sakta më shumë se kaq. Më të rëndësishmit prej Profetëve janë pesë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai, dhe Muhamedi (sal-lAllahu alejhim xhemian ue sel-lem).

Besimi në ditën e Fundit është besimi në çdo gjë që vjen pas vdekjes që prej momentit të vdekjes; jeta e varrit, sprova e varrit (marrja në pyetje prej melekëve), mirësitë e varrit për besimtarët, si dhe dënimi në varr për jobesimtarët dhe gjynahqarët. Shenjat e ditës së Gjykimit janë: fryrja në Sur, dita e Gjykjimit, ringjallja e njerëzve, grumbullimi i tyre, dhënia llogari, peshimi i veprave etj. etj. deri tek hyrja në Xhenet ose Xhehenem. Besimi në ditën e Gjykimit është besimi se Allahu do t’i ringjallë njerëzit nga varret e tyre, do t’i marrë në llogari dhe do t’i shpërblejë për veprat e tyre.

Besimi në caktimin e Allahut është besimi se çdo e mirë dhe çdo e keqe në univers ndodh vetëm me caktimin e Allahut. Besimi në Kader është besimi se Allahu ka ditur çdo gjë që do të ndodhë dhe e ka shkruar këtë gjë në librin që quhet Leuhi Mahfudh. Çdo gjë ndodh vetëm me dëshirën e Allahut dhe asgjë nuk ndodh nëse nuk dëshiron Ai. Gjërat e këqija ndodhin me lejen e Allahut dhe për urtësi të mëdha prej Allahut e Ai është Krijuesi i çdo gjëje. Allahu ka ditur çdo gjë dhe ka shkruar çdo gjë që ka ditur. Çdo gjë që është shkruar ndodh ngaqë Allahu do që të ndodhë për shkak të urtësive të mëdha prej Tij. Allahu ka krijuar çdo gjë.

Këto ishin shkurtimisht tri gradët e Islamit: Islami me shtyllat e tij, Imani me shtyllat e tij, dhe Ihsani.

Ihsani siç thamë më lart është; të adhurosh Allahun me aq vetëdije e aq përqëndrim si të jesh duke e parë Atë. Ose t’a adhurosh Allahun duke e ditur se Allahu të shikon ty në çdo gjë që vepron.

Hutben e ardhshme (në dashtë Allahu) do të flasim për pjesën e tretë të dijes, pyetjen e tretë të melekëve në varr, ‘Njohjen e Profetit ﷺ’.