Nuk rekomandohet fshirja e fytyrës me duar pas duasë

March 14, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Nuk është e rekomanduar fshirja e fytyrës pas bërjes së duasë.  Shumë hadithe e kanë përshkruar sesi Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i lutej Zotit duke bërë dua, por nuk ka asnjë argument të dëshmuar se ai e fshinte fytyrën pasi bënte duanë.

Ata që thanë se duhet fshirë fytyra cituan disa hadithe si dëshmi, por pas kërkimit të mëtejshëm ato nuk janë hadithe të sakta dhe janë transmetime që nuk e përforcojnë njëri-tjetrin.

Sa i përket pikëpamjeve të dijetarëve që thonë se nuk lejohet fshirja e fytyrës, ato janë:

1 – Imam Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: Nuk njihet në praktikë se dikush e fshinte fytyrën pas duasë, përveç Hasenit (Basriut). “El-Ilel el-mutenahijeh”  (2/840 – 841).

2 – Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: Sa i përket ngritjes së duarve gjatë duasë, janë transmetuar shumë hadithe të sakta autentike nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa sa i përket fshirjes së fytyrës me duar ka vetëm një ose dy hadithe që flasin për këtë, por ato nuk mund të merren si dëshmi sepse janë të dobëta. “Mexhmu el fetaua” 22/519.

3 – El Iz ibn AbduSelam ka thënë: Askush nuk e fshin fytyrën me duar pasi të bëjë duanë, përveç atij që është injorant. “Fetaua el Iz ibën AbduSelam, fq. 47.

Përderisa nuk lejohet fshirja e fytyrës pas duasë, atëherë edhe fshirja e trupit apo puthja e syve nuk lejohet të veprohet.

Madje dijetarët kanë thënë se; puthja e gishtërinjve të mëdhenj dhe vendosja e tyre në sy është bidat që u soll nga disa tarikate sufiste. Ekziston një hadith në lidhje me këtë që i atribuohet në mënyrë të rreme Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Shejh Muhamed ibn Uthejmini është pyetur për gjykimin e fshirjes së fytyrës me duar pas duasë, dhe ai është përgjigjur:

“Fshirja e fytyrës me duar pas kryerjes së duasë ka më shumë mundësi të mos jetë e lejuar, sepse hadithet që janë transmetuar në lidhje me këtë janë të dobëta. Shejhul Islam, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Nuk mund të përdoren si dëshmi. Nëse nuk jemi të sigurt ose mendojmë se ka shumë të ngjarë që kjo nuk është e përshkruar, atëherë është më mirë të mos e praktikojmë, ngase vendimet Islame nuk mund të vërtetohen në bazë të hamendjeve.

Ajo që mendoj për fshirjen e fytyrës me duar pas duasë është se nuk është sunet. Siç dihet, Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, gjatë hutbes së xhumasë është lutur për shi dhe ka ngritur duart, por nuk është transmetuar se e ka fshirë fytyrën me to. Në mënyrë të ngjashme në disa hadithe thuhet se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ngriti duart, por nuk ka asnjë provë se ai e fshiu fytyrën e tij pas përfundimit të duasë.” “Mexhmu fetaua Ibn Uthejmin”, 14/ pyetja nr. 781.

Allahu e di më së miri!

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...