Sa është numri i namazlive që duhet të falet namazi i Xhumasë?

Transmetohet nga Xhabiri (radijAllahu anhu) se: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) po ligjëronte ditën e xhuma në këmbë. Erdhi një karvan nga Shami dhe njerëzit (që ishin në xhami) u nisën drej tij (karvanit) dhe nuk mbetën (me Profetin) vetëm se dymbëdhjetë burra.” Transmeton Muslimi me nr. 863.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Në këtë hadith; “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) po ligjëronte ditën e xhuma në këmbë”, tregohet se prej normave të hutbes është që hatibi të ligjërojë në këmbë (dhe jo ulur). Nuk transmetohet se ai ka ligjëruar ndonjëherë ulur. Pra, prej sunetit të tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në lidhje me hutben e xhumasë është që ajo të mbahet (thuhet) duke qenë në këmbë, sepse një gjë e tillë ndikon më shumë tek xhemati.

A është qëndrimi në këmbë për mbajtjen e hutbes vaxhib apo mustehab? Në lidhje me këtë ekzistojnë dy mendime:

Mendimi i parë: Ka prej dijetarëve që thonë se një gjë e tillë është mustehab (e pëlqyeshme) dhe jo vaxhib (obligim). Kështu që nëse hatibi ligjëron ulur  kjo konsiderohet e lejuar. Muavija (radijAllahu anhu) ishte që ligjëronte ulur. Por disa dijetarë i janë kundërpërgjigjur këtij argumenti duke thënë se Muavija e ka bërë këtë në kohën kur u rëndua (nuk qëndronte dot në këmbë). Shih “El-Isaf” (2/397) dhe “Bedai es-sanai” (1/263).

Mendimi i dytë: Dijetarët e tjerë janë të mendimit se është vaxhib qëndrimi në këmbë gjatë ligjërimit të hutbes dhe është kusht i saj. Prandaj nëse hatibi ligjëron ulur duke mos pasur arsye legjitime, atëherë hutbja e tij nuk saktësohet, ose ajo saktësohet por hatibi ngarkohet me gjynah për këtë veprim ngase ka lënë një vaxhib.

Kanë thënë: Nuk transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka ligjëruar hutben e xhumasë ulur. Kjo tregon për ligjshmërinë e qëndrimit në këmbë gjatë hutbes, ose si vaxhib ose si kusht. Shih “El-Ummu” (1/199).

Autori (Allahu e mëshiroftë) e ka sjellë këtë hadith për dy çështje:

E para: Në hadith ka argument për ligjshmërinë e qëndrimit në këmbë gjatë mbajtjes së hutbes, dhe se duhet që hatibi të qëndrojë në këmbë gjatë kohës që mban hutben.

E dyta: E xhumaja konsiderohet e saktë me dymbëdhjetë persona. Nisur nga kjo disa dijetarë janë argumentur me këtë hadith dhe kantë thënë: Kushtëzohet për saktësimin e namazit të xhumasë që të prezantojnë në të dymbëdhjetë veta dhe më shumë. Shih “Et-Taxhu el-Iklil” (2/161).

E sakta është se e xhumaja konsiderohet e saktë me tri dhe më shumë veta, dy që dëgjojnë dhe një që ligjëron. Kjo është dhe fjala e Jusufit (nxënësit të imam Ebu Hanifes). Nisur nga kjo themi se namazi i xhumasë saktësohet me atë numër që konsiderohet dhe xhemati për namaz (pra tre veta). Kjo është origjina, pra tre ose më shumë veta. Kjo është fjala e saktë që kanë zgjedhur një grup prej dijetarëve si p.sh. dijetari i islamit Ibën Tejmije etj. nga dijetarët e thirrjes. Siç gjendet kjo dhe tek broshura e shejh Sulejman bin Abdullah bin el-imam Muhamed bin Abdulvehab dhe në fetvatë e tij.

Shkëputur me disa shkurtime nga libri: “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 1.

 

Përktheu: Unejs Sheme