NXITONI PËR VEPRA TË MIRA

October 2, 2007

NXITONI PËR VEPRA TË MIRA

Falenderimi i takon Allahut të Cilit i përketë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Ai është i Urti, i Gjithëdijshmi.

Njeriu është krijuar në këtë botë për të punuar vepra të mira që kur të ringjallet në botën tjetër të shpërblehet për punët e tij. Ai nuk është krijuar pa qëllim dhe nuk është lënë pa udhëzim, prandaj i lumturi është ai që punon për veten e tij punë të mira të cilat do ti gjejë tek Allahu e do të shpërblehet për to. Ndërsa i mjerë është ai që punon vepra të këqia e që do ta ketë edhe përfundimin të keq!

Prandaj shikojini veprat tuaja dhe llogarisni vetvetet para se të mbarojë jeta juaj, sepse vdekja është mbarimi i punëve dhe fillimi i shpërblimit.

Vdekja është afër, nuk dihet se kur zbret, edhe llogaria është e përpiktë, nuk dihet se kur do të jetë! Thinjat janë sinjalizuese për vdekjen, prandaj përgatituni për të, edhe vdekja e bashkëmoshatarëve është shenjë, prandaj priteni atë!

Kujtojeni vdekjen dhe punoni për pas saj me të gjitha mundësitë tuaja, e mos u preokuponi me gjëra që do t’i lini e do të largoheni prej tyre. Të mos ju mashtrojë shpresa e gjatë dhe e pafund që të harroni vdekjen tuaj, sepse sa prej shpresëgjatëve nuk e përmbushën atë, e sa prej atyre që gdhijnë një ditë nuk e ngrysin më! Sa ka që ngrysen por agimin nuk e arrijnë, e sa shumë janë ata që në çastin e vdekjes presin ndonjë kthim, për të rregulluar atë që prishën e për të arritur atë që humbën!

Por atyre u thuhet : eh, mjerë! a nuk ju lajmëruam njëherë, se kush vdes nuk kthehet prapa, nuk është koha e shpresave të gjata?!

Allahu i Madhëruar thotë:

O ju të cilët keni besuar, të mos ju largojnë juve fëmijët dhe pasuria juaj nga përkujtimi i Allahut, e kush vepron ashtu, atëherë ata do të jenë të shkatërruarit! E jepni nga ajo ç’ka ju ka furnizuar Allahu para se ndokujt nga ju ti vije vdekja e të thotë: Zoti im, sikur të më vonoje deri në një caktim të afërt në mënyrë që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve (të devotshmëve)! Por Allahu nuk e vonon asnjë shpirt nëse i vjen caktimi (exheli) i vet, e Ai është i Gjithëdijshëm për gjithçka punoni[1]

Për ç’do njeri punët vulosen me vdekjen e tij, por ka disa punë që i ka punuar prej të cilave njerëzit kanë dobi dhe përfitojnë prej tyre, e si rrjedhojë edhe shpërblimet e këtyre punëve i shkojnë të vdekurit në ç’do kohë. Këto punë janë të larmishme dhe përfshihet në to ç’do inicjativë e konkretizuar apo bamirësi nga të cilat përfitojnë njerëzit apo gjallesat e tjera. Mund të përmendim: pemët frutore, burimet e çesmat publike, ndërtimi i xhamive dhe shkollave, pasardhësit e mirë e të devotshëm, mësimdhënia e dijes së dobishme, botimi i librave fetare etj.

Transmetohet nga Ebu Hurejre -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Kur vdes biri i Ademit, ndërpriten punët e tij, veçse tre lloj punësh; sadakaja rrjedhëse, dija e pastër nga e cila kanë dobi njerëzit dhe duaja që bën për të fëmija i tij i mirë[2]

Ky hadith tregon se puna e njeriut ndërpritet me vdekjen e tij dhe se koha për të punuar është ajo kur ai është gjallë. Prandaj është obligim për muslimanin që të ruhet prej pavëmendësisë dhe humbjes së kohës e jetës bashkë me të. Duhet të nxitojmë në bërien e veprave të mira para se të na vijë vdekja, e të mos i vonojmë ato për një kohë që ndoshta nuk e arrijmë. Argumentet që nxisin për garimin për veprat e mira dhe për shtimin e tyre, janë të shumta dhe të japin të kuptosh se nëse nuk nxiton për to atëherë humbet rasti!

Gjithashtu hadithi tregon se disa punë vazhdojnë të jenë shpërblimdhënëse për njeriun pas vdekjes së tij, edhe për kohë shumë të gjata përderisa ato të jenë të dobishme; këto punë janë:

E para : Sadakaja rrjedhëse :

Dijetarët këtë sadaka e kanë quajtur me emrin “Vakëf bamirësie“, siç është: dhurimi i pronave të paluajtshme, ndërtimi i xhamive, i shkollave, i konvikteve, mbjellja e pemëve, botimi dhe shpërndarja e Kuranit dhe e librave të dobishëm, financimi i ujësjellësave, ndërtimi i çezmave publike etj. Pra ky është argument për lejimin e vakëfit dobiprurës dhe se kjo gjë është prej veprave më të dobishme që njeriu përgatit për veten e tij pas vdekjes. Kjo gjë është e mundshme si për dijetarët ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë.

E dyta : Dija e dobishme:

Kur njeriu u mëson njerëzve çështjet e fesësë tyre, e kjo pikë është e posaçme për dijetarët të cilët merren me përhapjen e dijes me mësimdhënie, shkrim të librave etj. Por edhe njerëzit e thjeshtë mund ti shoqërojnë dijetarët në këtë pikë duke botuar libra të dobishëm, apo me blerjen dhe shpërndarjen e tyre, apo duke i lënë ata uakf. Kjo gjë i nxit njerëzit që të mësojnë dhe ta përhapin dijen dhe u bën dobi pas vdekjes së tyre.

Dobia e dijes mbetet derisa në tokë të ekzistojë qoftë edhe nje musliman të cilit i arrin kjo dije. Sa prej dijetarëve islam kanë qindra vjet që kanë vdekur, ndërsa dija e tyre ka mbetur në librat që kanë shkruar dhe është shpërndarë nga nxënësit e tyre brez pas brezi, e ata përfitojnë prej saj?! Madje sa herë që i përmendin muslimanët, i luten Allahut për ta që t’i mëshirojë! Kjo është mirësi e Allahut të cilën ia jep kujt të dëshirojë!

Sa breza njerëzish ka shpëtuar Allahu i Madhëruar nga humbja nëpërmjet ndokujt prej dijetarëve, të cilit i arrijnë shpërblimet e tyre dhe kujtdo që ka përfituar nga ai deri në Ditën e Gjykimit.

E treta : Fëmija i mbarë e i devotshëm:

Qoftë ai djalë apo vajzë, apo fëmijët e tyre. Dobia e tyre u arrin prindërve dhe gjyshërve të tyre; qoftë ajo dua, sadaka apo kryerja e haxhit për ta. Madje edhe duaja e të tjerëve që bëjnë për një bamirësi që u bëhet nga dikush, kur e falenderojnë bamirësin duke i thënë : “Allahu i mëshiroftë prindërit tuaj” Edhe kjo u shkon prindërve të tij!

Hadithi nxit për martesë me qëllim që njeriu të lërë pas vetes fëmijë të mbarë e të devotshëm. Prandaj nuk është mirë mospëlqimi i të paturit shumë fëmijë, ashtu siç shikojmë disa njerëz që të ndikuar nga rryma të ndryshme, urrejnë shtimin e fëmijëve dhe bëjnë thirrje për kufizimin e lindjeve! Kjo ndodh për shkak të injorancës së tyre ndaj çështjeve të fesë dhe nga besimi i dobët.

Nga ky hadith kuptojmë se duhet t’i edukojmë fëmijët në mënyrën më të mirë dhe tu mësojmë atyre çështjet e fesë me qëllim që të rriten me edukatë fetare për të qenë pasardhës të mire e të devotshëm që të luten për prindërit e tyre pas vdekjes dhe që shpërblimi i punëve që kryejnë tu shkojë edhe prindërve pasi atyre u janë ndërprerë punët.

Sot, shumë prej njerëzve nuk preokupohen për këtë gjë dhe nuk merren me edukimin e fëmijëve, madje fëmijët edukohen keq. Ata lenë detyrimet fetare, bien në harame, shoqërohenme të këqinjtë, shkojnë në vende jo të denja për njerëzit e llogjikshëm, e askush nuk i ndalon nga e keqja e t’i këshillojë për mirë edhe pse këto gjëra ndodhin me dijeninë e prindërve. Por, nëse fëmijët ndikojnë në rënien ekonomike të familjes, duke shpërdorur pasurinë e prindërve, atëherë prindërit kthehen në njerëz serioz, me karakter të fortë që edukojnë fëmijët e tyre për të qenë të kujdesshëm në shpërdorimin e parave. Ruajnë dynjanë me kujdes dhe me fanatizëm dhe as u shkon ndërmend edukimi i fëmijëve me edukatë fetare për të ruajtur dhe fituar botën tjetër!

Prandaj frikësojuni Allahut ju o prindër, jini të kujdesshëm për fëmijët tuaj që ata të jenë për ju të dobishëm e të mos jenë shkatërrim. Dijeni se që fëmijët të jenë të mbarë duhet derdhur mund në edukimin e tyre, duhet durim e këmbëngulje.

Ky hadith tregon se duaja e fëmijës për vete dhe për prindërit e tij është e pranuar, prandaj le të luten ata në namaz dhe kudo, sepse kjo gjë është pjesë e respektit ndaj tyre.

Këto pika që përmenden në hadith përfshihen në Fjalën e Allahut të Madhëruar :

“S’ka dyshim se Ne i ringjallim të vdekurit dhe shkruajmë gjithçka kanë punuar dhe gjurmët e tyre”.

Pra; ato që kanë punuan në jetën e tyre kur ishin gjallë, të mirat dhe të këqiat. Ndërsa gjurmët janë rezultati i punëve të tyre prej hajrit apo sherrit.

Çfarë i arrin të vdekurit prej rezultateve të punëve të tij:

Shpërblimet e punëve të mira që punojnë të tjerët për të cilat ka qenë shkak ky person me dauan që ka bërë apo këshillat që ka dhënë.

Shpërblimet që merr për shkak të bamirësive që ka bërë dhe që janë në dobi të njerëzve.

Shpërblimet e punëve që i punon një i gjallë për këtë të vdekur siç është duaja për të, sadakaja e të tjera prej punëve të mira.

Transmeton Ibnu Maxheh se Profeti (-paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Besimtarit pas vdekjes, prej punëve që ka bërë, i shkojnë shpërblimet e: dijes që ka dhënë, fëmijës së mbarë që ka lënë, Kuranit që ka trashëguar, xhamisë që ka ndërtuar, të ndonjë shtëpie që ka përdorur për udhëtarët, të ndonjë lumi që i ka rregulluar shtratin apo të ndonjë sadakaje që ka dhënë kur ishte gjallë dhe i shëndetshëm, këto i arrijnë pas vdekjes së tij[3]

Prandaj kini kujdes – Allahu ju mëshiroftë – dhe përpiquni të bëni vepra të mira që të përfitoni prej tyre pas vdekjes tuaj.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Pasuria dhe fëmijët janë zbukurim i kësaj bote, e ndërsa të tjerat prej punëve të devotshmërisë tek Zoti yt janë më të shpërblyera dhe shpresëdhënëse”[4]

Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të Dërguarin e Allahut, me familjen dhe shokët e tij.

Autor Salih Feuzan

Përktheu Mirandi  Shehaj


[1] ) Sure Munafikunë , ajeti 10.

[2] ) Transmeton : Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Nesaiu. I saktë (Sahih).

[3] ) Transmeton Ibnu Maxheh, i Mirë (Hasen).

[4] ) Sure Kehf ; ajeti 46.

Loading...