Hadithi 2[1]
Transmetohet nga Ebu Seid el Hudrij radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Uji është i pastër (pastrues) dhe asgjë nuk e ndot atë.”
Grada e hadithit: Autentik.
Studimi i hadithit: Ebu Daudi (1/55 me nr. 67), Et Tirmidhij (1/95 me nr. 66) dhe ka thënë: “Hadith hasen”, En Nesaij (1/174), Ahmedi në “Musned” (3/15, 31 dhe 86), Esh Shafij në “El Ummu” (1/23) dhe në “Tertibul musned” (1/21 me nr. 35), Ibën el Xharud në “El Munteka” me nr. (47), Et Tahauij në “Sherh meanil athar” (1/11), Ed Darakutnij (1/29 me nr. 10), El Bejhakij (1/4 dhe 257), El Begauij në “Sherh es Sunneh” (2/61) dhe ka thënë: “hadithi është hasenun sahih” dhe Ibën Ebi Shejbeh në “El Musanef” (1/142) dhe (14/160). Hadithin e kanë saktësuar imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!)[2], imam En Neueuij (Allahu e mëshiroftë!)[3] dhe imam Albani (Allahu e mëshiroftë!)[4]
Transmetuesi i hadithi: Ebu Seid el Hudrij radijAllahu anhu. Emri i tij është Sad bin Malik. Edh Dhehebiju (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Ka qenë prej dijetarëve të sahabëve dhe ka prezantuar “Biah esh shexherah.”[5] Ka transmetuar shumë hadithe[6] dhe ka dhënë fetva për një kohë të gjatë. Ka jetuar 86 vjet dhe ka vdekur në vitin 74.
Shkaku i hadithit: Të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i thanë: A të marrim abdes prej pusit “Budaah”, në të cilin hidhen leckat e grave me menstruacione dhe qentë e ngordhur? Tha: “Uji është i pastërt (pastrues).”
Dobi që përfitohen nga hadithi:
1. Ky hadith quhet “Hadithi i pusit Budaah”.
2. Origjina tek uji është pastërtia (se ai është i pastër), bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Me të vërtetë uji është i pastërt.” Nëse kemi dyshime për ujin a është i pastër apo i papastër? (Themi) Ai është i pastër.[7]
3. Uji është i pastërt derisa papastërtia nuk i ndryshon atij një prej tri cilësive: “Erën, shijen dhe ngjyrën.” Qoftë kjo nëse është i shumtë apo i pakët. Kjo është fjala e imam Malikut (Allahu e mëshiroftë!) dhe Dhahirijeve. Es San’ani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Subul” thotë: Nuk gjendet argument në lidhje me dallimin mes (ujit) të pakët dhe të shumtë. Ky është dhe mendimi i shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe Ibnul Kajjimit (Allahu e mëshiroftë!). Hanefitë dhe shafitë janë të mendimit se uji nëse është i pakët, papastërtia e dëmton atë, ndërsa nëse është i shumtë nuk e dëmton atë papastërtia vetëm nëse ndryshon një prej tri cilësive të tij.[8]
4. Hadithi transmetuar nga Ebu Umameh el Bahilij radijAllahu anhu: “Me të vërtetë ujin nuk e ndotë asgjë, përveç rasteve kur mbi ujë dominon ndyrësia me erën e saj, me shijen e me ngjyrën e saj” është daif me këtë përjashtim (me ngjyrën e zezë).[9]
Imam En Neueuij (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dijetarët e hadithit janë në konsensus për dobësinë e këtij hadithi.”
Përktheu: Unejs Sheme
[1] Këto janë disa hadithe të shkëputur nga libri “Bulugul Meram” e të pajisur me shpjegim përmbledhës dhe të dobishëm nga shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) dhe Muhamed Lukman es Selefij.
[2] “Et telhis” (1/13).
[3] “El Mexhmuu” (1/82).
[4] “El Irva” me nr. (14) dhe “Sahihul Xhami” (6640).
[5] Besa që iu dha Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
[6] Te dy librat e saktë të hadithit (Buhariu dhe Muslimi) gjendet 84 hadithe të transmetuar prej tij.
[7] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Fet’hu dhil xhelali uel ikram” vëll. 1
[8] Muhamed Lukman es Selefij
[9] Kanë gjykuar për dobësinë e tij Ebu Hatim dhe shejh Albani (Allahu i mëshiroftë të dy!) në “Daiful xhami” (5899).
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve