Pastrimi i tokës së ndotur

September 5, 2020

Pastrimi i tokës së ndotur

(Hadithi 12 nga libri “Bulugul Meram”)

12 – Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: Një beduin erdhi dhe urinoi në një pjesë të xhamisë dhe menjëherë njerëzit nisën t’a qortonin, por Profeti (Paqja qoftë mbi të) i ndaloi ata. Kur mbaroi së urinuari, Profeti i (Paqja qoftë mbi të) urdhëroi të sillej një kovë me ujë dhe të hidhej mbi të.

Buhariu (Nr.221) dhe Muslimi (Nr.284).

BIOGRAFIA E ENESIT (Allahu qoftë i kënaqur me të)

Enesi ishte nga banorët e Medines, prej fisit Hazrexh. Ai i shërbeu Profetit (Paqja  e Zotit qoftë mbi të) nga koha që ai u vendos në Medine e deri kur u nda nga kjo botë. Në kohën kur Profeti u vendos në Medine, Enesi ishte përafërsisht dhjetë vjeç. Në kohën e Umerit ai u vendos në Basra ku u angazhua me edukimin dhe mësimin e njerëzve mbi dispozitat e fesë. Ishte sahabiu i fundit që ndërroi jetë në Basra. Vdiq në vitin 91 ose 93 sipas hixhretit, në moshën 99 ose 103 vjeçare.

DOBITË E PËRFITUARA NGA KY HADITH:

1 – Urina e njeriut është e pistë, gjë për të cilën nuk ka asnjë dilemë midis shkollave juridike Islame.

2 – Ajo pjesë e tokës e cila është bërë pis nga ndonjë ndytësi, pastrohet nëpërmjet hedhjes së ujit të bollshëm apo nëpërmjet rënies së shirave të bollshme mbi të.

3 – Mirëmbajtja e xhamive dhe pastrimi i tyre është detyrë mbi muslimanët.

4 – Butësia në ndalimin e të paditurit nga kryerja e diçkaje të keqe është prej etikës Islame.

5 – Morali i lartë i Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe mirësjellja e tij me njerëzit.

6 – Shmangia e dëmit të madh ka përparësi ndaj dëmit të vogël. Nëse sahabët do të kishin tentuar t’a ndalonin atë njeri nga kryerja e urinës, duke qenë se ai kishte filluar të urinonte, atëherë do të ndotej një sipërfaqe më e madhe e xhamisë.  Po ashtu do të ndoteshin rrobat e tij gjatë ikjes apo të dikujt tjetër.

 

Burimet:Bulugul Meram”, “Subulus-Selam” dhe “El Meusuah el Fikhijjeh el Kuvejtijjeh”.

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

 

 

Loading...