Porosi profetike

February 2, 2016

Një burrë e pyeti Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Në çfarë thërret ti? – ai ju përgjigj – Unë ftoj për tek Allahu i vetëm, i Cili nëse të godet nonjë fatkeqësi dhe i lutesh, Ai e largon atë prej teje dhe, i Cili nëse ti humbet në një tokë të shkretë dhe i lutesh Atij, Ai të përgjigjet dhe, i Cili nëse të godet ndonjë thatësi dhe i lutesh Atij Ai bën të mbijnë bimët.

– I thashë: Më porosit – tha – Mos shaj kurrë askënd! Dhe mos u trego asket ndaj veprave të mira, qoftë edhe ta takosh vëllanë tënd me fytyrë të qeshur, të çelur; po qoftë edhe të zbrasësh (ujë) nga kova jote te kova e dikujt tjetër. Dhe rroba jote e poshtme le të jetë deri te gjysma e kërcirit tënd, e nëse nuk të pëlqen aq atëherë deri tek kyçet e këmbëve. Dhe ki kujdes nga lëshimi i rrobës tënde poshtë kyçit, sepse lëshimi i rrobës poshtë kyçit është prej mendjemadhësisë dhe Allahu nuk e do mendjemadhësinë” Ahmedi (Sahihah: 420)

Ndërsa në një transmetim tjetër gjithashtu tek Imam Ahmedi, është përmendur edhe emri i sahabit që pyeti dhe, një shtesë e bukur prej fjalëve të tij, që tregon edukatën e madhe me të cilën u edukuan ata burra fisnikë prej atij edukatori të madh – Lavdërimi dhe paqja e Zotit tim qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Nga Xhabir ibn Sulejm el Huxhejmi përcillet se ka thënë: Shkova tek i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe e gjeta atë të ulur me kofshët të ngjitura te barku i tij, të lidhur me një rrobë pas mesit dhe anët e asaj rrobe i kishte lëshuar te këmbët e tij. Thashë: Kush prej jush është Muhamedi i Dërguari i Allahut? – Ai bëri me shenjë nga vetja e tij. – Atëherë i thashë: O i Dërguari i Allahut, unë jam banor i shkretëtirës dhe kam ashpërsinë e tyre, prandaj më porosit!

– Ai më tha: Mos nënçmo asgjë prej veprave të mira, qoftë edhe ta takosh vëllanë tënd me fytyrë të qeshur, qoftë edhe të hedhësh ujë nga ena jote tek ena e atij që po mbush ujë. E nëse ndonjëri të shan me diçka që e di për ty, ti mos e shaj me diçka që e di tek ai, sepse ti do të kesh shpërblimin e tij dhe ai do të ketë gjynahun e tij. Dhe bëj kujdes nga zgjatja e rrobës poshtë kyçit të këmbës, sepse zgjatja e rrobës poshtë kyçit të këmbës është prej mendjemadhësisë dhe Allahu nuk e do mendjemadhësinë. Dhe kurrsesi mos shaj askënd! – tha – Nuk kam sharë pas kësaj askënd, madje as dele e as deve.”
(Sahihah: 770)

Loading...