Porosi të çmuara në edukimin e fëmijëve

October 21, 2024

📜 Porosi të çmuara në edukimin e fëmijëve

Një person të cilin babai i tij nuk e ka mësuar të flasë mirë, zakonisht krijon probleme kudo që shkon. Në të kaluarën, kur dikush merrte një post të lartë publik, si për shembull në kalifat, dhe i duhej të fliste para popullit, trashëgimtari i fronit duhej të merrte mësime nga dijetarët për t’u edukuar. Ai duhej të ishte i njohur me poezinë, gjuhën dhe se si të sillej me njerëzit, duke u shprehur me elokuencë.

Për shembull, një herë kalifi Ma’mun ishte me një burrë që kishte sjellë djalin e tij të vogël, rreth nëntë vjeç. Ma’muni kishte vënë një unazë mbretërore dhe duke biseduar me djalin e vogël, e pyeti: “A ke parë ndonjëherë diçka më të bukur se kjo unazë?” Djali u përgjigj: “Po, gishti që e mban atë.” Ma’muni u habit nga zgjuarsia e fëmijës. Si mundet një djalë nëntë vjeçar të flasë kështu? Kjo tregon se ai ishte edukuar mirë nga babai i tij. Fjalët e mira tregojnë për një mendje të mprehtë dhe të zhvilluar.

Prandaj, kur ti rritni fëmijën tuaj, duhet të kërkoni për njerëz që jo vetëm ta mësojnë, por ta edukojnë atë. Nuk është e mjaftueshme që ai të mësojë vetëm anglisht, gjeografi apo histori dhe të rritet pa një edukatë të mirë. Kur kërkoni dikë që të mësojë fëmijën tuaj, duhet të gjeni dikë që ka edukatë, që të mund t’ia transmetojë fëmijës. Nuk është gjithmonë çështje e forcës së mësimeve teorike, por edhe e kulturës së mirësjelljes që përcillet tek ai.

Nëse fëmija juaj mëson Kuranin, është shumë e rëndësishme që mësuesi i tij të jetë një person me karakter të mirë, që t’i mësojë atij sjelljen e mirë bashkë me diturinë fetare. Harun al-Rashidi, për shembull, kur emëronte mësues për fëmijët e tij që do të trashëgonin kalifatin, vendoste edhe një njeri të fshehtë për të monitoruar sjelljen e mësuesve me fëmijët. Kjo ishte për tu siguruar që mësuesit të mos ndikonin negativisht mbi fëmijët përmes trajtimeve të padenja apo interesave personale.

Një herë, dijetari Esmai po përpiqej të ngrihej dhe kishte hequr sandalet e tij. Dy nga princat garuan për t’i sjellë sandalet dhe secili këmbëngulte për të kryer këtë shërbim. Një nga njerëzit e fshehtë që monitoronte këtë situatë, e raportoi atë tek Harun al-Rashidi. Më vonë, Haruni i tha Esmait: “Kush është njeriu më i nderuar?” Esmai u përgjigj: “Emiri i besimtarëve.” Haruni i tha: “Jo, më i nderuari është ai për të cilin dy trashëgimtarë e fronti garojnë për t’ia veshur sandalet.”

Pra, dituria nuk mund të përfitohet pa edukatë. Dijetarët e mëparshëm, si el-Khatib el-Bagdadi, kanë thënë se dituria pa edukatë është si zjarri pa dru. Dijen nuk mund ta arrish plotësisht pa respekt dhe dinjitet. Ky është një parim që quhet nga dijetarēt “politika e dijes”.
Për shembull, nëse një mësues është në një xhami duke i mësuar studentët dhe më pas vendos të luajë futboll me ta, ai humbet autoritetin dhe respektin e tij. Nuk ka rëndësi sa dijetar është, nëse humb dinjitetin, dituria e tij nuk do të përçohet plotësisht.

Mësimi i dijes duhet të jetë gjithmonë i shoqëruar me një ndjenjë respekti dhe edukate. Ibn Hazmi, për shembull, megjithëse ishte një dijetar i madh, nuk arriti të menaxhojë dijen e tij me edukatë dhe shumë nga dijet e tij u zhdukën për këtë arsye. Ai kritikonte shumë dijetarë të njohur të kohës së tij dhe kjo bëri që disa njerëz ta refuzonin dhe të djegin veprat e tij. Vetëm një pjesë e vogël e veprave të tij mbijetoi deri në ditët tona, edhe pse ai kishte shkruar shumë.

Disa njerëz përpiqen të bëjnë gjëra si lojëra në xhami për fëmijët, me qëllim që ata të shkojnë për të falur namazin, por kjo është një qasje e gabuar. Xhamia ka një dinjitet dhe një qëllim të caktuar dhe nuk duhet ta përzieni atë me aktivitete që nuk i përshtaten natyrës së saj.

Pra, në përfundim, edukata është thelbësore për të mësuar dhe për të përcjellë dijen. Sidomos nëse dikush ka për detyrë të edukohet dhe të shprehë mendimet e tij me elokuencë, duhet të kultivojë në vetvete edukatën e fjalës dhe të sjelljes, që vjen nga leximi dhe njohja e letërsisë dhe poezisë klasike arabe.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...