Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nuk është përkushtim ndaj Allahut se ju e ktheni fytyrën drejt lindjes apo perëndimit (në falje), por përkushtimi është (cilësi e atij që); beson në Allahun, në ditën e fundit, në melekët, në librin, në pejgamberët, e jep pasurinë e tij pavarësisht nga dashuria për të; të afërmve, jetimëve, të varfërve, endacakut dhe kujtdo që kërkon, (e jep edhe) për të liruar robërit, kryen faljen e namazit dhe jep zekatin. Ata të cilët përmbushin premtimin kur e japin atë, të cilët janë të duruar në varfëri të thellë, në sëmundje, si dhe në kohën e luftimit (në fushën e betejës). Këta janë njerëzit e së vërtetës dhe këta janë el muttekunët (të përkushtuarit në besimin e pastër Islam).” |Bekare: 177|
Gjithashtu transmetohet nga Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:
“Një ditë ishim të ulur duke ndenjur tek i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërkohë u shfaq një person me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj, e ai nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se ishte udhëtar. Atë nuk e njohu asnjëri prej nesh.
Pastaj u ul pranë Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i mbështeti gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart në kofshët e tij dhe tha:
O Muhamed, më trego se çfarë është Islami?
Ai iu përgjigj dukë thënë:
Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të vizitosh Qaben nëse ke mundësi.
Ai tha: ‘The të vërtetën.’ Ne u çuditëm sepse po e pyeste dhe ndërkohë po i vërtetonte fjalët e tij.
Pastaj e pyeti: Më trego ç’është imani (besimi)?
Ai ia ktheu: Të besosh Allahun, engjëjt (melaiket) e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e gjykimit, dhe të besosh në caktimin (kaderin) e Tij i mirë apo i keq qoftë ai.
Ai tha: ‘The të vërtetën.’
Pastaj e pyeti:Më trego ç’është ihsani (mirësia)?
Ai iu përgjigj: Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh Ai me të vërtet që të sheh ty.
Pastaj e pyeti: Më trego se kur do të ndodhë dita e gjykimit?
I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ia ktheu: I pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.
Ai i tha: Atëherë me trego disa prej shenjave të saj.
I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, iu përgjigj: Kur robëresha të lindë zonjën e saj, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të varfër të garojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta.
Pastaj ai personi u largua, e unë qëndrova pak.
Më pas i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mu drejtua:
O Umer, a e di se kush ishte pyetësi?
Iu përgjigja:
Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.
Ai ma ktheu:
Ai ishte Xhibrili, erdhi me qëllim që t’ju mësojë fenë tuaj.” Transmeton Muslimi me nr. 8.
Shpjegimi:
Besimi ka disa baza mbi të cilat ngrihet dhe nuk qëndron pa to. Xhibrili e pyeti Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ashtu që ta mësonte umetin (popullin, pasuesit) e tij t’i memorizonin dhe t’i ruanin këto baza si pasojë e rëndësisë së tyre. Këto baza janë gjashtë shtyllat e besimit të cilat janë përmendur në këtë hadith madhështor (hadithin e Xhibrilit).
Dobitë:
- Besimi (imani) bazohet mbi gjashtë shtylla dhe nuk qëndron pa to.
- Këto shtylla janë: të besosh All-llahun, engjëjt (melaiket) e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e gjykimit, dhe të besosh në caktimin (kaderin) e Tij.
- Ai i cili mohon ndonjërën prej këtyre shtyllave konsiderohet mosbesimtar.
Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.
Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve