Pse në Ramazan lehtësohen punët e mira?

May 30, 2016

Pse në Ramazan lehtësohen punët e mira?

Përgjigjja është te fjala e profetit alejhi selam i cili thotë: “Në natën e parë të Ramazanit lidhen shejtanët dhe xhinët e tërbuar, mbyllen portat e zjarrit dhe nuk hapet asnjë portë, hapen portat e xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë portë dhe thërret një thirrës: O ti që do të mirën, nisu! O ti që do të keqën, largohu!” e transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

Ky hadith përmban katër njoftime:

1- Lidhja e shejtanëve. Shejtan në gjuhen arabe dmth: i keq në sjellje me dhunë, egërsi dhe ashpërsi. Shejtan me këtë kuptim quhen edhe njerëzit, edhe xhinët, edhe kafshët siç thotë Allahu në Kuran: “Ne kështu i kemi bërë çdo profeti armiq prej shejtanëve të njerëzve dhe xhinëve të cilët frymëzonin njëri-tjetrin me fjalë të zbukuruara mashtruese.” Suretu el-Enam: 142.

Ibn Abd-ul-berr thotë: “Xhinët te dijetarët dhe gjuhëtarët ndahen në xhin emri i përgjithshëm, ata që banojnë mes njerëzve Amir (banues), ata që u shfaqen fëmijëve Eruah (shpirtra), ata të këqijtë me sherr shejtanë, pastaj ata që janë më shumë të këqij quhen marid (i tërbuar) dhe pastaj ata që janë shumë shumë të këqij Ifritët.” Pra, jo të gjithë shejtanët lidhen në Ramazan prandaj edhe vesvesja ngelet, mirëpo edhe kaq mjafton që të lehtësohen njerëzit nga armiqtë e tyre më të egër siç thotë Allahu në kuran: “A nuk jua kam marrë besën o bijtë e Ademit që të mos e adhuroni shejtanin se ai është për ju një armik i qartë” suretu Jasin: 60.

Fakti që njerëzit janë më të dhënë për në punët e mira në Ramazan se çdo herë tjetër dëshmon për këtë lehtësim u bëhet atyre në këtë muaj me lidhje e shejtanëve të tërbuar.

2- Mbyllja e portave të zjarrit. Jemi njoftuar se xhehenemi ka shtatë porta siç është përmendur në kuran: “Xhehenemi është vendi i tyre i premtuar * Ai ka shtatë porta, secila prej tyre ka pjesën e saj të caktuar” suretu El-Hixhr: 43-44.

Nuk dimë gjë rreth emrave të tyre por nëse portat e xhenetit janë për punët e mira edhe portat e xhehenemit janë për punët e këqija.

3- Hapja e portave të xhenetit. Jemi njoftuar se xheneti ka tetë porta dhe katër prej këtyre portave janë përmendur në një hadith ku Ebu Hurejra -radiallahu anhu- thotë kam dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: “Kush jep një çift gjërash çfarëdo qoftë në rrugën e Allahut thirret nga portat e xhenetit: o rob i Allahut kjo është më e mirë për ty. Kush është prej namazlive thirret nga porta e namazit. Kush është prej njerëzve të xhihadit thirret nga porta e xhihadit.

Kush është prej njerëzve të sadakasë thirret nga porta e sadakasë. Kush është prej agjëruesve thirret nga porta e Rejanit. Atëherë Ebu Bekri tha: Secili që thirret nga ato porta e ka të detyrueshme të kalojë prej asaj porte. A thirret kush që thirret prej të gjitha portave? Ai i tha: Po. Dhe shpresoj të jesh ti, o Ebu Bekr” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Këto janë katër porta dhe e pesta prej tyre ka ardhur e përmendur në vete në hadithin e shefatit se ditën e kiametit do ti thuhet profetit alejhi selam: “O Muhamed! Fut në xhenet prej ymetit tënd ata të cilët nuk kanë llogari nga porta e djathtë prej portave të xhenetit dhe ata janë ortakë të njerëzve në portat tjera” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Ndërsa për të tjerat shumë dijetarë mendojnë se ka një portë që quhet porta e atyre që nuk e shfaqin zemërimin dhe falin njerëzit dhe kjo është e gjashta. Kurse për të shtatën dhe të tetën janë dhënë mendime të ndryshme se mund të jenë për dy nga këto punë: për haxhin, për pendimin, për përmendjen e Allahut dhe për dijen.

4- Thirrja për në të mira. Këtë thirrës edhe pse nuk e dëgjojmë e ndjejmë në zemrat tona dhe na bën të jemi më të përkushtuar në adhurim.

Dr Abdullah Nabolli

 

Loading...