Pse nuk na i ka treguar Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, kohën kur do të ndodhë Kijameti?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Së pari: Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk na ka treguar se kur do të ndodhë kijameti, sepse ai nuk e dinte as vet se kur do të ndodhë ai (për këtë ka shumë ajete nga Kurani dhe shumë hadithe autentike.)
Së dyti: Nëse thuhet: Pse Allahu nuk na i tregoi kohën kur do të ndodhë Kijameti?
Themi: Urtësia e kërkon që koha se kur do të ndodhë kijameti të mbahet e fshehur.
Pra, ekziston një urtësi e madhe në fshehjen e kohës se kur do të ndodhë kijameti, njësoj sikurse ka urtësi në fshehjen që Allahu i ka bërë kohës se kur do t’i vijë vdekja njeriut.
El-Alusi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Allahu e ka fshehur kohën e ndodhisë së Kijametit sepse urtësia dhe arsyeja legjislative e kërkojnë që kjo të jetë kështu (e fshehur). Kjo është më e efektshme në thirrjen e njerëzve që t’i binden Atij dhe më efikase për t’i penguar nga kundërshtimi (mëkati). Në mënyrë të ngjashme Allahu e ka fshehur edhe jetëgjatësinë e secilit person. Ajetet tregojnë se Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, nuk e dinte se kur do të ndodhë kijameti. Po, në terma të përgjithshme ai e dinte se koha e kijametit ishte afër dhe ai, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na tregoi për këtë.
“Kështu që besimtarët duhet të kenë frikë nga ajo ditë dhe frika e tyre duhet t’i bëjë të vetëdijshëm se Allahu është gjithnjë duke i parë për atë që bëjnë. Prandaj duhet t’i përmbahen asaj që është e vërtetë dhe të kërkojnë atë që është e mirë, t’i frikësohen së keqes dhe mëkatit dhe jo t’a kthejnë çështjen e Kijametit në qendër të mosmarrëveshjeve dhe polemikave.” “Tefsir el-Menar”.
Prej mëshirës së Allahut ndaj krijesave të Tij është se u ka treguar atyre për shenjat që sinjalizojnë afrimin e Kijametit, në mënyrë që kjo t’i motivojë në kryerjen e veprave të mira, në devotshmëri dhe në shmangien prej haramit. Sa herë që ata shohin njërën prej shenjave (të kijametit) duke u realizuar, frika e tyre nga Kijameti dhe tmerret e tij shtohen. Bindja se kijameti është afër bëhet më prezente kështu që ata përgatiten për atë ditë duke bërë më shumë vepra të mira.
Allahu i Lartësuar thotë: “A presin ata (diçka) tjetër përveç Kijametit që t’u vijë papritmas? Por disa nga shenjat e tij (indikacionet dhe shenjat) tashmë kanë ardhur. ” |Muhamed: 18|
Këtë e tregon edhe hadithi i transmetuar tek Muslimi me nr. 2947 se Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shpejtoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin gjashtë gjëra: lindja e diellit nga perëndimi , tymi, Dexhali, kafsha e tokës, ajo që do t’i vijë secilit prej jush (vdekja) dhe ajo që do t’i prekë të gjithë (Kijameti).”
Kjo do të thotë: Paraprijini gjashtë shenjave që tregojnë për afrimin e Kijametit, nxitoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin, sepse veprat e mira që bëhen pasi këto shenja të shfaqen nuk do të pranohen dhe nuk do të merren në konsideratë.
Fjala e Profetit, alejhi selam: “Ajo që do t’i vijë secilit prej jush vetëm” – i referohet vdekjes. “Ajo që do ti prekë të gjithë” – ka për qëllim Kijametin.
Kadi Ijadi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ai (Profeti) i urdhëroi të shpejtojnë në kryerjen e veprave të mira para se të ndodhin këto shenja, sepse kur të vijnë njerëzit do të stepen dhe do të hutohen nga veprat e mira, ose do t’u mbyllet dera e pendimit dhe e pranimit të veprave.
El Alai ka thënë: Qëllimi i këtyre transmetimeve është të na inkurajojnë të fillojmë të bëjmë vepra të mira para se të vdesim, si dhe të shfrytëzojmë kohën më të mirë para se të afrojë fatkeqësia.
E lusim Allahun të na ndihmojë në shfrytëzimin e kohëve më të mira në bindjen ndaj Tij!
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Profetët
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli