Pyetje nga burgjet e Rusisë, drejtuar shejkhut të Jordanisë.

Thotë shejkh Mesh’huri: Ka ardhur një letër nga vëllezërit tanë në Rusi. Ata thonë: Falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve. Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij besnik. Shejkhu ynë! Allahu ju dhëntë mirësi dhe na bëftë dobi me ju. Kjo është një pyetje nga burgjet e Rusisë.

Pyetja: Cili është mendimi i dijetarëve të fikhut, njësues të Allahut dhe dijetarëve edukatorë, në çështjet e mëposhtme:

Ai që është në burg a konsiderohet udhëtar dhe ka gjykimin e tij në çdo çështje? Dhe a zbatohet në këtë rast fjala e Umerit – radijallahu anhu: Faleni xhumani kudo qofshit?

(Prej gjërave të bukura që u përmendën në këtë fetva ishin) :

Mendimi i hanefive – i cili është edhe mendimi i Shejkhul Islam Ibn Tejmijes – është se: Shkurtimi i namazit (për atë që plotëson kushtet e tij) është detyrim, dhe ai që nuk e shkurton namazin në këtë rast ka gjynah, por namazi i tij është i saktë. Ndërsa mendimi i xhumhurit (shumicës së dijetarëve) është se ai është lehtësim (sunet) dhe jo i detyrueshëm.

Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – fillimisht burgoste në xhami. I pari që posaçëroi një vend për të burgosurit ishte Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili bleu një shtëpi dhe e bëri atë burg të veçantë.

Gjithë bota krenohet me dijetarët tanë, përveç ne muslimanëve. “Të përparuarit” (“të civilizuarit”) prej nesh i luftojnë dijetarët tanë dhe trashëgiminë tonë! Dhe tek Allahu ankohemi!

Të parët që folën në mënyrë të shtjelluar për të drejtat e të burgosurve janë dijetarët tanë – Allahu i mëshiroftë! Sidomos imam Muhammed ibnul Hasen esh-Shejbanij) dhe Kadij (gjykatësi) Ebu Jusuf Ja’kub ibn Ibrahim (dy nxënësit e imam Ebu Hanifes) Allahu i mëshiroftë! I pari në librin e tij “Es sijer” ndërsa i dyti në librin “El kharaxh” (Haraçi).

Kanë përmendur se:

  1. Është e drejta e të burgosurit që të dalë për të falur namazin e xhumasë. Të dalë nga burgu për në xhami. (Ose ajo që ndodh sot, ku xhamia është brenda burgut)
  2. Dhe është e drejta e tij që të veçohet me gruan e tij dhe të plotësojë kënaqësinë bashkëshortore me të. Dhe për këtë i sistemohet një vend larg nga sytë e njerëzve.
  3. Kanë thënë gjithashtu se ka të drejtë t’i mësohet një zanat, që të jetojë nëpërmjet tij. Dmth është e drejta e të burgosurit ndaj atij që e burgos, që t’i mësojë një zanat.

Më thirri një herë një organizatë në Gjenevë (Zvicër) për një simpozium me temë: “Të drejtat e njeriut”. Kjo organizatë quhet: “Muhammed ibnul Hasen esh Shejbanij për të drejtat e njeriut”! Organizatë perëndimore që e njeh Muhammed ibnul Hasen esh Shejbanin, ndërsa shumë prej nxënësve të dijes nuk e njohin atë!

Kështu pra i burgosuri e fal namazin të plotë (jo të shkurtuar), për sa kohë ai është në një vend  ai konsiderohet vendali, falet me xhemat dhe fal xhumanë. Umeri i shkroi Ebu Musa el Esh’ariut dhe i tha: “Faleni xhumanë kudo që të jeni”!

Dhe dikur dijetarët thoshin se: Është detyrë që të dalë i burgosuri për të falur xhumanë në xhamitë e muslimanëve. Por sot nuk mund të realizohet kjo. Dhe për këtë tregohet një histori e bukur.

U burgos një dijetar i quajtur El Buuejtij në kohën e fitnes së krijimit të Kuranit, gjatë sundimit të El Uathik. Ky dijetar dilte për të falur xhumanë dhe thoshte: “O Allah unë iu përgjigja thirrësit Tënd, por ata më penguan (nga falja e xhumasë).” Pasi dilte çdo të xhuma dhe e gjente të mbyllur (me sa duket: portën e qelisë së burgut, dmth nuk e lejonin të dilte nga burgu për të falur xhumanë), thoshte ato fjalë. (Dhe siç kuptohet, ky dijetar ka pasur për qëllim fjalën e Allahut të Lartësuar në suren Xhumuah: “O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për namaz ditën e xhuma, ecni për atje ku përmendet Allahu…”)

Ndërsa një dijetar tjetër, Muhammed ibn Eslem et Tuusij kur e pyeti dikush prej nxënësve të tij se si po jeton në burg, ai iu përgjigj: “Mua më kanë zbritur disa fatkeqësi: gjendem në një vend ku nuk mund të zbatoj shumë detyrime dhe të drejta që kanë njerëzit ndaj meje. Nuk fal dot xhumanë!  Nuk urdhëroj dot për të mirë dhe nuk ndaloj dot nga e keqja! Nuk vizitoj dot të sëmurin dhe nuk interesohem dot për nevojat që kanë vëllezërit e mi!” Kur i arritën këto fjalë sundimtarit Abdullah ibn Tahir tha: “Pasha Allahun ne kemi nevojë për këtë, prandaj lirojeni nga burgu”!

Pasha Allahun ne kemi nevojë për një si ky! Kur burgoset një njeri si ky, kjo gjë ndikon dukshëm në shoqëri, mungesa e tij lë gjurmë në shoqëri, prandaj urdhëroi që ta nxirrnin nga burgu (ashtu që të vazhdonte misionin e tij fisnik të përmirësimit të shoqërisë).

E rëndësishme është se nëse i burgosuri ka mundësi ta falë namazin e xhumasë ajo bëhet detyrë për të. Dhe nuk është kusht për faljen e xhumasë të jesh në një fshat (qytet), apo qëndrimi në një vend ku ka një kadi (gjykatës), apo qëndrimi në një vend ku ka treg, siç thonë disa prej dijetarëve. (Xhumaja falet kudo që të jesh, nëse janë dy veta e sipër)

Dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri.