Qëndrimi Aty ku nuk Përmendet Allahu

January 20, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” | Surja Kaf: 18 |

Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kush ulet diku e nuk e përmend Allahun, ai do të ketë një ndjenjë keqardhjeje (në ditën e gjykimit – sh.p.). Dhe ai i cili shtrihet diku e nuk e përmend Allahun, ai gjithashtu do të ketë një ndjenjë keqardhjeje.” Transmeton Ebu Daudi me nr. 4856, dhe e ka saktësuar shejh Albani në “El-Mishkeh” 2/703.

Transmetohet nga Ebu Hurejrja se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Secili që ulet diku e nuk e përmend Allahun e as që dërgon salavate (lutje mëshire) për Pejgamberin, ai do të ketë një ndjenjë keqardhjeje. Nëse dëshiron Allahu do ta dënojë atë, e nëse dëshiron do ta falë atë.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 3380, dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul Xhemi” me nr. 5608.

Transmetohet nga Ibën Umeri se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos flisni shumë pa e përmendur Allahun sepse kjo gjë e ngurtëson zemrën. Ndërkohë që njeriu më i larguar nga Allahu është ai që e ka zemrën e ngurtë.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 2411, dhe e ka cilësuar si të mirë Shuajb Arnauti në “Xhemiul Usul” 11/737.

Shpjegimi:

Njerëzit domosdo mblidhen e diskutojnë me njëri-tjetrin në kuvende e mbledhje të ndryshme. Mbledhjet më të mira në mesin e njerëzve janë ato në të cilat përmendet Allahu i Madhëruar. Ndërsa ato mbledhje në të cilat nuk përmendet Ai e as nuk bihet salavat (lutje mëshire) mbi Pejgamberin e Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, janë të nënçmuara. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka paralajmëruar nga këtondodhi, e na ka treguar se në ditën e gjykimit njeriu do të ketë një ndjenjë keqardhjeje sepse ka humbur kohën e tij me diçka jo të dobishme. Ai na ka lajmëruar gjithashtu se kjo vepër është shkak për ngurtësimin e zemrës, gjë që e bën zemrën të mos zbutet kur dëgjohet përkujtimi e mos t’i përgjigjet atij.

Dobitë:

  • Paralajmërimi nga të folurit e shumtë pa përmendur Allahun e Madhëruar, ku mund të futet;  kërkimi i faljes (istigfari), kërkimi i dijes, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.
  • Obligueshmëria e pasjes kujdes nga mbledhjet ku nuk përmendet Allahu, dhe nxitja drejt mexhliseve e mbledhjeve ku përmendet Allahu.
  • Të folurit e shumtë pa përmendjen e Allahut çon drejt ngurtësimit të zemrës.

 

 Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...