Ehlu suneti dhe xhemati beson se të gjitha gjynahet përveç shirkut (t’i shoqërosh shok Allahut) nuk e nxjerrin muslimanin nga feja islame, vetëm nëse i lejon ato (pra beson se nuk janë të ndaluara në Islam) duke i vepruar dhe duke i besuar se janë të lejuara, apo duke besuar se janë të lejuara edhe nëse nuk i vepron ato. Ai del nga Islami nëse i lejon ato sepse ka përgënjeshtruar Kuranin dhe të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ky është mohim i Kuranit, sunetit dhe unanimitetit të dijetarëve.
Gjynahet të cilat janë në gradë më të ulët se shirku nuk e fusin vepruesin e tyre përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Padyshim që Allahu nuk fal t’i bëhen Atij shokë në adhurim, por Ai fal përveç kësaj.” |Nisa: 48|
Ai që vepron gjynahe të mëdha është nën dëshirën e Allahut të Madhëruar. Nëse do e fal atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij, e nëse do e fut në zjarr sipas mëkateve të tij për ta pastruar nga to. Pastaj e nxjerr nga zjarri si shkak i teuhidit të tij dhe e fut në xhenet.
Allahu ka përmendur në librin e Tij disa gjynahe të mëdha si vrasja dhe imoraliteti, si dhe u ka pohuar besimin atyre që i veprojnë. Ata janë besimtarë me imanin e tyre, të prishur me gjynahun e tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar! U është detyruar kisasi (ligji i barazisë në ndëshkim) në rast vrasje: i lirin për të lirin, robi për robin dhe femra për femrën. Por nëse vrasësi falet nga vëllai (ose të afërmit e tij) i viktimës kundrejt pagesës (si shlyerje) së gjakut, atëherë edhe pagesa e shlyerjes së gjakut trashëguesit të viktimës duhet të bëhet me ndershmëri.” |Bekare: 178| Pra, i ka pohuar besimin vrasësit dhe viktimës që janë prej besimtarëve, dhe i ka pohuar gjithashtu vëllazërinë e besimit.
Nuk ka ndonjë kundërshtim mes emërtimit të veprës apo vepruesit të saj me fisk (shthurje, dalje nga rruga e Allahut), dhe mes emërtimit të vepruesit të saj musliman e praktikimit të rregullave të muslimanëve me të. Tregimi i sahabiut Abdullah Himar të cilin e transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij, është shumë e qartë në lidhje me këtë pikë. Abdullah Himar piu alkool dhe pastaj u dërgua për tek Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Një nga sahabët tha: “Allahu e mallkoftë! Sa shpesh e sjellin (ngaqë pinte alkool shpesh)! Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ia ktheu: Mos e mallko! Me të vërtetë që ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” Pra, ai nuk doli nga Islami kur veproi këtë mëkat të madh por iu pohua besimi.
Sqarimi i kësaj çështjeje:
Kufri (mohimi), shirku (t’i shoqërosh shok Allahut), padrejtësia, fusuku (shthurja, dalja nga rruga e Allahut) dhe nifaku (hipokrizia) kanë ardhur në argumentet e fesë në dy lloje:
1- Të mëdha: Në këtë rast të nxjerrin nga Islami sepse kundërshtojnë totalisht bazën e fesë.
2- Të vogla: Në këtë rast kundërshtojnë besimin e plotë dhe nuk e nxjerrin vepruesin e tyre nga Islami.
Kjo është ndarja (degëzimi) e paraardhësve tanë të devotshëm, Allahu qoftë i kënaqur me ta. I dituri i umetit dhe komentuesi i Kuranit Ibën Abasi ka thënë: Ka kufër që nuk arrin gradën e kufrit të madh, padrejtësi që nuk arrin gradën e padrejtësisë së madhe, fusuk që nuk arrin gradën e fusukut të madh dhe nifak që nuk arrin gradën e nifakut të madh.
Allahu i Madhëruar e ka emërtuar atë që lut dikë tjetër përveç Tij kafir (mohues), mushrik (politeist) dhe zullumqar.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe kushdo që lut (ose adhuron) në vend të Allahut çdo ilah (zot) tjetër për të cilin nuk ka asnjë provë, atëherë llogaria e tij është vetëm te Zoti. Vërtet që kafirët nuk do të kenë kurrë sukses.” |Muminun: 117|
“Thuaj: Unë lus vetëm Zotin tim dhe nuk bashkoj askënd si shok a të barabartë përkrah me Të.” |Xhin: 20|
“Dhe mos lut tjetër përveç Allahut, çfarëdo qoftë që nuk do të të sjell ty përfitim dhe as nuk do të të dëmtojë. Në rast se vepron kështu, atëherë patjetër që do të jesh prej keqbërësve.” |Junus: 106|
“… përveç Iblisit. Ai ishte një prej xhinëve dhe nuk iu bind urdhërit të Zotit të tij.” |Kehf: 50|
Këtu (në këto ajete) konteksti është rreth kufrit të madh, shirkut të madh, padrejtësisë së madhe dhe fiskut të madh. Besimi nuk bashkohet me këto gjëra.
Allahu i Madhëruar ka thënë : “Dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu të tillët janë jobesimtarë.” |Maide: 44|
“Kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu, të këtillët janë mizorë.” |Maide: 45|
“Dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu, të këtillët janë fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).” |Maide: 47|
“Vërtet, ata që padrejtësisht marrin nga pasuria e jetimëve, ata vetëm zjarr gllabërojnë në barkun e tyre dhe do të digjen nëzZjarrin që digjet fort.” |Nisa: 10|
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sharja e muslimanit është fusuk (dalje nga nënshtrimi i Allahut) dhe vrasja e tij është kufër (mohim).”
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush betohet në diçka tjetër përveç Allahut ka bërë kufër ose shirk.”
Këtu konteksti është rreth kufrit të vogël, shirkut të vogël, padrejtësisë së vogël dhe fiskut të vogël. Besimi bashkohet me këto gjëra (pra mund të ekzistojë besimi edhe pse gjenden këto mëkate te njeriu), ashtu siç kanë treguar për këtë gjë; Kurani, Suneti dhe unanimiteti i paraardhësve tanë të devotshëm. Këto gjëra e kundërshtojnë besimin e plotë dhe e ulin atë.
Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.
Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku