Ramazani është muaji i zbritjes së Kuranit dhe i librave të tjerë qiellorë. Allahu i madhëruar thotë:
“Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani udhëzim për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër, këdo që e gjen ky muaj le ta agjërojë atë”. Suratu El-Bakara: 185.
Ky ajet na lajmëron se zbritja e Kuranit është bërë në Ramazan dhe këtë gjë e sqaron më tepër Ibn Abasi radiallahu anhu i cili thotë:
“Allahu e ka zbritur të gjithë Kuranin në Ramazan në qiellin e dynjasë në Bejtul-Izza (shtëpia e krenarisë qabja e qiellit të dynjasë) pastaj prej aty ka zbritur pjesë-pjesë (deri në fund të jetës së profetit alejhi selam).” Pra, zbritja në këtë ajet është bërë nga Leuhi Mahfudhi për në Bejtul-Izza.
Në të vërtetë ky muaj është edhe muaji i zbritjes së librave të tjerë siç tregon Uathile bin Usku’ radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Kanë zbritur fletushkat e Ibrahimit në natën e parë të Ramazanit, ka zbritur Teurati pasi kanë kaluar gjashtë netë nga Ramazani, Inxhili pasi kanë kaluar trembëdhjetë netë nga Ramazani dhe ka zbritur Kurani pasi kanë kaluar njëzet e katër netë nga Ramazani” e transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.
Dr Abdullah Nabolli