Ruajtja e sekretit është prej cilësive të besimtarit të sinqertë dhe një amanet që Islami urdhëron ta mbrojmë, ndërsa zbulimi i sekreteve pa të drejtë është tradhti dhe prej shkaqeve të prishjes së besimit e të marrëdhënieve mes njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَخُونُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ وَتَخُونُوا أَمَانَاتِكُمْ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ
“O ju që besuat! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e as të tradhtoni amanetet tuaja me vetëdije”.
(El-Enfal: 27).
Përcjell Thabiti, se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë:
I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë ndërkohë që unë po luaja me fëmijët. Ai na përshëndeti me selam, pastaj më dërgoi për një nevojë të tij. U vonova tek nëna ime dhe kur erdha, ajo më pyeti:
“Çfarë të vonoi?
I thashë: Më dërgoi i Dërguari i Allahut ﷺ për një nevojë.
Ajo tha: Cila ishte nevoja e tij?
I thashë: Është një sekret.
Ajo më tha: Atëherë mos ia trego askujt sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Pastaj Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Pasha Allahun! Sikur t’ia tregoja dikujt atë sekret, do të ta tregoja edhe ty, o Thabit”.
(E transmeton Muslimi.)
Në një transmetim tjetër thuhet: “Profeti ﷺ më tregoi një sekret dhe unë nuk ia tregova askujt pas tij. Madje më pyeti Nëna e Sulejmit, por unë nuk ia tregova”.
(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Transmeton Amir Eshabiu nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë:
Babai im (Abasi) më tha: “O biri im! Unë shoh se Prijësi i Besimtarëve (Umeri) të afron pranë vetes, veçohet me ty dhe kërkon mendimin tënd së bashku me disa prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Prandaj ruaji mirë nga unë këto tri porosi:
- Ki frikë Allahun; mos ia zbulo kurrë ndonjë sekret.
- Mos e lër kurrë të të kapë me ndonjë gënjeshtër (pra, mos gënje kurrë para tij).
- Dhe mos përgojo askënd në praninë e tij.
Amiri tha: I thashë Ibn Abbasit: O Ebu Abbas! Secila prej këtyre porosive vlen më shumë se një mijë (këshilla).
Ai tha: Po, madje më shumë se dhjetë mijë”.
(Fedail Es-Sahabe i Imam Ahmed.)
Sekretet bashkëshortore:
Sekretet bashkëshortore nënkuptojnë ndalimin e zbulimit të sekreteve që lidhen me marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve.
Ebu Seid el-Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Vërtet, ndër njerëzit me pozitën më të keqe tek Allahu në Ditën e Kiametit është burri që ka marrëdhënie intime me gruan e tij dhe ajo me të, e pastaj ai i përhap sekretet e saj.”
(E transmeton Muslimi.)
Imam Neueiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Ky hadith tregon se është e ndaluar që burri të zbulojë atë që ndodh mes tij dhe gruas së tij gjatë marrëdhënieve intime, të përshkruajë hollësitë e tyre, si dhe atë që ndodh nga ana e gruas në këtë aspekt, qoftë fjalë, veprim apo diçka e ngjashme”.
(“Sherhu Sahih Muslim” i Neueiut, 8/10).
Zbulimi i sekreteve është prej shenjave të hipokrizisë:
Zbulimi i sekreteve është prej shenjave të hipokrizisë, sepse ai përfshihet në tradhtinë e amanetit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:
“Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, e thyen premtimin; dhe kur i besohet një amanet, tradhton”.
(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Abdullah ibn Amr (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:
“Katër cilësi, kush i ka ato është hipokrit i plotë, ndërsa kush ka një prej tyre, ka një cilësi të hipokrizisë derisa ta lërë atë: kur i besohet një amanet, tradhton; kur flet, gënjen; kur bën marrëveshje, e thyen atë; dhe kur grindet, kalon kufijtë”.
(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Mbledhjet (kuvendet, mexhliset) dhe bisedat janë amanet:
Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:
“Kur një njeri flet diçka dhe pastaj shikon përreth (duke treguar se nuk dëshiron që të dëgjohet), ajo është amanet”.
(Hadith hasen. E transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.)
I Dërguari i Allahut ﷺ lutej: “O Allah! M’i mbulo të metat e mia dhe më jep siguri nga frikërat e mia”.
(E transmeton Ibn Maxheh)
Dosje: #Sekretet
Të Ngjashme
- Paralajmërimi nga ndjekja e të metave të njerëzve dhe cënimi i privatësisë së tyre Udha e Besimtarëve
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Rëndësia e inkurajimit dhe fjalës së mirë Dr. Fatmir Strumi
- Suneti është shpallje nga Allahu sikurse Kurani – 1 – Udha e Besimtarëve
- Prej rregullave dhe dispozitave të kurbanit Dr. Fatmir Strumi