Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta (1)

March 1, 2008

Parathënia e autorit:

Falënderoj Allahun! Atij i takojnë falënderimet, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje dhe tek Ai pendohemi. I kërkojmë Allahut të na ruaj nga e keqja e punëve dhe veteve tona! Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush ta humbasë dhe atë që Allahu e humbet s`ka kush ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij! Salavatet dhe selamet qofshin për të, për familjen, shokët e tij dhe gjithë besimtarët që e pasojnë me mënyrën më të mirë deri në Ditën e Gjykimit.

Besimi në emrat dhe në cilësitë e Allahut është një nga shtyllat e besimit tek Allahu, të cilat janë: Besimi në ekzistencën e Allahut, besimi në Rububijen e Tij, besimi në uluhijen e Tij, besimi në emrat dhe në cilësitë e Tij. Njësimi i Allahut në këtë shtyllë është njëri nga tri llojet e teuhidit, ndaj vlera fetare e kësaj çështjeje është madhështore dhe me rëndësi të madhe sepse askush nuk mund ta adhurojë Allahun në mënyrën më të mirë derisa t’i njoh emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij. Allahu ka thënë: “Allahut i takojnë emrat më të mirë ndaj lutjuni Atij me to.” | El Araf: 180. Kjo përfshin lutjen kërkesë dhe lutjen adhurim.

Lutja kërkesë është t’i paraprish kërkesës tënde duke përmendur emrat e Allahut që janë më të përshtatshëm me atë që do të kërkosh, si p.sh.: O Mëkatfalës, më fal mua! O Mëshirues, më mëshiro mua! O Ruajtës, më ruaj mua etj. si këto.

Lutja adhurim është t’i bësh Allahut ibadet sipas asaj që kërkohet nga këto emra (sipas rrjedhojës së tyre) si p.sh. të pendohesh tek Allahu sepse Ai është Teuab (pranuesi i pendimit), ta përmendësh me gjuhën tënde sepse Ai është Dëgjuesi (es-Semiu), t’i bësh adhurim me gjymtyrët e tua sepse Ai është Shikuesi (el Besiru), t`ia kesh frikën kur je vetëm larg syve të njerëzve sepse Ai është el-Latif el Habir (Njohësi i çdo gjëje në hollësi), e kështu me radhë.

Për shkak të kësaj pozite të rëndësishme si dhe për shkak se njerëzit flasin rreth kësaj teme, nganjëherë duke ia qëlluar dhe nganjëherë duke folur kot gjë e cila buron nga injoranca ose nga fanatizmi partiak, dëshirova që të shkruaja rreth kësaj teme disa rregulla që mu dha mundësia. Shpresoj nga Allahu që ta bëjë këtë punë të sinqertë vetëm për hir të Tij, në përputhje me kënaqësinë e Tij dhe të jetë e dobishme për robërit e Tij. E titullova këtë libër: “El kauaidul muthla fi sifatilahi teala ue esmaihil husna” (Rregullat e përsosura rreth cilësive të Allahut dhe emrave të Tij të mirë).

Rregulli i parë: Të gjithë emrat e Allahut janë të mirë në përsosmëri, d.m.th. janë në kulminacionin e së mirës së përkryer. Allahu ka thënë: “Allahut i takojnë emrat më të mirë” | El Earaf: 180). Kjo për vetë faktin se këto emra përmbajnë në vetvete cilësi të përsosura ku nuk ekziston mangësi në asnjëlloj aspekti, as të supozuar e as të nënkuptuar.

Shembulli i parë: El Hajju (i Gjalli) është emër nga emrat e Allahut që përmban cilësinë e jetës së përsosur, e cila nuk është paraprirë nga mosekzistenca (nga asgjëja) dhe as nuk mbaron kurrë. Jeta e përsosur ka si rrjedhojë cilësi të tjera të përkryera si; dituria, fuqia, dëgjimi, shikimi, etj.

Shembull i dytë: El Alijm (i Gjithëdijshmi) është emër nga emrat e Allahut i cili përmban cilësinë e diturisë së përsosur, dituri e cila nuk është paraprirë nga injoranca dhe as nuk ndodh në të harresë. Allahu ka thënë: “Dituria rreth këtyre (popujve te mëparshëm) është tek Zoti im në një Libër. Zoti im nuk gabon dhe as nuk harron.” | Ta ha: 52.

Dituria e gjerë përfshirëse e çdo gjëje në mënyrë të përgjithshme dhe në detaje të hollësishme, qoftë kjo dituri që ka të bëjë me veprimet e Tij apo me veprimet e krijesave të Tij. Allahu ka thënë: “Tek Ai janë çelësat e fshehtësisë dhe nuk i di ato askush përveç Tij. Ai di mirë çfarë ka dhe ndodh në tokë e në det. Çdo gjethe që bie Ai e di. Çdo grimcë në errësirat (thellësitë) e tokës, çdo gjë e thatë apo e njomë, janë të gjitha të shënuara në një libër të qartë.” | El Enam: 59. Dhe ka thënë: “Çdo gjallesë në tokë tek Allahu e ka furnizimin. Ai e di vendqëndrimin dhe përfundimin e saj. Çdo gjë është e shënuar në një libër të qartë.” | Hud: 6. Dhe ka thënë: “Ai e di çfarë ka dhe ndodh në qiej dhe në tokë, Ai di çfarë fshihni në vete dhe atë që shfaqni. Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që fshihet në zemër.” | Et Tegabun: 4.

Shembulli i tretë: Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi) është emër nga emrat e Allahut i cili përmban cilësinë e mëshirës së përsosur, për të cilën Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo me fëmijën e saj.” D.m.th. nëna e një foshnje të vogël që e gjeti fëmijën e saj ndër robërit e luftës, e mori, e përqafoi dhe filloi ta ushqente me gji.

Ky emër përmban mëshirën gjithëpërfshirëse për të cilën Allahu ka thënë: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë.” | El Earaf: 156. Dhe ka thënë duke treguar për duanë që bëjnë engjëjt për besimtarët: “Zoti ynë, Ti ke përfshirë çdo gjë me mëshirën dhe me diturinë Tënde.” | Gafir: 7.

Mirësia e përkryer në emrat e Allahut ka të bëjë qoftë duke e marrë çdo emër në vecanti, po ashtu duke e bashkangjitur me ndonjë emër tjetër duke na dhënë përsosmëri mbi përsosmëri.

Shembulli i kësaj: El Azizu (Krenari) dhe el Hakimu (më i Urti). Këto dy emra Allahu i përmend së bashku shpesh në Kuran. Secili prej tyre tregon për përsosmërinë specifike të asaj cilësie më vete, siç është krenaria tek el Aziz dhe gjykimi e urtësia tek el Hakim. Bashkimi ndërmjet këtyre dy emrave tregon për një përsosmëri tjetër e cila është se; krenaria e Tij është e shoqëruar me urtësinë, ndaj krenaria e Tij nuk shkakton padrejtësi dhe veprime të padenja. Po ashtu, gjykimi i Allahut dhe urtësia e Tij janë të shoqëruara me krenarinë absolute, ndryshe nga ç`ndodh me gjykimin e krijesave apo me urtësinë e tyre që mund tiu ndodhë nënçmim dhe përçmim.

Vazhdon . . .

Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin

Përktheu: Shuajb Rexha 

Dosje:

Loading...