Kushtoi rëndësi faljes së namazit të teravive.
Namazi i teravive është namazi i natës i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit. Fjala teravi është shumësi i fjalës teruihatun e cila rrjedh nga fjala rahatun, që do të thotë çlodhje – pushim. Është emërtuar kështu ngaqë gjatë faljes së këtij namazi bëhet një pushim i shkurtër pas çdo katër rekatësh.
Ky namaz vullnetar është nga veprat më të mira që kryhen gjatë këtij muaji të begatë, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.
Ebu Hurejra tregon se Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) i nxiste njerëzit për t’u falur gjatë natës në Ramazan, por jo në mënyrë të detyrueshme.
Ai thoshte: “Kush falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që ka bërë më herët.”[1]
Ibn Batali, komentuesi i njohur i haditheve thotë:
Me besim: Duke besuar në mirësinë që Allahu i Madhëruar i ka caktuar kësaj vepre.
Duke shpresuar shpërblimin: Duke e bërë këtë vepër me qëllimin për të merituar shpërblimin e Allahut.
Sa rekate falet namazi i teravive?
Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Aufi tregon se e ka pyetur Aishen: Si ka qenë namazi i Profetit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) në Ramazan?
Ajo tha: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë, nuk falte (namaz nate) më tepër se njëmbëdhjetë rekate. Ai falte katër rekate dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte katër rekate të tjera dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte tre rekate.”[2]
Ky hadith orienton dhe argumenton më së miri në lidhje me këtë çështje, dhe kjo për tre arsye:
1- Është hadithi më i saktë në lidhje me këtë çështje sepse transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.
2- Është hadithi më i qartë i cili i vë një kufi sasior këtij namazi.
3- Është hadithi që tregon për praktikën profetike, ndërkohë që transmetimet e tjera tregojnë vepra të sahabëve apo të tabiinëve.
Falja e teravive me xhemat.
Planifikoje që namazin e teravive ta falësh në xhami me xhematin, pasi në këtë mënyrë arrin ta ndiesh më tepër ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e këtij adhurimi, si dhe do të shpërblehesh më shumë sesa po të falesh vetëm.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush falet natën (gjatë Ramazanit) me imamin derisa ai ta përfundojë namazin, do t’i shkruhet shpërblimi sikur të ketë falur namaz tërë natën.”[3]
———————————————
[1] E transmeton Buhariu me nr. 37 dhe Muslimi me nr. 759.
[2] E transmeton Buhariu me nr. 3569 dhe Muslimi me nr. 738.
[3] E transmeton Tirmidhiu me nr. 806 dhe Nesaiu me nr. 1605. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 734.
Dosje: Namazi i Teravive