Shembuj nga shpallja e Kuranit pjesë-pjesë

March 6, 2023

Shembuj nga shpallja e Kuranit pjesë-pjesë.

1-Surja el En’am ka zbritur në Meke dhe sqaron; bazat e imanit, argumentet e teuhidit (monoteizmit), qorton nga shirku (idhujtaria), sqaron gjërat e lejuara dhe gjërat e ndaluara. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: Ejani t’ju lexoj çfarë u ka urdhëruar Allahu: Të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim), që të silleni mirë me prindërit, të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata.” |El En’am: 151|

Më pas detajet e këtyre dispozitave u shpallën në Medine, siç ishte ajeti i borxhit dhe ndalimi i kamatës etj. Ndërsa zanafilla e ndalimit të imoralitetit u bë qysh në periudhën mekase. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu qasni imoralitetit se ai është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” |El Isra: 32|

Ndërsa ndëshkimet e parashikuara për këtë veprim zbritën në Medine.

2- Shembulli më i qartë është përshkallëzimi në dispozitën e ndalimit të pijeve dehëse. Fillimisht zbriti fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Ndërsa nga frutat e palmave dhe të hardhisë ju përgatisni pije (lëng) si dhe ushqim të mirë.” |En Nahl: 67| Në këtë ajet Allahu i Lartësuar e cilësoi ushqimin si të mirë, por jo pijen, duke vënë në dukje përçmimin e verës.

Pas këtij ajeti zbriti fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Të pyesin ty për verën[1] dhe kumarin. Thuaju: Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe) por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia.” |El Bekare: 219|

Ajeti ndërthur mes dobisë së përkohshme të alkoolit dhe dëmit të mëkatit të pirjes së tij, dëmit që shkakton ai në trup, dëmit që i shkakton intelektit, shpërdorimit të pasurisë dhe nxitjes që i bën epshit në vepra të neveritshme dhe mëkate. Pas kësaj, ajeti përfundon duke e peshuar dëmin në krahasim me dobinë dhe e konsideron (alkoolin) si diçka të neveritshme.

Pastaj u shpall ajeti vijues: “O ju që besuat, mos iu afroni namazit në gjendje të dehur derisa të kuptoni se çfarë po thoni.” |En Nisa: 43| Me këtë ajet ata kuptuan se dehja ishte e ndaluar në kohët e namazit.

Pastaj zbriti ajeti vijues: “O ju që besuat! Me të vërtetë që; pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj largohuni prej tyre me qëllim që të shpëtoni.” |El Maide: 90|

3- Urtësinë e kësaj e sqaron Aisha, radiAllahu anha, me këto fjalë: Me të vërtetë, çështjet e para që u shpallën kur zbritën suret el-mufasal”[2] ishin sure që përmbanin përshkrimin e Xhenetit dhe Xhehenemit. Kur njerëzit filluan të përqafojnë Islamin në masë, u shpallën çështjet e hallallit dhe haramit. Nëse gjëja e parë që do të shpallej do të ishte: “Mos konsumoni pije dehëse!” – njerëzit do të kishin thënë: Ne nuk do të largohemi kurrë nga pijet dehëse. Gjithashtu, nëse gjëja e parë që do të shpallej do të ishte: “Mos bëni imoralitet!” – njerëzit do të thonin: Ne nuk do ta lëmë kurrë imoralitetin.[3]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————–

[1] Vera nënkupton të gjitha pijet dhe lëndët dehëse.

[2] Janë suret me ajete të shkurtra që vazhdojnë nga surja Kaf e poshtë.

[3] E përcjell Buhariu.

Loading...