Shembulli i humbjes së sevapeve për shkak të gjynaheve.
Bukhariu transmeton nga Ibn Abbasi se Umer ibnul Khattabi një ditë i pyeti shokët e Profetit صلى الله عليه وسلم: Për kë mendoni se ka zbritur ky ajet: “A dëshiron ndonjëri prej jush që të ketë një kopësht me palma dhe rrush…” (Bekarah: 266) – Thanë: Allahu e di më mirë. – Atëherë Umeri u zemërua dhe u tha: Thoni “E dimë”, ose “Nuk e dimë”! – Atëherë Ibn Abbasi tha: Unë kam diçka në vete (në mendje) për të o prijësi i besimtarëve. – Umeri ia ktheu: O biri i vëllait tim (o nipi im), thuaje dhe mos e nënvlerëso veten! – I biri i Abbasit – Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve – tha: Ky është një shembull që Allahu e ka sjellë për një punë. – Umeri i tha: Për ç’punë? – Ibn Abbasi tha: Për atë njeri që është i pasur, që bën adhurime për Allahun, pastaj Allahu i dërgon atij shejtanin dhe fillon e bën gjynahe derisa ato ja mbytin punët e tij (të mira të mëparshme) “Dhe i vjen atij (kopshtit me fruta) një stuhi në të cilën ka zjarr (vetëtima) dhe ai digjet (bëhet shkrumb)”*
Shikojmë këtu se si Umeri i edukonte sahabët, prandaj kur njeriu ka dituri për diçka e përcjell, e kur nuk di thjesht thotë: “Nuk e di”.
Dhe gjithashtu i inkurajonte ata që dinin të flisnin, e të mos e nënçmonin veten, por tu bënin dobi besimtarëve me diturinë e tyre. Sikur Ibn Abbasi të kishte nguruar, e ta kishte mbajtur në vete këtë dobi, a do ta kishim përfituar dot këtë mësim të madh prej tij? Por kjo thuhet për atë që kishte dituri nga Kurani, për shkak të lutjes profetike, apo dikë që është njeri i dijes, jo për të pamësuarin.
Ajeti i plotë: “A dëshiron ndonjëri prej jush që të ketë një kopësht me palma (hurma) dhe rrush, poshtë të cilit rrjedhin lumenj, ai ka në të nga të gjitha frutat, dhe atë e arrin pleqëria, e fëmijët (trashëgimtarët) i ka të pafuqishëm, e atë (kopshtin) e godet një stuhi në të cilën ka zjarr dhe ai digjet, kështu jua sqaron Allahu juve argumentet që të mendoni” (Bekarah: 266)
Ky është shembulli i njeriut me pasuri, që ka bërë vepra të mira, pastaj fillon e ia zbukuron shejtani gjynahet dhe bie në to, derisa bën aq shumë gjynahe sa ato ja fshijnë sevapet e mëparshme.
‘E humbet Allahu pasi është thinjur’ (siç përcjell Ebu Hatimi nga Ibn Abbasi). Allahu na ruajtë.
E ky është një nga shkaqet më të mëdha që e frenojnë njeriun nga vetpëlqimi dhe vetsiguria për shpëtim, dhe e bëjnë muslimanin që të jetë gjithmonë i përulur kundrejt Allahut, i mbështetur tek Ai, i frikësuar nga mbështetja tek vetja, por shpreson prej Allahut suksesin dhe mbylljen e mirë, dhe frikësohet nga të kundërtat. E për pasojë këto e ruajnë edhe nga mendjemadhësia që mund të shkaktojë adhurimi i shumtë, e veprat e mira. O Allah na ruaj e mos na privo kurrë nga suksesi Yt, e mos na lër në dorë të veteve tona as sa një rrahje të qepallave.
“E Allahu nuk e humbet një popull pasi i ka udhëzuar ata, derisa tua bëjë të qartë se nga se duhet të ruhen” (Teubeh: 115).
*”Fet’hul barij” (4/300).
Me pak përshtatje dhe shtesa nga:
“المصباح المنير في تهذيب تفسير ابن كثير”
جماعة من العلماء بإشراف صفي الرحمن المباركفوري
Fq. 191-192.
Emin Bilali
Të Ngjashme
- Shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem Shejh Abduselam Berxhes
- Ngurtësimi i zemrës Ibën Rexheb el Hanbeli
- Si rëndojnë mëkatet? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kini kujdes nga mëkatet e mëdha Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Dobi të përfituara nga 40 hadithet e imam Neveviut Salim Et-Tauijl