Shfrytëzoje natën e Kadrit!

Shfrytëzoje natën e Kadrit!

Një nga begatitë më të mëdha të Ramazanit padyshim është nata e Kadrit, e cila gjendet në njërën nga dhjetë netët e fundit të këtij muaji.  Kjo natë është një mundësi e madhe për t`u afruar më tepër tek Zoti, për të shtuar shpërblimet, si dhe për t`u pastruar nga mëkatet dhe gabimet.

Nga tradita profetike në dhjetë ditë-netët e fundit të Ramazanit është që muslimani të jetë më aktiv në adhurime se në çdo periudhë tjetër.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) kur fillonte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, përkushtohej në adhurime, e gjallëronte natën; falej, lutej, lexonte Kur’an.  Madje, nga tradita profetike është dhe nxitja e pjestarëve të familjes që të përfitojnë edhe ata nga begatitë e këtyre netëve, veçanërisht e natës së Kadrit, e  cila është më e vlefshme se njëmijë muaj.

Aisheja, radiallahu anha, rrëfen për të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!),  në dhjetë ditë-netët e fundit të Ramazanit, angazhohej me adhurime dhe vepra të mira, më shumë se çdo herë tjetër“.[1]

“Ai i gjallëronte netët me adhurim, madje i zgjonte anëtarët e familjes së tij (që ta adhuronin Allahun), dhe i dedikohej tërësisht adhurimit”.[2]
[1] E transmeton Buhariu me nr. 1920

[2] E transmeton Muslimi me nr. 1175