Shpërblime madhore në muajin e begatë

May 2, 2018

Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu, i falen atij mëkatet e kaluara. Kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu, i falen atij mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi

Shejh Salih el-Usajmi (Allahu e ruajtë) thotë: Te fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu”, dhe; “Kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu”, përmenden dy kushte për të arritur (fituar) shpërblimin e përmendur në hadith.

E para: Agjërimi të kryhet me besim në urdhërin e Allahut.

E dyta: Këto të kryhen duke llogaritur shpërblimin, pra duke kërkuar shpërblimin nga Allahu i Lartmadhëruar.

Këto dy kushte të rënda personi duhet t’i dëshmojë (besojë) me zemrën e tij në mënyrë që të arrijë shpërblimin (e përmendur në hadith).

Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); “i falen atij mëkatet e kaluara”, tek disa dijetarë kjo (falje mëkatesh) përfshin mëkatet e vogla dhe të mëdha. Porse medh’hebi i shumicës së dijetarëve është se kjo kufizohet vetëm për mëkatet e vogla. Ndërsa mëkatet e mëdha kanë nevojë për pendim të veçantë. Ky është medh’hebi i shumicës së dijetarëve në lidhje me hadithet e tilla. Madje Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) ka përcjellë konsensusin e dijetarëve për këtë në “Fet’hul-Bari” dhe “Xhamiu el-Ulum uel-Hikem”. Ndërsa të tjerët e kanë konsideruar shadh këtë fjalë.

 

“Sherh Ehadith shehr Ramadan” i Ibën Asakir.

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...