Dikush pyet: Kisha një dhëmballë të sëmurë dhe dentisti më këshilloi të mos përdor ujin, se plas hemorragji. Unë në lidhje me abdesin e lija shpëlarjen e gojës duke menduar se ajo është sunet, por më pas më thanë se shpëlarja e gojës është detyrë. Atëherë ç’duhet të bëj me namazet e kaluara?
Përgjigje: Në lidhje me këtë pyetje kemi të bëjmë me tre çështje:
Çështja e parë: Gjykimi i shpëlarjes së gojës dhe hundës në abdes.
Mendimi më i saktë në lidhje me shpëlarjen e gojës dhe hundës është se ajo është detyrë edhe pse ato nuk janë përmendur në ajetin e sures Maide, ku tregohet mënyra e abdesit dhe kjo për dy arsye:
1-Ajeti urdhëron për larjen e fytyrës dhe goja e hunda janë pjesë të saj, kështu që urdhri për fytyrën i përfshinë ato.
2- Urdhëri i profetit -alejhis salatu ues selam- për to: “Kur të marrësh abdes, shpëlaje gojën!” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejkh Albani. Në një hadith tjetër: “Ai që merr abdes, le të shpëlaje hundën!” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Këto urdhra të profetit -alejhis salatu ues selam- tregojnë se shpëlarja e tyre është detyrë, shto këtu edhe faktin se profeti -alejhis salatu ues selam- nuk e ka lënë asnjëherë këtë veprim.
Çështja e dytë: Larja e gojës së sëmurë.
Nëse ndonjëra prej pjesëve të abdesit është e sëmurë, atëherë te dijetarët e islamit ka këto mendime:
1- Të merret abdes dhe pjesës së sëmurë t’i jepet mes’h pasi të jetë mbështjellë me një mbështjellëse, për ta mbrojtur nga uji (xhebira), siç bënte Ibn Omeri -radija Allahu anhu-.
2- Të merret abdes, duke larë pjesët e shëndosha dhe pas abdesit të merret tejemum për pjesën e palarë. Ky mendim është te disa dijetarë të Shafive dhe Hanbelive, mbështetur në një hadith jo të saktë ku Xhabiri -radiallahu anhu- thotë: “Dolëm për udhëtim dhe një burri nga ne i ra një gurë dhe e plagosi në kokë, pastaj ai u bë xhunub dhe pyeti shokët e tij: A dini ndonjë lehtësim për tejemum? Ata i thanë: Jo nuk dimë për ty lehtësim. Atëherë ai u la dhe vdiq. Kur mbërritëm te profeti -alejhis salatu ues selam- tha: e vranë i vraftë Allahu! Pse nuk pyetën kur nuk e dinin?! Shërimi i injorancës është pyetja. Atij i mjaftonte të merrte tejemum dhe të vinte një mbështjellëse mbi plagë dhe pastaj të bënte mes’h mbi të. Pastaj të lante të gjithë trupin” e transmeton Ebu Daudi dhe shejkh Albani nuk saktëson nga ky hadith fjalinë e fundit: ” Atij i mjaftonte të merrte tejemum dhe të vinte një mbështjellëse mbi plagë dhe pastaj të bënte mes’h mbi të. Pastaj të lante të gjithë trupin”, sepse kjo shtesë nuk ka ardhur veçse në rrugë të dobëta.
3- Të merret vetëm abdes dhe të lihet pjesa e sëmurë, sepse në këto raste kur ajo pjesë e detyrës është e pamundur, atëherë bie si detyrë siç është transmetuar nga Amir Eshabij prej tabbi’inëve -Allahu e mëshiroftë-.
Në lidhje me çështjen tonë mendimi i parë për përdorimin e mbështjellëses është i pamundur, sepse pjesa e sëmurë është pjesa e brendshme e gojës dhe ajo nuk është vend për përdorimin e copave mbështjellëse dhe nuk mbetet veçse mendimi i dytë ose i tretë.
Mendimi i dytë është mbështetur mbi një hadith jo të saktë.
Mendimi i tretë (larja e pjesëve të shëndosha dhe lënia e pjesës së sëmurë) duket mendimi më i saktë, sepse Allahu nuk e detyron njeriun më shumë sesa ka mundësi dhe nga ana tjetër hadithet e mbështjellëses apo ato të bashkimit mes abdesit jo të plotë dhe tejemumit nuk janë të sakta dhe ky është mendimi i zgjedhur nga shejkh Albani –Allahu e mëshiroftë-. Shih librin “Irua El-Galil”.
Nëse qëndron kjo që thashë, atëherë rezulton se veprimi pyetësit barazohet në përfundim me fetvanë tonë, sepse ai nuk e ka larë fare duke menduar se është sunet, ndërsa ne i thamë është detyrë, por bie përgjegjësia kur ka arsye dhe kështu ai nuk ka nevojë të përsërisë namazin.
Çështja e tretë: Kur njeriu punon në lidhje me një çështje me një fetva, pastaj sheh një tjetër më të saktë dhe e le atë, atëherë ç’gjykim ka puna e kaluar?
Në çështjen tonë fetvaja jonë nuk ndryshoi nga veprimi i pyetësit sipas fetvasë së tij, por edhe nëse ajo do të ndryshonte atëherë puna e kaluar nuk kërkohet prej tij të përsëritet, përderisa ai ka punuar me një fetva të dijetarëve të njohur të islamit.
Përgatiti Dr Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve