Shpjegimi i Gjashtë Parimeve(Parimi i tretë)

Autori: Parimi i tretë: Prej bashkimit të plotë është dëgjimi dhe bindja ndaj atyre që na udhëheqin edhe nëse ai është rob nga Etiopia. Këtë parim Allahu e sqaroi mjaftueshëm në shumë forma, si nga ana legjislative ashtu dhe nga ligji universal.

Shpjeguesi:Atëherë, parimi i tretë është bindja ndaj udhëheqësit Musliman, sepse nuk mund të ndodhë bashkimi vetëm se me bindjen ndaj udhëheqësit, pra nuk ka bashkim pa imam(prijës), dhe nuk ka imam pa bindje dhe dëgjim.

Allahu e ka bërë mëshirë ekzistencën e prijësit të muslimanëve për ta, për të zbatuar vendimet dhe dispozitat, për të urdhëruar për mirë dhe ndaluar nga e keqja, si dhe për ti dalë në ndihmë atij që i është bërë padrejtësi kundrejt të padrejtit si dhe për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë.

Kjo pra është prej mëshirës së Allahut. Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut, sahabët nuk e varrosën atë derisa zgjodhën prijësin e tyre sepse i frikësoheshin kundërshtimeve dhe mosmarrëveshjeve. Ata e dinin se nuk mund të rrinin pa udhëheqës qoftë dhe një natë sepse kjo është prej gjërave të domosdoshme të fesë.

E gjithë kjo nuk mund të arrihet pa dëgjim dhe bindje ndaj udhëhqësit musliman. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, All-llahut, bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve nga mesi juaj.” Nisa 59.

Pas bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit alejhis-salatu ue selam vjen bindja ndaj prijësit. Fjala “nga ju” dmth nga muslimanët që do të thotë se kushtëzohet që prijësi të jetë Musliman. Për këtë Profeti alejhis-salatu ue selam thotë: U porosis për devotshmëri ndaj Allahut, të dëgjoni dhe të bindeni ndaj prijësit edhe nëse u udhëheq një skllav.Kjo sepse ata që do jetojnë pas meje do shohin shumë mospajtime, prandaj kapuni pas Sunetit tim dhe sunetit të prijësave të drejtë pas meje.Kapuni fort pas tyre dhe shtrëngohuni me dhëmballë.

Ky pra është parimi i tretë: dëgjimi dhe bindja, dëgjoni dhe binduni edhe nëse u udhëheq një skllav. Për këtë arsye nuk mund të ndodhë bashkim mes muslimanëve vetëm nëse ka prijës musliman edhe nëse nuk është arab madje është edhe nëse është në pronë të dikujt(skllav).

Autori: Më pas ky parim filloi të mos njihej tek shumica e atyre që pretendojnë dijen,ndaj për rrjedhojë si mund të gjente zbatim?!

Shpjeguesi:Ky parim u bë i panjohur tek shumica e atyre që mbahen të dijshëm duke e neglizhuar ceshtjen e bindjes, vlerën që ajo ka dhe rëndësinë që bart, pra kur kjo ndodh me të diturit atëherë si do jetë gjendja me njerëzit e thjeshtë?! Nuk ka dyshim se ata do jenë më të painformuar rreth saj.

Në këtë lloj situate ku sundon injoranca, tek këta njerëz konsiderohen trima që urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e që nuk i frikësohen askujt vec Allahut, ata të cilët rebelohen kundra prijësit të Muslimanëve duke mos iu bindur atij dhe thërreasin për revolucione kundra udhëheqësve muslimanë, vetëm për shkak se ndodh tek ata ndonjë gabim apo gjynah që nuk arrin nivelin e kufrit.

Në këtë mënyrë i kanë bërë vendtubimet, seminaret dhe ligjeratat mjete vetëm për të gjetur të metat e udhëheqësve, për ti fryrë dhe ekzagjeruar ato, derisa kjo çon në përçarje dhe i largon njerëzit nga bindja ndaj udhëhqësit, e në këtë mënyrë humbet siguria, destabilizohet situata dhe derdhen gjakrat. Kjo shpie në një gjendje më të keqe se sa durimi që do të tregonin në bindjen ndaj udhëhqësit të prishur që bën gjynahe të cilat nuk janë kufër të qartë për të cilin të kenë argument të qartë nga Allahu i Madhëruar.

Përktheu: Fatjon Isufi