Bujaria është traditë profetike, moral i njerëzve fisnikë dhe cilësi e besimtarëve të mirë.
Muaji i Ramazanit është padyshim stina e shpalosjes së bujarisë.
Muslimani në këtë muaj duhet të jetë më bujar se në muajt e tjerë të vitit, duke marrë si shëmbëlltyrë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) për të cilin Ibën Abasi tregon duke thënë:
“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ishte njeriu më bujar dhe kulmin e bujarisë së tij e shfaqte në Ramazan, muaj në të cilin takohej me Xhibrilin. Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit duke e studiuar së bashku Kuranin. Në Ramazan i Dërguari i Allahut ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryn.”[1]
Bujaria në Ramazan mund të shprehet në disa forma:
- Duke dhënë sadaka.
S’ka dyshim se pasuria që njeriu ka\ një ditë do të mbarojë e do të zhduket, ndërsa çfarë depozitohet tek Allahu është e garantuar dhe e shumëfishuar. Prandaj, mos u trego koprac ndaj vetes tënde por garo në fitimin e sevapeve, duke dhënë nga ajo pasuri që Allahu të ka dhuruar.
Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj atë do ta gjeni tek Allahu.” (Bekare: 110)
Ndërsa në hadithin kudsij Allahu i Madhëruar thotë:
“O biri i Ademit! Jep që të të jap.”[2]
Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush jep sadaka sa vlera e një kokrre hurme nga fitimi i tij i pastër – e s’ka dyshim që Allahu pranon vetëm çfarë është e pastër -, Allahu ia pranon atë me të djathtën e Tij dhe e shumëfishon për llogari të atij që e dha.”[3]
- Nxjerrja e Zekatit.
Nxjerrja e zekatit është ndër obligimet e rëndësishme në Islam, madje është një nga pesë shtyllat e tij.
Preferohet që nxjerrja e këtij obligimi pasuror të bëhet në muajin e Ramazanit, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga shpërblimet dhe begatitë e këtij muaji.
Uthmani ka thënë: “Ky (Ramazani) është muaji i nxjerrjes së zekatit tuaj. Kush i ka borxh dikujt le t’ia shlyejë në mënyrë që ai të japë zekatin e pasurisë së tij.”[4]
- Duke ushqyer agjëruesit.
Dhënia ushqim agjëruesit është një vepër e begatë shpërblimi i së cilës është i madh. Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë:
“Kush i ofron ushqim agjëruesit do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.”[5]
Shtrimi i iftareve për agjëruesit është traditë dhe praktikë e lavdëruar e muslimanëve.
Dijetari i mirënjohur Ibn Shihab Ez-Zuhri thoshte: “Gjatë muajit të Ramazanit spikasin dy adhurime: Leximi i Kuranit dhe ofrimi i ushqimit për agjëruesit.”
——————————————————-
[1] E transmeton Buhariu me nr. 411 dhe Muslimi me nr. 2308.
[2] E transmeton Buhariu me nr. 5037 dhe Muslimi me nr. 993.
[3] E transmeton Buhariu me nr. 1410 dhe Muslimi me nr. 1014.
[4] E transmeton Imam Maliku (1/253), Imam Shafiu (1/237) etj. Albani e ka konsideruar të saktë në “Irvaul galil” (3/260).
[5] E transmeton Tirmidhiu me nr. 807, Nesaiu (2/256) etj. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në “Sahihul Xhami” me nr. 6415.