Shtoje bujarinë në muajin e Ramazanit

March 20, 2023

Bujaria është traditë profetike, moral i njerëzve fisnikë dhe cilësi e besimtarëve të mirë. Muaji i Ramazanit është padyshim stina e shpalosjes së bujarisë.

Muslimani në këtë muaj duhet të jetë më bujar se në muajt e tjerë të vitit, duke marrë si shëmbëlltyrë të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për të cilin Ibën Abasi tregon duke thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte njeriu më bujar, dhe kulmin e bujarisë së tij e shfaqte në Ramazan muaj në të cilin takohej me Xhibrilin. Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit duke e studiuar së bashku Kuranin. Në Ramazan i Dërguari i Allahut ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryn.” E transmeton Buhariu me nr. 411, dhe Muslimi me nr. 2308.

Bujaria në Ramazan mund të shprehet në disa forma:

a. Duke dhënë sadaka.

S’ka dyshim se pasuria që ka njeriu një ditë  do të mbarojë e do të zhduket, ndërsa çfarë depozitohet tek Allahu është e garantuar dhe e shumëfishuar. Prandaj mos u trego koprrac ndaj vetes tënde, por garo në fitimin e sevapeve duke dhënë nga ajo pasuri që Allahu të ka dhuruar. Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj atë do ta gjeni tek Allahu.” |Bekare: 110|

Ndërsa në një hadith kudsij Allahu i Madhëruar thotë: “O bir i Ademit! Jep të të jap!” E transmeton Buhariu me nr. 5037, dhe Muslimi me nr. 993.

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush jep sadaka sa vlera e një kokrre hurme nga fitimi i tij i pastër – e s’ka dyshim se Allahu pranon vetëm çfarë është e pastër -, Allahu ia pranon atë me të djathtën e Tij dhe e shumëfishon për llogari të atij që e dha.” E transmeton Buhariu me nr. 1410, dhe Muslimi me nr. 1014.

b. Dhënia e zekatit.

Nxjerrja e zekatit është ndër obligimet e rëndësishme në Islam, madje një nga pesë shtyllat e tij. Preferohet që nxjerrja e këtij obligimi pasuror të bëhet në muajin e Ramazanit në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga shpërblimet dhe begatitë e këtij muaji.

Uthmani, radijAll-llahu anhu, ka thënë: “Ky (Ramazani) është muaji i nxjerrjes së zekatit tuaj. Kush i ka borxh dikujt le t’ia shlyejë në mënyrë që ai të japë zekatin e pasurisë së tij.”

E transmeton Imam Maliku 1/253, Imam Shafiu 1/237 etj. Albani e ka konsideruar këtë transmetim të saktë në librin “Irvaul galil” 3/260.

c. Duke ushqyer agjëruesit.

Dhënia ushqim agjëruesit është një vepër e begatë shpërblimi i së cilës është i madh. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Kush i ofron ushqim agjëruesit do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.” E transmeton Tirmidhiu me nr. 807, Nesaiu 2/256  etj. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në librin “Sahihul Xhami” me nr. 6415.

Shtrimi i iftareve për agjëruesit është traditë dhe praktikë e lavdëruar e muslimanëve. Dijetari i mirënjohur Ibn Shihab Ez-Zuhri thoshte: “Gjatë muajit të Ramazanit spikasin dy adhurime: Leximi i Kuranit dhe ofrimi i ushqimit për agjëruesit.”

Loading...