Shtoje bujarinë në këtë muaj të begatë!

Bujaria është traditë profetike, moral i njerëzve fisnikë dhe cilësi e besimtarëve të mirë.

Muaji i Ramazanit është padyshim “stina” e shpalosjes së bujarisë.

Muslimani në këtë muaj duhet të jetë më bujar se në muajt e tjerë të vitit, duke marrë si shëmbëlltyrë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!), për të cilin Ibën Abasi tregon duke thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ishte njeriu më bujar, dhe kulmin e bujarisë së tij e shfaqte në Ramazan, muaj në të cilin takohej me Xhibrilin. Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit, duke e studiuar së bashku Kuranin. Në Ramazan, i Dërguari i Allahut ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryn”.[1]

Bujaria në Ramazan mund të shprehet në disa forma:

  1. Duke dhënë sadaka.

S’ka dyshim se pasuria që njeriu ka, një ditë do të mbarojë e do të zhduket, ndërsa çfarë depozitohet tek Allahu, është e garantuar dhe e shumëfishuar. Prandaj mos u trego koprrac ndaj vetes tënde, por garo në fitimin e sevapeve, duke dhënë nga ajo pasuri që Allahu të ka dhuruar.

Allahu i Madhëruar, thotë: “Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj, atë do ta gjeni tek Allahu” (Bekare, 110)

Ndërsa në hadithin kudsij, Allahu i Madhëruar thotë:

“O biri i Ademit! Jep që të të jap!”[2]

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush jep sadaka sa vlera e një kokrre hurme nga fitimi i tij i pastër – e s’ka dyshim që Allahu pranon vetëm çfarë është e pastër – Allahu ia pranon atë me të djathtën e Tij dhe e shumëfishon për llogari të atij që e dha”[3]

  1. Nxjerrja e Zekatit.

Nxjerrja e zekatit është ndër obligimet e rëndësishme në Islam, madje një nga pesë shtyllat e tij.

Preferohet që nxjerrja e këtij obligimi pasuror të bëhet në muajin e Ramazanit në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga shpërblimet dhe begatitë e këtij muaji.

Uthmani (r.a) ka thënë: “Ky (Ramazani) është muaji i nxjerrjes së zekatit tuaj. Kush i ka borxh dikujt le t’ia shlyejë në mënyrë që ai të japë zekatin e pasurisë së tij.[4]

  1. Duke ushqyer agjëruesit.

Dhënia ushqim agjëruesit është një vepër e begatë, shpërblimi i së cilës është i madh. Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë:

Kush i ofron ushqim agjëruesit, do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.”[5]

Shtrimi i iftareve për agjëruesit është traditë dhe praktikë e lavdëruar e muslimanëve.

Dijetari i mirënjohur Ibn Shihab Ez-Zuhri thoshte: “Gjatë muajit të Ramazanit spikasin dy adhurime: Leximi i Kuranit dhe ofrimi i ushqimit për agjëruesit.”

[1] E transmeton Buhariu me nr. 411 dhe Muslimi me nr. 2308.

[2] E transmeton Buhariu me nr. 5037 dhe Muslimi me nr. 993.

[3] E transmeton Buhariu me nr. 1410 dhe Muslimi me nr. 1014.

[4] E transmeton Imam Maliku 1/253, Imam Shafiu 1/237 etj. Albani e ka konsideruar këtë transmetim ‘të saktë’ në “Irvaul galil” 3/260.

[5] E transmeton Tirmidhiu me nr. 807, Nesaiu 2/256 etj. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në “Sahihul Xhami” me nr. 6415.