Si duhet kuptuar toleranca me bidatçiun?

July 10, 2011

Pyetësi: Përsa i përket fjalës së tij “tolerancë”, a nuk është i mendimit shejhu ynë se kjo bie ndesh me atë që përcillet nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, nga shokët e tij dhe selefët e këtij umeti. Ata tërhiqnin vërejten nga bidati, veçanërisht në fjalët e Berbeharit të cilat i keni përmendur në disa nga librat tuaj, ku thotë: “Kini kujdes nga bidatet e vogla sepse ato kthehen e bëhen bidate të mëdha.” Apo fjala e Ibën Mesudit ndaj atyre njerëzve që ishin mbledhur në xhami për dhikër, e deri në fund të hadithit të cilin e transmeton edhe Ebu Musa el Eshari ku thotë: “Unë i pashë ata njerëz (që ishin mbledhur për dhikër) duke na (goditur me armë) luftuar në betejën e Nehrauanit.” Pra fjala e tij “tolerancë” a përbën ndonjë problem?
Shejhu (Muhamed Nasirudin Albani) përgjigjet: Ajo që kuptoj me fjalën “tolerancë” është se kjo fjalë nuk ka të bëjë me ideologjinë në vetvete (bidatin), por ka të bëjë me individin që beson një ideologji. Kjo do të thotë: E zëmë se kemi dy individë; njërin e emërtojmë selefi ndërsa tjetri është halefi, dhe ky halefiu është bidatçi i zhytyr në bidate. Në këtë rast unë si selefi tregohem tolerant me personin dhe jo tolerant me bidatin. Pra jo si shprehet ai kur bën dallim mes bidatit të rëndë dhe bidatit të lehtë duke thënë që më të lehtin mund ta veprojmë. Jo, kurrsesi nuk është ky qëllimi që mund të kuptohet prej këtyre fjalëve.
Qëllimi është se unë si selefi tregohem tolerant ndaj halefiut në rastin kur ai praktikon bidate të vogla dhe jo të rënda, këtë kuptoj unë. E nëse ka ndonjë kuptim tjetër që aludon në tolerancë ndaj kuptimit ndryshe, une besoj se ky kuptim është i gabuar. E themi këtë sepse muslimani duhet të eci në udhën e drejtë në çdo gjë që vjen nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Nuk ka dallim p.sh. kur themi në praktikë mes farzit, sunetit të fortë apo nafileve, sepse të gjitha këto duhet që muslimani t`i besojë fillimisht se janë të ligjshme fetarisht. Dhe së dyti t`i vendos ato në praktikë në kufijtë e asaj që përmendëm më parë, sipas metodës së atij bedeviut që tha: “Betohem në Allahun o i Dërguar i Allahut se nuk shtoj e as nuk pakësoj prej këtyre që më the.” Megjithatë, muslimani duhet ta ketë si bindje dhe si besim ligjshmërinë e këtyre dispozitave.
Pak më parë thashë se muslimani që ka pranuar praktikimin e urdhrave që i ka caktuar Allahu dhe largimin prej gjërave qe Ai ka ndaluar, duhet t`i besojë të gjitha ato që kanë ardhur nga Allahu dhe nga i Dërguari i Tij. Çdo dispozitë ashtu siç ka ardhur; farz, sunet apo mustehab, të gjitha duhet t`i besojë edhe nëse është neglizhent në praktikimin e tyre.
Ajo që dua të them shkurtimisht është se ndarja mes akides dhe gjërave të tjera është diçka e pashmangshme në anën akademike dhe teorike. Ndërsa toleranca që u përmend më parë gjatë pyetjes, sipas mendimit tim nënkupton se; ai që është i kapur pas sunetit duhet ta tolerojë bidatçiun dhe të mos e armiqësojë në atë lloj mënyre që e largon nga vetja apo të largohen prej tij. Prej normave të davetit, siç e dimë të gjithë, është fjala e Allahut që thotë: “Fto në rrugën e Allahut me urtësi e këshillë të mirë dhe debato me ta me atë që është më e mira.” Apo fjala e Allahut që thotë: “E nëse do ishe i vrazhdë e zemërfortë do të largoheshin prej teje.”
Nuk ka dyshim se humbja më e madhe ishte ajo në të cilën jetonin idhujtarët, të cilëve kur u thuhej “La ilahe ila Allah” tregonin mendjemadhësi. Megjithatë, i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem sillej butë dhe përdorte një metodë të butë me ta, në kufinjtë maksimal të butësisë dhe të mirësisë. Ndoshta ia vlen të kujtojmë me këtë rast hadithin e Aishes kur pa njërin nga jehuditë që kishte shkuar tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe i kishte thënë: “Es-samu alejke (vdekja qoftë me ty) o Muhamed”! Ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ia ktheu: “Ue alejke (edhe mbi ty)”! Aisha që po e dëgjonte përtej perdes u zemërua shumë, ishte e mbushur plot indinjatë dhe gadishmëri mbrojtëse për Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe i tha: “Edhe mbi ty qoftë vdekja, mallkimi dhe zemërimi o ju vëllezërit e majmunave dhe derrave.” Shikoni në këtë rast qëndrimin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe qëndrimin e kësaj gruaje të ndershme. Ndërkohë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: “O Aishe, të porosis për butësi, sepse aty ku ndodhet butësia e zbukuron çdo gjë, dhe kur hiqet prej diçkaje e shëmton atë. Ajo i tha: O i Dërguar i Allahut, a nuk e degjove se çfarë tha? Ai u përgjigj: A nuk e dëgjove se si ia ktheva?!”
Pra, nuk isha i panjohur rreth asaj çfarë thanë por u solla butësisht dhe lehtësisht.
Gjithashtu, dihet morali për të cilin na porosit Kurani ku Allahu i Madhëruar thotë: “E thuajini atij (Faraonit) fjalë të buta, ndoshta do këshillohet e do të frikësohet.”
Nga fjala “tolerancë” kuptoj se unë jam selefi dhe bëj tolerancë me bidatçiun, dhe jo se toleroj veten për të marrë diçka nga akideja dhe të lë diçka tjetër. Pra, të marr akidet kryesore dhe të tregoj tolerancë me gjërat e tjera duke mos u dhënë rëndësi, nuk është ky qëllimi. Nuk besoj se një nxënës dije që ka sadopak njohuri rreth Kuranit dhe Sunetit të kuptojë nga fjala tolerancë tolerancë ndaj bidatit në vetvete, jo kurrsesi.

 

Marrë nga kaseta me nr. 611 e serisë: “Silsiletul huda uen-nur”.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...