Si duhet ta komentojmë Kuranin Fisnik

October 7, 2007

 

 

Si duhet ta komentojmë Kuranin Fisnik

Allahu e zbriti Kuranin Famëlartë në zemrën e të dërguarit të Tij, Muhamedit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ashtuqë t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat e kufrit dhe injorancës në dritën e islamit, Allahu i Lartësuar thotë:

Elif Lam Ra. Ky është libër që ta zbritëm ty që t’i nxjerrësh njerëzit nga errësirat në dritë me lejen dhe vullnetin e Zotit të tyre, në rrugën e të GjithëFuqishmit, të Falënderuarit” (Ibrahim 1).

E bëri të Dërguarin e Tij sqarues dhe shpjegues të asaj që gjendet në Kuran, Allahu i Lartësuar thotë:

Ne ta zbritëm ty Përkujtimin që tua sqarosh njerëzve atë që u është zbritur atyre ashtuqë ata të meditojnë” (Nahl 44).

Suneti është sqarues dhe komentues i asaj që është në Kuran.

Suneti është shpallje nga Allahu, siç thotë i Lartësuari:

Ai nuk flet nga mendja e tij, ai (Kurani dhe Suneti) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet” (Nexhm 3-4).

Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Mua më është dhënë Kurani e më është dhënë edhe njëherë sa ai. Nuk është e largët koha kur një person i ngopur mirë dhe i ulur në kolltukun e tij të thotë: Kapuni pas Kuranit, çfarë të gjeni në të hallall konsiderojeni hallall dhe çfarë të gjeni në të haram konsiderojeni haram. Me të vërtetë atë që i Dërguari i Allahut e bën haram është si ajo që Allahu e ka bërë haram“. (el Mishkah nr: 163).

Gjëja e parë me të cilën komentohet Kurani është vetë Kurani sëbashku me Sunetin -me Sunet do kuptojmë fjalët, veprat dhe aprovimet e Profetit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të -pastaj komentohet me shpjegimet e dijetarëve ku të parët e tyre janë sahabët, shokët e Profetit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- dhe ndër më të dalluarit e tyre (në këtë fushë) ishte Abdullah bin Mesudi, kjo sepse ai e ka shoqëruar Profetin -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- që herët dhe sep ai i ka kushtuar rëndësi të madhe pyetjeve që ia drejtonte Profetit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- rreth Kuranit dhe shpjegimit të tij. Pastaj vjen Abdullah bin Abasi për të cilin ka thënë Ibn Mesudi: Ai është përkthyesi (komentuesi) i Kuranit. Pastaj vijnë sahabët e tjerë, çdo sahabij nga i cili është transmetuar se ka komentuar ajet nga Kurani -dhe nuk është kundërshtuar nga sahabët e tjerë në atë koment- e pranojmë atë tefsir me kënaqësi, dorëzim e pranim. Nëse nuk gjejmë koment nga sahabët e kemi detyrë të marrim nga tabiinët të cilët i kushtuan rëndësi marrjes së tefsirit nga sahabët si psh Seid bin Xhubejri, Tavusi, etj të cilët u bënë të njohur për tefsirin që morën nga disa prej sahabëve e në veçanti nga Ibn Abasi.

Për fat të keq gjejmë njerëz të cilët i komentojnë disa ajete thjesht me llogjikë apo sipas medhhebit të cilit ai i përket. Për këto ajete nuk ka ardhur diçka shpjeguese direkt nga Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, atëherë disa njerëz nga këta të mëvonëshmit veçohen duke i komentuar këto ajete në përputhje me medhhebin që ata kanë zgjedhur. Kjo është çështje shumë e rrezikshme: të komentohen ajetet për të përkrahur medhhebin e tyre në një kohë që dijetarët e njohur të tefsirit i kanë dhënë një koment tjetër ndryshe nga ai i pasuesve të medhhebit. Mund të përmendim një shembull në lidhje me këtë, fjala e Allahut:

Lexoni sa tu vijë më lehtë prej tij (Kuranit)” (Muzemil 20), dikush nga medhhebet e ka komentuar këtë ajet se ka për qëllim leximin gjatë namazit, dmth: ajo që është detyrë në çdo namaz është të lexohet nga Kurani një ajet i gjatë ose tre ajete të shkurtra!!

Kështu thonë ata megjithëse është transmetuar në hadithin e saktë se Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon Fatihatul Kitabin” (Sahihul Xhami nr: 7389) dhe në hadithin tjetër: “Kush fal namaz duke mos lexuar në të Fatihatul Kitabin ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët, jo i plotë” ( Sifetus-Salah fq: 97). Sipas atij medhhebi është hedhur poshtë ajo çfarë tregojnë këto dy hadithe me tefsirin që i bënë ajetit të lartpërmendur, me pretendimin e tyre se në ajet është përmendur leximi në mënyrë të përgjithshme (pra leximi i çdolloj pjese nga Kurani) dhe po sipas medhhebit të tyre nuk lejohet të komentohet Kurani veçse me hadithe që janë muteuatir sepse nuk lejohet të komentohet muteuatiri (Kurani) veçse me muteuatir të ngjashëm.

Kështu pra i refuzuan dy hadithet e mësipërme duke u bazuar në tefsirin që ata i bënë ajetit me llogjikë apo në përputhje me medhhebin e tyre, në një kohë kur që të gjithë ulematë e tefsirit -qofshin ata të hershëm apo të mëvonshëm- kanë bërë të qartë se në ajetin e mësipërm me fjalën: “Lexoni” është për qëllim: Faluni aq sa u vjen më lehtë nga namazi i natës, sepse kjo pjesë e ajetit është përmendur në vazhdim të fjalës së Allahut ku thotë:

Vërtetë Zoti yt e di se ti qëndron duke u falur natën më pak se dy të tretat e natës ose gjysmën e natës ose një të tretën e saj. Po kështu veprojnë edhe një pjesë e atyre që janë me ty. Allahu e përcakton natën dhe ditën” deri ku thotë: “Lexoni nga Kurani aq sa tu vijë më lehtë” (Muzemil 20), dmth: Falni namaz nate aq sa tu vijë më lehtë për ju, pra ajeti nuk ka të bëjë me faktin se sa e ka detyrë robi të lexojë në namazin e natës.

Allahu ua ka lehtësuar muslimanëve duke ua bërë që të falin namaz nate aq sa u vjen atyre më lehtë dhe nuk e kanë detyrë që të falin aq sa falte i Dërguari i Allahut, që siç e dini falte 11 rekate.

Ky është kuptimi i ajetit dhe kjo është një mënyrë të shprehuri në gjuhën arabe duke përmendur vetëm një pjesë të diçkaje por duke pasur për qëllim atë të gjithën, pra fjala e Allahut: “Lexoni” dmth faluni, në këtë rast është për qëllim namazi në tërësi ndërsa leximi është një pjesë prej tij. U përmend vetëm kjo pjesë e namazit për të vënë në dukje rëndësinë e tij. Kjo është e ngjashme me ajetin tjetër ku Allahu thotë:

Kryeje namazin të rregullt që nga mesdita e deri në errësirën e natës (drekën, ikindinë, akshamin, jacinë) dhe leximin e Kuranit në agim” (Isra 78).

Kuptimi i ajetit: “Leximin e Kuranit në agim” dmth: namazin e sabahut, pra përmendi vetëm një pjesë të namazit dhe kishte për qëllim të gjithë namazin, kjo është një mënyrë të shprehuri e njohur në gjuhën arabe.

Prandaj pasiqë dijetarët e tefsirit e bënë të qartë kuptimin e ajetit pa pasur kundërshtim mes tyre, nuk lejohet të refuzohen dy hadithet që i përmendëm me pretendimin se janë hadithe ahad dhe se nuk lejohet të komentohet Kurani me hadithe ahad!!

Ky pretendim është i hedhur poshtë sepse së pari: ajeti për të cilin po flasim është komentuar nga ata dijetarë që e njohin shumë mirë gjuhën e Kuranit dhe së dyti: Sepse hadithi i Profetit salallahu alejhi ve selem nuk bie ndesh me Kuranin, përkundrazi e komenton dhe e qartëson atë siç e thamë në fillim të kësaj fjale. E mbi të gjitha: si mund të pretendohet ajo çfarë ata thanë kur ajeti nuk ka fare lidhje me çështjen se çfarë e ka detyrë muslimani të lexojë në namaz, farz qoftë apo nafile?!

Ndërsa dy hadithet që i kemi përmendur më herët janë shprehimisht të qarta se namazi i atij që falet nuk është i saktë nëse nuk e lexon suren Fatiha: “Nuk ka namaz për atë i cili nuk e lexon Fatihatul Kitabin” dhe: “Kush fal namaz duke mos lexuar në të Fatihatul Kitabin ai namaz është i mangët i mangët i mangët jo i plotë“, dmth është i mangët dhe kush del nga namazi duke e lënë të mangët ai nuk është falur, pra namazi i tij është i kotë siç tregohet qartë në hadithin e parë.

Pasiqë na u bë e qartë ky realitet atëherë ne jemi të qetë kur i gjejmë hadiithet të transmetuara nga Profeti salallahu alejhi ve selem në librat e Suneneve së pari, pastaj së dyti ato hadithe që transmetohen me zinxhirë të saktë transmetimi, nuk dyshojmë aspak në to e as nuk hedhim dyshime rreth tyre me atë lloj filozofie që e dëgjojmë të përflitet në kohën e sotme e cila thotë: Nuk i marrim parasysh hadithet ahade veçse nëse kanë të bëjnë me mënyrat e kryerjes së ibadeteve (ahkamet) ndërsa çështjet e akides nuk mund të bazohen në hadithe ahade! Kështu pretendojnë ata. Siç e dimë Pejgamberi -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- e dergoi Muadhin për të thirrur ehlul kitabin (ithtarët e librave të mëparshëm) në akiden e teuhidit (siç transmeton Buhariu me nr: 1458 dhe Muslimi me nr: 19) pra ai ishte një person i vetëm.

Me kaq besoj se është e mjaftueshme për të bërë të qartë atë që doja të thoja e cila kishte të bënte me: Si duhet ta komentojmë Kuranin Fisnik?

Ue salallahu ue seleme ue bareke ala nebijina Muhamed ue alihi ue sahbihi ue tabiine lehum bi ihsanin ila jeumi din, uel hamdulilahi Rabil alemin.

Shkëputur nga libri: “Si duhet ta komentojmë Kuranin Fisnik

Autor Muhamed Nasirudin Albani

Kjo broshurë: “Si duhet ta komentojmë Kuranin Fisnik“, e cila në fakt në origjinën e saj është një grup pyetjesh të drejtuara shejhut Muhamed Nasirudin Albani, ku u inçizuan përgjigjet pastaj u hodhën në letër nga kaseta dhe iu paraqitën shejhut për ti rishikuar, i cili i lexoi dhe i bëri ca shtesa me dorën e tij. Shtëpia botuese el Mektebetul Islamijeh në Aman e pa të dobishme që ta botojë ashtuqë të përhapet përfitimi prej saj dhe të shpërndahet dija e shejhut, e të ketë shpërblim prej saj edhe në varrin e tij (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu Shuajb Rexha

Loading...