Si fitohet begatia e Ramazanit?
Ez-Zuhriu, dijetari i madh në kohën e tabi’inëve, thoshte: “Ramazani është i karakterizuar nga leximi i Kuranit dhe bamirësia.”
Këto dy vepra kanë qenë praktikë e Profetit (alejhi selam) në Ramazan.
Ibën Abasi thoshte: “I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka qenë njeriu më bujar dhe bujarinë më të madhe e shfaqte në Ramazan, muaj në të cilin takohej me Xhibrilin. Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit duke e studiuar me të Kuranin. Në Ramazan i Dërguari i Allahut ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryn.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Pra, përveç agjërimit i cili është obligimi kryesor, Profeti (alejhi selam) shtonte dhe dy vepra të tjera për të fituar mirësinë e këtij muaji:
– Leximin e Kuranit, sepse Ramazani është muaji i Kuranit.
Ky lexim mund të bëhet në namaz, gjatë teravive, ose edhe jashtë namazit.
– Dhe bujarinë.
Këtë ai e shfaqte duke ushqyer të uriturit dhe nevojtarët, si dhe duke u dhënë sadaka (ndihmë financiare) të varfërve.
Ushqimi më i mirë që ofrohet gjatë muajit të Ramazanit është t’u shtrosh iftar agjëruesve. Kjo sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush i shtron iftar një agjëruesi do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.” (Transmeton imam Ahmedi. Albani e ka vlerësuar Sahih.)
Kulmi i begatisë së Ramazanit gjendet në dhjetë netët e fundit të tij, kjo sepse midis atyre netëve gjendet Nata e Kadrit e cila është e dalluar për shumë veçori. Ndër to përmendim:
- Zbritja e Kuranit në këtë natë.
Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El Kadr: 1)
- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen.
Kjo veçori është ndër shkaqet kryesore që e bëjnë atë natë më të mirë se një mijë muaj, siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El Kadr: 3)
- Këtë natë zbresin engjëjt dhe veçanërisht engjëlli Xhibril.
Siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje.” (El Kadr: 4)
- Kush e kalon këtë natë duke u falur dhe duke adhuruar Zotin i falen të gjitha gjynahet e kaluara.
Siç ka thënë Profeti (alejhi selam): “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Për të arritur begatinë e kësaj nate Profeti (alejhi selam) i kalonte dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i ngujuar në xhami (bënte itikaf), siç tregon Aishja (radijallahu anha):
“Profeti (alejhi selam) ka bërë itikaf dhjetë-ditëshin e fundit të çdo Ramazani, derisa ndërroi jetë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)