Si mund ta përshkruajmë besimin tek Allahu në mënyrë më të shtjelluar?

November 29, 2015

Pyetje: Si mund ta përshkruajmë besimin tek Allahu në mënyrë më të shtjelluar?
Përgjigje: Ne e pranojmë bindshëm me zemrat tona dhe e pohojmë me gjuhët tona se:
Allahu është Krijuesi i gjithçkaje që ekziston.
Ai është Një i Vetëm, nuk ia ka nevojën askujt, ndërkohë që të gjithë kanë nevojë për Të.
Është i veçuar me të gjitha cilësitë e përsosmërisë, lavdisë dhe madhështisë.
Ai është i Përsosur në mënyrë absolute në çdo aspekt, aq sa krijesat nuk munden ta perceptojnë, apo ta përfshijnë me dijen e tyre madhështinë dhe përsosmërinë e atyre cilësive.
Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka qenë askush.
Ai është i Fundit, pas të Cilit nuk mbetet më askush.

Ai është i Larti, mbi të Cilin nuk është askush.
Ai është i Afërti dhe më afër se Ai s’është askush.
Ai është më i Larti, i Lartësuar me qenien e Tij, me pozitën e Tij dhe me sundimin e Tij.
Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Ai është Dëgjuesi i të gjithë zërave, pavarësisht shumëllojshmërisë së gjuhëve dhe larmishmërisë së kërkesave.
Ai është Shikuesi i çdo gjëje.
Ai është i Urti në krijimin dhe ligjvënien e Tij.
Ai është i Lavdëruari në cilësitë dhe veprat e Tij.
Ai është i Madhëruari në madhështinë dhe krenarinë e Tij.
Ai është Mëshiruesi, i Gjithëmëshirshmi, mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka.

Bujaria, mirësia dhe dhurimi i Tij kanë përfshirë çdo gjë që ekziston.
Ai është Poseduesi i gjithçkaje. Sunduesi i të gjitha mbretërive. Sundimi është cilësi e pandashme e Tij. E gjithë bota e sipërme dhe e poshtme janë të nënshtruar dhe robër të Tij. Atij i takon pushteti absolut. Ai është i Gjalli, gjallëria e të Cilit është përsosmërisht e plotë, gjallëri kjo, që i përfshin të gjitha cilësitë e Tij qenësore.
Ai është Përkujdesësi i Përhershëm, Mbajtësi i gjithçkaje, i Cili nuk ia ka nevojën askujt dhe asgjëje.
Ai është i përshkruar me cilësitë vepruese ashtu siç i përkasin madhështisë së Tij, Ai bën çfarë të dëshirojë dhe ajo që Ai dëshiron bëhet, ndërsa ajo që Ai nuk e dëshiron nuk mund të ndodhë.

Dëshmojmë se Zoti ynë është Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi (Ai që u ka dhënë formën krijesave). Ai i krijoi ato në mënyrën më të përsosur dhe me një sistem të përkryer.

Si dhe dëshmojmë se Ai është Allahu (i Adhuruari), përveç të Cilit nuk ka asnjë të adhuruar me të drejtë dhe me meritë. Adhurimi i takon vetëm Atij dhe askush nuk meriton të adhurohet përveç Tij.
Prandaj, nuk i përulemi dhe nuk i nënshtrohemi dhe nuk i drejtohemi (për çdo nevojë) askujt tjetër, përveç Allahut, të Vetmit, Ngadhënjyesit, të Plotfuqishmit, Krenarit, Mëkatfalësit.
Vetëm Atë adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë, tek Ai shpresojmë dhe vetëm Atij i frikësohemi.
Shpresojmë në mëshirën e Tij dhe i frikësohemi dënimit të Tij, i cili mund të shkaktohet nga mëkatet tona dhe në përmbushje të drejtësisë së Tij. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, të cilit t’i lutemi e t’i kërkojmë ndihmë, e as të adhuruar tjetër përveç Tij, prej të cilit mund të shpresojmë. Ai është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi ynë që na përmirëson fenë tonë dhe dynjanë tonë. Ai është Ndihmësi më i mirë, i Cili largon prej nesh çdo gjë të keqe dhe të vështirë.
(Pyetje pergjigje – Abdurrahman ibn Nasir ES SA’DI)

Loading...