Si njihen pjesët e Kuranit që janë shpallur në Meke dhe ato që janë shpallur në Medine?

February 22, 2023

Dijetarët janë mbështetur në dy metodologji themelore për njohjen e pjesëve të Kuranit të shpallura në Meke dhe pjesëve të shpallura në Medine.

E para: Përmes transmetimeve. Kjo metodologji mbështetet në transmetimet autentike nga sahabët që jetuan në kohën e shpalljes dhe që ishin dëshmitarë të kësaj shpalljeje. Si dhe nga tabi’inët të cilët morën njohuri nga sahabët dhe dëgjuan prej tyre sesi erdhi shpallja, vendet dhe situatat që lidhen me të. Pjesa më e madhe e asaj që përcillet për pjesët e Kuranit të zbritura në Meke dhe ato në Medine është e kësaj kategorie, sepse nuk është përcjellë ndonjë fjalë nga i Dërguari i Allahut për shkak se ai nuk ishte urdhëruar ta bënte këtë.

Shembulli i kësaj është ajo që lexuesi do të gjejë në fillim të një sureje nëse është shpallur në Meke apo në Medine.

E dyta: Përmes analogjisë dhe ixhtihadit. Kjo metodologji mbështetet tek tiparet dalluese të pjesëve që janë shpallur në Meke dhe atyre në Medine. Nëse në një sure mekase gjen një ajet (varg) që mban tiparet e një ajeti që ka zbritur në Medine ose përmban diçka nga ngjarjet që kanë ndodhur atje, ata thonë se surja është Medinase. Nga ana tjetër, nëse në një sure medinase gjen ndonjë ajet që mban tiparet e një pjese që ka zbritur në Meke, ose përmban diçka nga ngjarjet e saj, atëherë ata i thonë se është sure Mekase. Nëse ata gjejnë në një sure tipare të Kuranit mekas e quajnë atë si sure mekase. E nëse gjejnë në një sure tipare të Kuranit medinas ata e quajnë atë sure medinase.

Një shembull i kësaj: Kanë thënë: Të gjitha suret që përmbajnë histori të profetëve dhe popujve të kaluar konsiderohen se janë mekase, dhe të gjitha suret që përmbajnë ligje apo dënime të parapara atëherë ato konsiderohen sure medinase.[1]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————

[1] Shih “Ulum el Kuran” të el Katanit.

Loading...