Si të përfitosh nga Nata e 27-të e muajit Ramazan?

March 26, 2025

1️⃣ Trokit në dyert e qiellit. Kjo është një natë madhështore, ndaj shtoje lutjen me përkushtim dhe besim të palëkundur. Kërko nga Zoti me këmbëngulje, sepse nuk ka humbur kurrë ai që i ka kërkuar Zotit dhe është mbështetur tek Ai.

2️⃣ Fale namazin e natës (teravinë) me përulësi dhe lutje. Një orë e kaluar në namaz vlen shumë vite. Momenti më i afërt i robit me Zotin është në sexhde. Profeti ﷺ ka thënë: “Kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke pritur shpërblim, i falen mëkatet e kaluara.” [Muttefekun alejhi.] Ndërkohë që nata e 27-të është një nga netët më të mundshme për të qenë nata e Kadrit sipas shumë dijetarëve.

3️⃣ Le të jetë Kurani shoqëruesi i zemrës tënde. Lexoje atë me përulësi dhe meditim. Çdo shkronjë e tij është bekim dhe dritë. Le të gjallërohet zemra jote me ajetet e mëshirës dhe shpresës. Kupto se çdo premtim i tij është i vërtetë dhe çdo paralajmërim është realitet. Le të jetë leximi yt një bisedë e sinqertë me Zotin.

4️⃣ Mos lër pa dhënë sadaka në këtë natë. Sadakaja mund të të hapë dyer mirësie që vetëm Allahu i di. Profeti ﷺ ka thënë: “Sadakaja e shuan mëkatin ashtu siç e shuan uji zjarrin.” [Tirmidhiu.]

Mos e nënvlerëso kurrë dhënien qoftë edhe një dinar apo një vakt ushqimi, sepse ajo mund të jetë arsyeja për mëshirë dhe lehtësim nga vështirësitë.

5️⃣ Lidhu me përmendjen e Allahut. Lëre gjuhën tënde të freskohet me Tehlilin (La ilahe illAllah), Tesbihin (SubhanAllah) dhe Istigfarin (kërkimin e faljes), sepse përmendja e Allahut është jetë për zemrat.

6️⃣ Mos e lër të kalojë asnjë orë pa e mbushur me lavdërime dhe istigfar. Përdor fjalët e duave të përgjithshme sepse ato janë thesare të mirësisë që rëndojnë peshoren e veprave dhe hapin dyert e kënaqësisë hyjnore.

7️⃣ Pastroje zemrën dhe çliroje shpirtin. Largo urrejtjen dhe mëritë nga zemra jote. Hiqi barrët e smirës dhe inatit, sepse një lutje nga një zemër e pastër në këtë natë mund të ndryshojë të ardhmen tënde. Allahu i Lartësuar thotë: “Le të falin dhe të jenë të mëshirshëm. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve? Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” | En Nur: 22.

Kjo është një natë madhështore që mund të ndryshojë rrjedhën e jetës dhe të shkruajë lumturinë tënde. Pranoje me zemër të mbushur me shpresë dhe shpirt të mbushur me sinqeritet dhe devotshmëri. Allahu na pranoftë, na udhëzoftë dhe na ndihmoftë!

Autor: Dr. Abdul Latif bin Abdullah et Tuvejxhiri

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...