Si të reagojmë nëse dikush flet gjatë hytbes së xhumasë?

October 15, 2025

Hytbeja e xhumasë është moment përkujtimi; ku lavdërohet Allahu ﷻ, lexohet Kurani dhe fjala e Profetit ﷺ, jepen në të këshilla dhe udhëzime për besimtarët.

Ajo është pjesë themelore e namazit të xhumasë. Dëgjimi i saj me vëmendje është shenjë respekti dhe serioziteti ndaj fjalës së Allahut ﷻ dhe mësimeve të Profetit ﷺ, ndaj kush flet, shpërqëndrohet ose shpërqëndron të tjerët, rrezikon të humbasë shpërblimin e xhumasë.

Profeti ﷺ ka urdhëruar që hytbja e xhumasë të dëgjohet me vëmendje dhe ka ndaluar çdo formë të të folurit gjatë saj.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nëse i thua shokut tënd ditën e xhuma: ‘Dëgjo me vëmendje!’ ndërkohë që imami po mban hytben, ke bërë një veprim të kotë (të shëmtuar e të pavlerë).”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Në një hadith tjetër që transmeton Ebu Hurejra, Profeti ﷺ ka thënë:

“Kush prek guralecët (në xhami gjatë hytbes) ka bërë veprim të kotë.”

(Transmeton Muslimi.)

Megjithatë, ndonjëherë ndodh që dikush të flasë, të përdorë celularin apo të merret me diçka tjetër gjatë hytbes. Këto vepra e prishin shpërblimin dhe janë të ndaluara gjatë hytbes.

Si duhet të reagojmë në të tilla raste?

Në të tilla raste nuk lejohet që t’i flitet personit, dhe kjo për shkak se angazhimi me hytben është më parësor se urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga të këqijat. Ajo që lejohet në të tilla raste është që atij t’i bëhët me shenjë ose t’i tërhiqet vëmendja me dichka të ngjashme, por pa folur.

Hafidh Ibn Hazmi (v. 456 H) ka thënë:

“Nuk lejohet t’i thuhet ‘hesht’ atij që flet gjatë hytbes, por atij i bëhet me shenjë për t’u ndalur.”

(“El Muhal-la” 3/268.)

Imam Ibn Rexhebi (v. 795 H), duke komentuar hadithin e mësipërm sqaron:

“Profeti ﷺ në këtë hadith e ka quajtur veprim të kotë edhe urdhërimin për të dëgjuar me vëmendje gjatë hytbes, megjithëse ai në vetvete është një urdhër për të mirë dhe ndalim nga e keqja.

Kjo tregon se çdo fjalë apo vepër që e shpërqëndron njeriun nga përqëndrimi në hytbe, është e pavlefshme dhe e kotë. Prandaj, ai që dëshiron ta ndalë dikë nga të folurit, le ta bëjë këtë vetëm me shenjë.”

Transmetohet se Ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i bënte shenjë personit që fliste, dhe ndonjëherë i hidhte lehtë guralecë për t’i tërhequr vëmendjen.

Dijetarët nuk kanë mosmarrëveshje mbi lejueshmërinë e bërjes me shenjë për të heshtur gjatë hytbes, përveç asaj që është transmetuar nga Tause, por ky mendim nuk është i saktë. Kjo sepse bërja me shenjë është e lejuar edhe gjatë namazit, ndaj në kohën e hytbes është edhe më parësore që të lejohet.

 

Autor: Ibn Rexheb

Marrë nga libri: “Fet’hul Bari”, 8/275.

Përshtati: Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...