Si veprohet me atë që ka pasuri haram?
Vijon nga shkrimi i kaluar…………..
Mundësia e dytë: Është haram për nga mënyra e fitimit si; kamata, lojërat e fatit, muzika, alkooli, ryshfeti, mashtrimi etj.
Kur pasuria është e tillë, atëherë nëse ajo përdoret nga fituesi i saj për t’i shlyer një borxh tjetrit atëherë ajo pranohet.
Sulejman Et-Tejmij tregon: Është pyetur Ibn Sirini për borxhin e shlyer nga pasuria e fituar në kumar, dhe ka thënë: Nuk ka gjë. Ndërsa El-Hasen El-Basrij është pyetur për borxhin e shlyer me para të fituara nga kamata dhe ka thënë: Nuk ka gjë. E transmeton Ibn Ebi Shejbe me zinxhir të saktë.
Fjala e tyre “Nuk ka gjë” d.m.th. për të zotin e borxhit ta pranojë shlyerjen e borxhit në këtë mënyrë, sepse borxhliu e mban përgjegjësinë e kumarit apo të kamatës.
Is’hak El-Keusexh thotë e kam pyetur për këtë gjë imam Ahmedin, dhe ai ka thënë: Nuk më pëlqen kjo gjë. Kurse Ishak bin Rahauejhi i ka thënë si mendimi i Ibn Sirinit dhe El-Hasen El-Basrij.
E nëse ajo pasuri e fituar haram të ofrohet si ushqim apo dhuratë dhe ti e di atë në veçanti, atëherë disa prej selefëve nuk e pranonin.
Sufjan Etheurij thoshte: “Nëse e di në veçanti, mos e prek.” E transmeton Abdurrazaku. Të njëjtin mendim ndajnë edhe imam Zuhriu, Mekhuli, Fudejl Ibn Ijadi siç tregon Ibn Raxheb El-Hanbelij në librin “Xhami’ El-Ulum Uel-Hikem”.
Ndërsa kur pasuria e fituar haram është e përzier me pasuri tjetër hallall dhe nuk njihet, atëherë ajo pranohet dhe çështja këtu është më e lehtë, dhe ja mendimet e disa prej selefëve:
Një burrë erdhi te Ibn Mesudi dhe i tha: Unë kam një komshi që ha kamatën dhe gjithmonë më fton. Ai tha: “Kënaqësia e tij (e ushqimit) është për ty dhe gjynahu i tij për të.” Ndërsa Sufjan Eth-Theurij thoshte: “Nëse e di në veçanti mos e prek.” E transmeton Abdurrazaku.
Selman El-Farisij thotë: “Nëse ke ndonjë shok apo komshi apo të afërt që është me post, dhe të jep ndonjë dhuratë apo të fton për ushqim, pranoje sepse kënaqësia e tij (e ushqimit) është për ty dhe gjynahu i tij është për të.” E transmeton Abdurrazaku.
Fjala e tij “është me post” ka për qëllim atë njeri që fiton pasuri haram duke shfrytëzuar postin.
Është pyetur Ibrahim En-Nekhaij: Një përgjegjës i yni bën zullum dhe fiton nga zullumi, dhe më fton por unë nuk i shkoj. Ai i ka thënë: “Shejtani të ka nxitur për të hedhur armiqësi sepse përgjegjësit më përpara bënin zullum dhe fitonin prej tij (zullumit), pastaj ftonin të tjerët dhe njerëzit ju shkonin.” E transmeton Abdurrazaku.
Është pyetur Ibrahim En-Nekhaij: “Shkova mik te një përgjegjës i cili më priti mirë dhe më dhuroi një dhuratë. Ai më tha: Pranoje! Pyetësi i thotë: Ai punon me kamatë. Ai i thotë: “Pranoje përderisa nuk e ke urdhëruar apo ndihmuar ti.” E transmeton Abdurrazaku.
Është pyetur Hasen El-Basrij për ushqimin e këmbyesve të monedhave dhe ka thënë: “Allahu ju ka njoftuar për çifutët dhe të krishterët se ata e hanë kamatën, dhe nga ana tjetër ua ka lejuar ushqimin e tyre.” E transmeton Abdurrazaku.
Fjala e tij “këmbyesve të monedhave” d.m.th. fiton pasuri duke këmbyer flori me flori apo serm me serm, gjë e cila është ndaluar sepse futet te kamata veçse nëse ato janë të një lloji (në pastërti) dhe bëhen në dorë (në moment).
Adij bin Ertat (prijës i Basras në kohën e tabiinëve të mëdhenj) i çonte ushqim Hasen El-Basriut, Shabiut dhe Muhamed bin Sirinit, dhe Hasen El-Basriu me Shabiun e pranonin kurse Ibn Sirini e refuzonte. E transmeton Abdurrazaku.
Fetvaja e sheih Ibn El-Uthejminit -Allahu e mëshiroftë- lidhur me këtë çështje.
Sheihu i nderuar në shpjegimin e “Kitabu Teuhid” thotë: Ajo gjë që është haram nga ana e fitimit gjynahu është i atij që e ka fituar dhe jo i atij që e ka marrë prej tij në mënyrë të lejuar, ndryshe kur ajo gjë është në vetvete haram si alkooli apo gjëja e grabitur etj. Ky mendim është i drejtë dhe i fortë për shkak se Profeti -alejhi selam- ka blerë prej çifutëve ushqime dhe ka ngrënë mishin e deles së dhuruar nga një çifute në Hajber. I është përgjigjur ftesës së çifutëve ndërkohë që dihet se shumica e tyre hanë prej kamatës dhe harameve, dhe ndoshta e forcon këtë mendim edhe fjala e Profetit -alejhi selam- në lidhje me mishin që iu dha sadaka Berires -radiallahu anha- kur ka thënë: “Ai për të është sadaka dhe për ne dhuratë.” Shih librin “El kaulul-mufid fi sherh kitabu et teuhid” 2/352.
Sheihu i nderuar në tefsirin e sures El-Bekare ajeti 57 ku Allahu i madhëruar u thotë Beni Israilëve: “Hani prej të mirave që u kemi furnizuar.” Shejhu thotë: “…ndërsa pasuria e pistë për shkak se është marrë nga mashtrimi, kamata apo gënjeshtra etj. ajo është haram për atë që e ka fituar në atë mënyrë dhe nuk është haram për atë që e ka fituar prej tij nëpërmjet rrugëve të lejuara. Për këtë tregon fakti se Profeti -alejhi selam- kishte marrëdhënie me çifutët edhe pse ata hanin haramin dhe merrnin kamatën, çka do të thotë se nuk është haram veçse për atë që e ka fituar. Shih tefsirin e sures El-Bekara: 1/198.
Shejhu i nderuar në këto fetva barazon mes dy rasteve edhe kur harami njihet edhe kur nuk njihet, sepse sipas tij ajo është haram për atë që e ka fituar dhe jo për atë që e ka marrë prej tij në mënyrë të lejuar, dhe kjo mendoj se është më e sakta. Allahu e di më së miri!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve