Sqarimi i çështjes së sigurimeve

1. Fetvaja e shejh Muhamed Nasirudin el Albani – Allahu e mëshiroftë.

Pyetësi: Dijetarët muslimanë janë në mospajtim rreth sigurimeve. Disa i kanë quajtur ato të lejuara, disa i kanë quajtur të ndaluara, ndërsa disa të tjerë e kanë shtjelluar këtë çështje duke i quajtur të lejuara disa lloje dhe të tjerat të ndaluara. Na jepni mendimin tuaj në këtë çështje, Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Sigurimi me të gjitha llojet e tij është një lloj kumari që është shpikur në kohët moderne. Prandaj nuk lejohet asnjë lloj sigurimi; qoftë ai që bëhet për makinat, për pasuritë e patundshme, për jetën, apo çdo gjë tjetër materiale.
Kjo ngase nga sigurimi me të gjitha llojet e tij nuk bëhet asnjë punë në këmbim nga kompania e sigurimeve, përveç fatit apo shansit. Për këtë arsye nuk ka dallim mes asaj që sot quhet sigurim (siguracion) dhe asaj që quhet fat, apo fat bamirës, dhe mes fjalës së Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë alkooli, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetave për fall janë punë e ndytë prej shejtanit, prandaj largohuni prej tyre në mënyrë që të shpëtoni.” (El Maide: 90)
Zoti ynë i Lartmadhëruar kur e ndaloi kumarin dhe çdo gjë që lidhet me të prej kumareve bashkëkohore, e bëri këtë për shkak se ajo është diçka që nuk bazohet në përpjekje apo lodhje nga ana e njeriut. Ai mund të fitojë gjë që është mundësia më e madhe, dhe mund të humbasë gjë që është mundësia më e vogël, pra ndryshe nga sigurimi.

Sikur njeriu të ishte i pa ndikuar nga realiteti që e rrethon prej rrethanave dhe zakoneve të shoqërisë, do të kuptonte se sigurimi është lloji më i keq i bixhozit në faqen e tokës. Ai është kumari më i keq në faqen e tokës sikur ta dinin, sepse kumarxhiu më i madh është i kërcënuar nga rreziku i humbjes. Prandaj dëgjon për kumarxhitë më të mëdhenj se si humbasin miliona brenda ditës, ndërsa kompanitë e sigurimeve nuk humbasin.

Sikur një kompani e vetme të humbiste do të shkriheshin të gjitha kompanitë e sigurimit (por kjo nuk ndodh). Kur ato vendosin çmimet e sigurimit për qytetarët që kërkojnë të sigurohen në kompanitë e tyre, bëjnë llogari shumë të përpikta. Për këtë i ndihmon në kohët moderne aparati që sot quhet kompjuter, dhe u kursen shumë mund që e shpenzonin më parë.

Le të marrim si shembull kompaninë që siguron jetën e njeriut. Ndoshta të gjithë e dini se ata nuk sigurojnë jetën e nje njeriu që ka arritur një moshë të madhe si puna ime, sepse thonë: Ky është në buzë të varrit. Ata bëjnë llogari të imtësishme dhe besoj se kanë një kufi, diku deri në 60 vjeç. Përse ky kufi? Sepse ata bëjnë llogari shumë të detajuara, dhe e dinë se po të sigurojnë dikë që i ka kaluar të gjashtëdhjetat ata humbasin.

Po ashtu, prej llogarive të tyre të imtësishme është se studiojnë statistikat e çdo vendi p.sh. sa aksidente automobilistike mund të ndodhin në të. Dhe kjo është shumë e lehtë për ta. Le të supozojmë se statistikat tregojnë që në këtë vend ndodhin afërsisht 1000 aksidente çdo vit. Pastaj llogarisin çdo makinë, se sa është shkalla e dëmtimit që ajo mund të pësojë. A janë dëmtimet më të shumta të tilla që shkatërrojnë makinën totalisht, apo janë dëmtime të lehta? E kështu me rradhë. Në fund nxjerrin totalin: U duhen për shembull një milion dinar (euro) për të mbuluar dëmtimet e makinave të siguruara, prandaj ata bëjnë llogari që të fitojnë prej të siguruarve një milion e një çerek dinar (euro), apo një miljon e 100 mijë euro. Atyre u mjafton atyre dhe prapë dalin të fituar.

Për këtë arsye kompanitë nuk humbasin dhe kjo çështje është shumë e qartë, sidomos po të kemi parasysh pamjen që vjen dhe të kundërtën e saj.

Një person sapo del me makinën e tij të re nga kompania ku e ka blerë, pëson aksident dhe makina e tij shkatërrohet plotësisht, ndërkohë që makina është e siguruar dhe ai ka paguar këstin e parë të saj. Sa mund të kushtojë kësti i tij? Nuk e di, ndoshta 20 dinar. Në këmbim të 20 dinarëve atij i paguajnë 20 mijë dinarë që është edhe çmimi i makinës së re. A ka ndonjë prej njerëzve sado i leshtë të jetë nga mendja apo që nuk kupton fare, të mendojë se kompania këto 20 mijë dinarët i pagoi nga xhepi i saj dhe humbi?! Jo, këto 20 mijët i erdhën asaj nga të siguruarit e tjerë të cilët kanë paguar sigurimet për dhjetë vjet apo njëzet vjet, dhe s’kanë bërë asnjë aksident. Të gjitha këto para grumbullohen te kompania, dhe kur ndodh ndonjë aksident i tillë ata paguajnë nga shuma që kanë mbledhur në vite nga të siguruarit e tjerë të cilëve nuk u ka ndodhur asnjë aksident. Ky është edhe kumari, paguhet një shumë e caktuar parash në këmbim të një letre të shkruar dhe pa asnjë punë.

Dikur në të kaluarën ekzistonte një lloj sigurimi, për shembull: Një anije tregtare ruhej me roje nga sulmet e piratëve të detit, roje të cilët ishin të përgatitur për çdo lloj sulmi. Ky lloj sigurimi s’ka asnjë problem sepse atyre u paguhen para në këmbim të ruajtjes së mallit.
Ndërsa sigurimi i sotëm është ndryshe, dhe unë habitem sesi dijetarët që përmende i konsiderojnë të lejuara disa lloje sigurimesh ndërsa disa jo, kur të gjitha ato hyjnë tek kumari.

Prandaj nuk e këshillojmë asnjë musliman që të sigurojë asgjë, qoftë ajo që sigurohet; makinë, pasuri e patundshme, shtëpi, apo të ngjashme me këto.

Por këtu del një çështje tjetër: Sigurimi që është i imponuar prej shtetit për këtë njeriu nuk ka përgjegjësi, sepse konsiderohet taksë si të gjitha taksat që vendos shteti. Megjithatë, diçka duhet theksuar edhe këtu:

Nëse personi i siguruar paguan siguracionin i detyruar nga shteti për makinën e tij dhe pastaj i ndodh një aksident, kompania – në bazë të marrëveshjes – i paguan atij dëmin që i është bërë. Këtu themi se: Nëse shuma e sigurimeve që ai ka paguar (ndër vite) është e barabartë me shumën që do t’i paguajë kompania apo është më e madhe se ajo, atij i lejohet që ta marrë atë shumë parash prej kompanisë. Ama nëse është si shembulli i parë që supozuam; që ka blerë makinë të re dhe s’ka ecur me të veçse pak, e i prishet makina komplet në një kohë që ai ka paguar vetëm një këst dhe ata ja paguajnë komplet çmimin e makinës, kjo është e ndaluar dhe nuk lejohet. Ky është shtjellimi i kësaj çështjeje.

2. Fetvaja e Shejkh Muhammed ibn Salih el Uthejmin – Allahu e mëshiroftë.

Pyetje: A u lejohet muslimanëve të bëhen pjesë e kompanive të sigurimit duke paguar një shumë të caktuar për çdo muaj – ka për qëllim në vendet ku ata janë minorancë dhe aty ku nuk ka shtet islam –, dhe nëpërmjet kësaj pagese kompania e sigurimeve u paguan një pension mujor fëmijëve të tyre pas vdekjes së tyre?

Përgjigje: Ajo që di për akt-marrëveshjet e sigurimeve është se ato janë të bazuara në fitim ose humbje. Dhe çdo akt që bazohet mbi këtë konsiderohet kumar të cilin Allahu i Lartmadhëruar e ka ndaluar në Librin e Tij, dhe e ka përmendur atë bashkë me alkoolin dhe adhurimin e idhujve: “O ju që keni besuar, me të vërtetë alkooli, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetave për fall janë punë e ndytë prej shejtanit. Prandaj, largohuni prej tyre në mënyrë që të shpëtoni.” (El Maide: 90)

Po iu jap një shembull prej atyre që njoh personalisht. Dikush e siguron makinën duke paguar çdo vit një mijë dirhem, dhe kompania e sigurimeve merr përsipër të paguajë dëmet që mund t’i ndodhin makinës së tij. Nëse kalon viti dhe makinës tënde nuk i ndodh asnjë dëm, kompania e sigurimeve del me fitim ndërsa ai që pagoi paratë del me humbje. Nëse makina pëson difekt shuma e të cilit është më e madhe nga ç’i është paguar kompanisë, atëherë i siguruari del me fitim ndërsa kompania e sigurimeve me humbje. Duhet të dimë se çdo akt që sillet rreth humbjes dhe fitimit është kumar i ndaluar.

Më kanë përmendur se disa shtete i detyrojnë njerëzit që të paguajnë sigurimet, prandaj cili është qëndrimi i muslimanit në këtë rast?
Mendoj se në këtë rast ai e paguan sigurimin i imponuar duke mos menduar se është një akt-marrëveshje, por duke besuar se e bën këtë gjë për të larguar padrejtësinë nga vetja. Nëse nuk i ndodh asgjë makinës kjo është prej mirësisë së Allahut ndaj tij, dhe paratë që ia kanë marrë janë padrejtësi shpërblimin e së cilës do ta marrë Ditën e Gjykimit. E nëse i ndodh asaj ndonjë dëm dhe dëmi është i barabartë me shumën që ai ka paguar, atëherë kjo është për atë (i lejohet ta marrë dëmshpërblimin prej kompanisë). Por nëse dëmshpërblimi që merr prej kompanisë është më i madh se shuma që ai ka paguar në formën e sigurimeve, atëherë ai duhet të marrë vetëm aq sa ka paguar dhe jo më tepër. Supozojmë se dëmi që i është bërë makinës kushton 10.000 dirhem ndërsa ai ka paguar vetëm 1000 dirhem, ai nuk duhet të marrë më shumë se 1000 dirhem. Vetëm kështu konsiderohet i lejuar fetarisht ky veprim, me aq sa di unë.

Përktheu: Emin Bilali