Të ka paraprirë Ukasha!

May 13, 2025

  • “Të ka paraprirë Ukasha!”

Falënderimet i takojnë Allahut, falënderime të shumta, të mira dhe të bekuara, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi atë që u dërgua me fenë e drejtë e të lehtë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Vërtet, pejgamberi ynë Muhamedi -paqja qoftë mbi të- është më i miri i të gjithë pejgamberëve në mënyrë absolute, dhe umeti i tij është më i miri nga të gjithë umetet si pasojë e vlerës së tij. Prandaj ai do të jetë i pari që do të hyjë në xhenet, pastaj të tjerët nga pejgamberët, e më pas umeti i Muhamedit, dhe ata do të jenë më të shumtit që do të hyjnë në xhenet. Madje nga mesi i tyre do të jenë shtatëdhjetë mijë veta që do të hyjnë në xhenet pa llogari dhe pa dënim, dhe me secilin prej këtyre shtatëdhjetë mijëve do të hyjnë edhe shtatëdhjetë mijë të tjerë, siç ka ardhur në disa transmetime. Cilat janë cilësitë dhe veprat e këtyre shtatëdhjetë mijëve që e merituan këtë gradë dhe këtë medalje të përjetshme -lutemi që Allahu të na bëjë prej tyre-? Ky është boshti rreth të cilit do të sillet shpjegimi i këtij hadithi të shkurtër të pejgamberit ﷺ.

Teksti i hadithit:

Nga Ibn Abasi -Allahu qoftë i kënaqur me të – transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ doli një ditë dhe tha: “M’u shfaqën umetet. Filluan të kalonin pranë meje: një pejgamber me të cilin ishte një person, një pejgamber me të cilin qëndronin dy persona, një pejgamber me të cilin qëndronte një grup i vogël (rahṭ), dhe një pejgamber që nuk kishte asnjë pasues. Pastaj pashë një grumbull të madh njerëzish që mbulonte horizontin, dhe shpresova që të ishin umeti im. M’u tha: Ky është Musai me popullin e tij. Pastaj m’u tha: Shiko. Dhe pashë përsëri një grumbull të madh që mbulonte horizontin. M’u tha: Shiko këtej dhe andej. Pashë një masë të madhe që mbulonte horizontin. M’u tha: Këta janë umeti yt, dhe me ta janë shtatëdhjetë mijë veta që do të hyjnë në xhenet pa llogari. Ata janë ata që nuk sillen me ogurzi, nuk kërkojnë rukje, nuk i nënshtrohen djegies mjekësore (kauterizim), dhe mbështeten vetëm te Zoti i tyre.” Atëherë aty u ngrit Ukasha ibn Mihsani dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë prej tyre.” Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, bëje prej tyre!” Pastaj u ngrit një burrë tjetër dhe tha: “Lute Allahut që të më bëjë prej tyre.” Ai i tha: “Të parapriu Ukasha!”

(Hadith i saktë, transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi)

Shpjegimi i fjalëve të vështira:

“Umetet”: shumës i fjalës “umet”, d.m.th. popujt me pejgamberët e tyre.

“Rahṭ”: grup prej më shumë se tre vetave e më pak se dhjetë.

“Seuad”: në këtë kontekst nënkupton një grumbull njerëzish të shumtë që shihen nga larg.

“Ufuk”: horizont, d.m.th. drejtimi nga lindja ose perëndimi i diellit.

La jetetajerun “Nuk sillen me ogurzi: nuk besojnë në shenja ogurzeza.

La jesterkuun “Nuk kërkojnë rukje”: nuk u luten të tjerëve që t’u lexojnë kurim me Kuran ose dua.

“Nuk i nënshtrohen djegies mjekësore (la jektevun)”: nuk i kërkojnë të tjerëve që t’i kurojnë me djegie të hekurit të nxehtë.

“Mbështeten”: mbështetja (teuekul) është të mbështetesh te Allahu për të arritur atë që dëshiron dhe për të larguar të keqen, me besim të plotë dhe duke marrë shkaqet e lejueshme.

“Ukasha”: emër i sahabiut Ukasha ibn Mihsan el-Esedi.

Përmbledhje kuptimore:

Pejgamberi ﷺ tregon se iu shfaqën umetet me pejgamberët e tyre. Disa pejgamberë kishin me vete një njeri, disa dy, disa një grup të vogël, ndërsa disa asnjë. Pastaj iu shfaq një grumbull i madh që mbulonte horizontin. Ai shpresoi që të ishte umeti i tij, por iu tha se ishte Musai me popullin e tij. Pastaj iu shfaq një tjetër masë edhe më e madhe, dhe iu tha se ishin umeti i tij. Me ta qëndronin 70.000 veta që do të hynin në xhenet pa llogari dhe pa dënim. Sahabët, si gjithmonë kur dëgjuan për xhenetin, u mahnitën dhe shpresuan të ishin prej tyre. Kaluan gjithë natën duke folur se kush janë ata dhe cilat janë cilësitë e tyre. Pejgamberi ﷺ ua tregoi ato: nuk sillen me ogurzi, nuk kërkojnë rukje, nuk i nënshtrohen djegies mjekësore, dhe mbështeten te Zoti.

Ukasha i kërkoi të lutej për të, dhe Pejgamberi ﷺ u lut. Një tjetër kërkoi po ashtu, por Pejgamberi i tha: “Të parapriu Ukasha”.

Disa dobi nga hadithi:

1. Allahu u zbulon të Dërguarve të Tij disa nga çështjet e fshehta (gajb).

2. Ngushëllim për Pejgamberin ﷺ për refuzimin që i bëhej nga njerëzit.

3. Nderimi dhe vlera e Pejgamberit ﷺ si më i ndjekuri nga të gjithë pejgamberët.

4. Çdo umet do të tubohen me pejgamberin e vet Ditën e Kiametit.

5. Daveti nuk matet me numra: mos u gëzo shumë për shumicën, as mos u dëshpëro për pakicën.

6. Ndiqe të vërtetën edhe nëse je i vetëm.

7. Vlera e mbështetjes së sinqertë te Allahu.

8. Dëshira dhe etja e sahabëve për xhenetin.

9. Xheneti kërkon vepra dhe përpjekje, përveç mëshirës së Allahut.

10. Lutja e Pejgamberit ﷺ u pranua për Ukashën.

11. Nder dhe myzhde për Ukashën si nga banorët e xhenetit.

12. Butësia dhe zgjuarsia e Pejgamberit ﷺ në trajtimin e kërkesës së njeriut të dytë.

Referencat:

1. Hadithi kryesor është transmetuar nga:

Buhariu, nr. 5705, në Librin e Mjekësisë, kapitulli për ata që nuk kërkojnë rukje.

Muslimi, nr. 220, në Librin e Imanit, kapitulli për grupet që do të hyjnë në xhenet pa llogari.

2. Shpjegimet e fjalëve janë marrë nga komentet klasike të hadithit, si: Fet’hul Bari nga Ibn Haxher el-Askalani, Sherh Sahih Muslim nga Imam Neveviu

3. Dobitë janë nxjerrë nga: Komentet e dijetarëve si Ibn Tejmije, Ibn Kajim el-Xheuzije, Ibn Uthejmin dhe Salih el-Fevzan.

4. Për sqarimin e termave rukje, kijame, tevekul, etj., janë përdorur: Lisanul Arab i Ibn Mendhur, Mu’xhemu Lugat el-Fukaha dhe fjalorët e terminologjisë islame.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...