Tefsir: “Thuaj: ‘Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij, dhe furnizimin e mirë (të pastër)?!”

“Thuaj: ‘Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij, dhe furnizimin e mirë (të pastër)?!’ Thuaj: ‘Ato janë për besimtarët në dynja, dhe të posaçme (vetëm) për ta në Botën Tjetër’. Kështu i shtjellojmë ajetet për njerëzit që dinë.” (Araf: 32)

Thotë Imam Kurtubiu: Në këtë ajet ka katër çështje.

E para: Fjala e të Lartësuarit “Thuaj: ‘Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij?!” Është argument se ata ja ndaluan vetes ato gjëra që Allahu nuk ua ndaloi. Dhe me fjalën ‘stoli’ këtu është për qëllim rroba e bukur kur njeriu ka mundësi për të. Dhe kanë thënë se bëhet fjalë për të gjitha llojet e rrobave. Siç është transmetuar nga Umeri se ka thënë: ‘Nëse Allahu jua zgjeron furnizimin, edhe ju zgjerohuni (në veshje, apo në jetesë).’ Dhe përcillet prej Alij ibnul Husejn ibn Alij ibn ebi Talib (nipi i Aliut radijallahu anhu) – shejkhu i imam Malikut – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – se ai vishte një rrobë të punuar prej leshi të butë që kushtonte 50 dinar, të cilën e vishte në dimër, dhe kur vinte vera e jepte sadaka. Ose e shiste dhe e jepte sadaka vleftën e saj. Dhe në behar vishte dy rroba egjiptiane prej pambuku dhe recitonte fjalën e Allahut: “Thuaj: ‘Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij?!”

Ibn Kethiri thotë: “Allahu i kundërshton me këtë ajet ata që ndaluan diçka nga ushqimi, pija apo veshjet nga mendja e tyre, pa ndjekur ndonjë gjë të ardhur në sheriatin e Allahut. Thuaju o Muhamed atyre idhujtarëve që ndalojnë ato që ndalojnë, me mendimet e tyre të prishura dhe me shpikjet e tyre: “Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij, dhe furnizimin e mirë (të pastër)?!’ Thuaj: ‘Ato janë për besimtarët në dynja, dhe të posaçme (vetëm) për ta në Botën Tjetër’ Ato janë të krijuara për ata që besojnë në Allahun dhe e adhurojnë Atë në jetën e dynjasë, edhe nëse ju bashkëngjiten atyre pabesimtarët në dynja, ato janë të posaçme për ta Ditën e Kiametit, sepse Xheneti është i ndaluar për pabesimtarët.

Ka thënë Ibn Abbasi: ‘Kurejshët silleshin rrotull Qabes lakuriq, dhe vërshëllenin e duartrokisnin, pastaj Allahu shpalli: “Thuaj: ‘Kush i ndaloi stolitë që Allahu krijoi për robërit e Tij?!’” dhe u urdhëruan të visheshin.’

Thotë Shenkiti – Allahu e mëshiroftë – në ‘Eduaul bejan’: Ai që thotë këtë për Allahun i tilli është shpifës ndaj Tij – të Lartësuarit – (dhe për të Allahu ka sjellë kërcënim të ashpër duke thënë) : “Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: ‘Kjo është e lejuar e kjo e ndaluar’, e kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” (Nahl: 116) Ndërsa në një vend tjetër ka kërkuar prej tyre dëshmitarë për ndalimin e tyre: “Thuaju: ‘Sillni dëshmitarët tuaj të cilët dëshmojnë se Allahu e ka ndaluar këtë.’ Nëse ata dëshmojnë, ti (o Muhammed) mos dëshmo me ta” (En’am: 150)

E dyta: Nëse është kështu atëherë ajeti është argument për lejimin e veshjes së rrobës së mirë dhe cilësore, dhe zbukurimin me të nëpër grumbullime dhe festa, kur takohesh me njerëz apo kur viziton vëllezërit. Ka thënë Ebul Alijeh: “Muslimanët dikur, kur vizitoheshin mes veti zbukuroheshin” (visheshin bukur, dhe është e qartë se me ‘muslimanët’ këtu është për qëllim brezat e parë të mirë). Tek ‘i Sakti i Muslimit’ ka ardhur hadithi prej Umer ibnul Khattabit se ai pa një rrobë prej mëndafshi të varur te dera e xhamisë që shitej dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, sikur ta blije këtë për ditën e xhuma, dhe kur të vijnë delegacionet.” I tha i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue sel lem: “Këtë e veshin ata që nuk kanë asnjë pjesë në Botën Tjetër” pra i Dërguari i Allahut nuk e kundërshtoi për zbukurimin, por e kundërshtoi për faktin se ishte mëndafsh.

Po ashtu përcillet se Temim ed Darij bleu një rrobë që kushtonte 1 mijë dirhem dhe falej me të. Po ashtu Malik ibn Dinar vishte rroba të mira e të shtrenjta të cilësisë së lartë. Ndërsa rroba që vishte Ahmedi blihej afërisht me një dinar. Ku janë këto gjurmë të këtyre njerëzve të devotshëm e me dije prej atyre që heqin dorë nga këto të mira dhe preferojnë rrobat e ashpra dhe të parehatshme, të cilësisë së keqe, lesh apo stof dhe thonë: “…petku i devotshmërisë është më i mirë…”?! (A’raf: 26) Sa larg janë! A mendon se ata që përmendëm e kanë lënë devotshmërinë?! Jo pasha Allahun! Përkundrazi ata janë të devotshmit dhe dijetarët, dhe të mençurit. Ndërsa të tjerët janë vetëm pretendues dhe zemrat e tyre janë bosh nga devotshmëria.

Përpara Hasenit kaloi Ferkadi dhe Haseni e tërhoqi nga rroba dhe i tha: ‘O Furejkid! Devotshmëria nuk është në këtë rrobë (të vjetër dhe të keqe), devotshmëri është ajo që zë vend në zemër dhe e vërteton atë vepra.’ Dhe hyri Ebu Muhammed el Kerkhij i cili kishte veshur një xhybe (rrobë) të leshtë, tek Ebul Hasen ibn Jesari, dhe i tha atij Ebul Haseni: ‘O Ebu Muhammed! Ke veshur me lesh zemrën tënde apo trupin tënd? Vish me lesh zemrën tënde dhe pastaj vish rroba luksoze sa të duash.’ (Sh.p.: Asketizmi le të jetë në zemrën tënde, dhe ai është: që asgjë nga kjo botë të mos bëhet pengesë mes teje dhe Allahut, dhe mos të të bëjë të harrosh përkohshmërinë tënde në këtë dynja, dhe punën për ahiretin) 

Dhe selefët nuk i pëlqenin rrobat e arnuara shumë. Ka thënë Ebul Ferexh ibnul Xheuzij: ‘I urrej rrobat e arnuara për katër arsye:

  1. Sepse ato s’janë prej rrobave të selefëve (selefët nuk visheshin kështu), por ata arnonin kur e kishin të domosdoshme.
  2. Sepse ato e shfaqin njeriun të varfër, në një kohë që njeriu është urdhëruar që t’i shfaqë shenjat e mirësisë së Allahut ndaj tij.
  3. Sepse ato janë shfaqje e zuhdit (asketizmit), dhe ne jemi urdhëruar që ta fshehim atë.
  4. Sepse ai është shëmbëllim me ata që janë shmangur nga sheriati. Dhe ai që i përngjason një populli është prej tyre (numërohet prej tyre).

Ka thënë Taberiu: ‘Ka gabuar ai që u jep përparësi rrobave të leshta ndaj të pambuktave duke pasur mundësi në hallall për këto të dytat. Dhe ai që i jep përparësi perimeve dhe thjerrëzave ndaj bukës së grurit (e cila ishte ushqim i rrallë dhe konsiderohej i shijshëm dhe i mirë tek ata). Dhe ka gabuar ai që e lë ngrënien e mishit nga frika se mos bie në sprovën e grave.’

Ka thënë Ibnul Xheuzij: ‘Të parët tanë të mirë vishnin rroba mesatare, as luksoze e as të këqija, dhe zgjidhnin më të mirën prej tyre për ditën e xhuma, për festat, dhe për takimin me vëllezërit, dhe përzgjedhja e më të mirës prej rrobave nuk konsiderohej gjë e keqe (e ndaluar) tek ata. Ndërsa veshja që e mashtron të zotin e saj, është ajo që shfaq zuhdin dhe varfërinë, dhe sikur kjo është një lloj ankese ndaj Allahut të Lartësuar (ankohesh për Allahun, sikur të ka lënë pas dore, nuk të ka dhënë pasuri, në një kohë që Ai të ka dhënë), dhe kjo lloj rrobe gjithashtu është një farë nënçmimi për të zotin e saj, dhe të gjitha këto janë të urryera, të ndaluara’

Nëse thotë ndonjëri: Veshja e mirë është epsh i shpirtit, dhe ne jemi urdhëruar ta luftojmë atë, dhe është zbukurim përpara krijesave, dhe ne jemi urdhëruar t’i bëjmë veprat për Allahun dhe jo për njerëzit.

Përgjigja ndaj kësaj është: Jo çdo gjë që e do shpirti është e qortueshme, dhe jo çdo gjë me të cilën zbukurohesh për njerëzit është e urryer. Ajo që ndalohet prej këtyre është ajo që e ka ndaluar sheriati, ose ajo që bëhet me syfaqësi në çështjet e fesë (Sh.p.: adhurimet, ndërsa veshja nuk hyn tek adhurimet por tek ‘mubahatet’: gjërat që nuk janë as të urdhëruara e as të ndaluara. Fjala është për formën e veshjes apo llojin e saj, pasi ajo të ketë plotësuar kushtet e veshjes së pranueshme: të jetë e gjerë, jo përshkruese, dhe jo të tejdukshme ashtu që të mos shfaqi pjesët e turpshme, dhe përveç asaj veshje që ka ardhur ndalimi për të). Sepse njeriu ka qejf të shfaqet i bukur, dhe kjo është dëshirë e shpirtit, e ai nuk qortohet për këtë. Prandaj ai kreh flokët, shikohet në pasqyrë, rregullon çallmën e tij, vesh rrobat e dobëta dhe të pahijshme poshtë dhe atë të bukurat e të butat përsipër, e në të gjitha këto nuk ka asgjë të ndaluar.

Ka transmetuar Mekhuli nga Aishja e cila ka thënë: “Disa prej shokëve të të Dërguarit të Allahut – paqja qoftë mbi të – po e prisnin atë tek dera, dhe ai po bëhej gati të dilte para tyre. Në shtëpi ishte një enë me ujë, e ai filloi të shikohej tek ajo dhe të rregullonte mjekrën dhe flokët. I thashë: O i Dërguari i Allahut, edhe ti e bën këtë?! – Tha: Po. Kur të dalë njeriu para vëllezërve të tij le ta rregullojë pamjen e tij, sepse Allahu është i bukur dhe e do të bukurën.[1]

Dhe tek i ‘Sakti i Muslimit’ ka ardhur nga Ibn Mes’udi nga Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie. Tha një burrë: Njeriu ka qejf që rroba e tij të jetë e bukur dhe të mbathurat e tij (këpucët, sandalet) të jenë të bukura. Tha: Me të vërtetë Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën. Por mendjemadhësi është refuzimi i së vërtetës, dhe nënçmimi i njerëzve”

Dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta, të gjitha ato tregojnë për pastërtinë dhe pamjen e rregullt e të bukur. Nga Khalid ibn Ma’dan përcillet se Profeti – paqja qoftë mbi të – kur udhëtonte merrte me vete krehrin, pasqyrën, vajin, siuakun dhe kuhlin[2]. Nga Enes ibn Malik përcillet se ka thënë: “Profeti – paqja qoftë mbi të – e lyente shpesh kokën me vaj, dhe e rregullonte mjekrën e tij me ujë.” Nga Ibni Abbasi përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – kishte një enë me kuhl të cilën e përdorte para gjumit tre herë tek secili sy.”[3]

E treta: Fjala e Tij të Lartësuarit: “dhe furnizimin e mirë”. Furnizim i mirë është çdo gjë që fitohet me hallall dhe ka shije të mirë. Ka thënë Ibn Abbasi dhe Katadeh: ‘Ka për qëllim atë që arabët e injorancës e bënë të ndaluar prej ‘Behiras’ (Deveja që ka lindur katër herë, nëse e pesta është femër, ja çajnë veshët dhe e quajnë të ndaluar të hahet nga gratë e tyre), ‘Saibeh’ (ishin ato që i linin të kullosnin dhe nuk i përdornin për tu hipur e as e milnin qumështin e tyre), ‘Uesileh’ (ishin ato bagëti që kishin pjellë gjashtë herë, nëse e shtata dilte mashkull apo femër thoshin: Ju lidh vëllait të saj, dhe nuk e thernin. Dhe përdorej vetëm nga burrat e jo nga gratë. Nëse ajo ngordhte ushqeheshin me të të dy: burrat dhe gratë), ‘Hami’ (Ishin ata hamshorë të cilët linin barsë/ shtatzënë dhjetë herë. Pasi ndodhte kjo thoshin: E ka ruajtur shpinën e tij, dhe e linin të lirë për hir të idhujve të tyre dhe nuk mbartnin më gjë mbi shpinat e tyre, pastaj thoshin për të gjitha këto: ‘Allahu na ka urdhëruar kështu![4]

Kanë thënë gjithashtu: ‘Ato janë çdo ushqim që është i shijshëm.’ Dhe janë kundërshtuar për lënien e ushqimeve të mira dhe largimin nga lezetet. Disa prej tyre kanë thënë: ‘Kjo nuk është prej adhurimeve dhe gjërave që të afrojnë tek Allahu. Lënia dhe veprimi i tyre janë njësoj, pra janë mubah.’ Disa të tjerë thanë: ‘Ato nuk janë adhurime në vetvete, por janë rrugë për të qenë asket në dynja, dhe për të prerë shpresën e gjatë në të, dhe lënien e lodhjes pas saj (pas dynjasë, sepse për t’i fituar ato duhet të lodhesh në dynja), dhe kjo është gjë e pëlqyer, dhe është adhurim për këtë shkak.’ Disa të tjerë thanë: ‘Është përcjellë nga Umer ibnul Khattab – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ka thënë: Sikur të dëshironim do të hanim mish të pjekur, perime të pjekura dhe ‘Sinab’ {Sh.p.: Lloj salce e shijshme që i hidhej mishit dhe bëhej me krem sinapi (mustardë) dhe rrush të thatë}, por unë kam dëgjuar Allahun të qortojë disa njerëz duke u thënë: “Ju i morët të mirat tuaja në jetën tuaj të dynjasë” (Ahkaf: 20)’

Dhe të tjerët kanë bërë dallim mes tyre kur ato arrihen me vështirësi dhe angazhim të madh dhe mes atyre që arrihen pa shumë vështirësi dhe pa shumë angazhim. Ka thënë shejkhu i shujukhëve tanë (dijetari ynë më i madh) Ebul Hasen Alij ibnul Mufeddal el Makdesij: Dhe kjo është më e sakta – në dashtë Allahu – sepse nuk është përcjellë nga Profeti – paqja qoftë mbi të – që të jetë larguar nga ushqimi vetëm për shkak se ishte i shijshëm, përkundrazi ai hante të ëmblat dhe mjaltin, shalqirin dhe hurmat e freskëta e të buta (rutab). Por ajo që ai urrente ishte angazhimi i madh dhe shpenzimi i shumtë i kohës dhe pasurisë pas këtyre gjërave, sepse në këtë ka shkuarje pas epsheve të dynjasë,  që të pengon nga punët e rëndësishme për ahiretin. Dhe Allahu e di më së miri.

Them (Kurtubiu) : Disa prej sufive e kanë urryer ngrënien e ushqimeve të mira dhe janë argumentuar me fjalën e Umerit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – që thotë: ‘Kini kujdes nga ngrënia e mishit sepse ai të bën të lidhesh me të dhe të bëhet i kërkuar për trupin ashtu si alkooli.’ (ka një varësi si varësia ndaj alkoolit). Dhe përgjigja ndaj kësaj është: Kjo fjalë ka dalë prej Umerit për ata që frikësohet se mund të jepen pas qejfeve të dynjasë, dhe të rendin pas tyre, dhe të harrojnë ahiretin e të zhyten në dynja. Prandaj Umeri u shkruante administratorëve të tij (nëpër tokat islame) : ‘Ruajuni nga luksi dhe veshja e të huajve, dhe burrërohuni’ (Le të ketë pak ashpërsi në jetesën tuaj dhe në veshje. Jo çdo gjë ta keni të butë e të kollajtë, sepse kjo ju çon në plogështi, në rehati dhe dobësim) Ai – Zoti qoftë  i kënaqur prej tij – nuk ka pasur për qëllim ndalimin e asaj që Allahu e ka bërë të lejuar. Dhe fjala e Allahut është më e mira e më përparësore për tu ndjekur. “Thuaj: ‘Kush i ndaloi bukuritë që Allahu krijoi për robërit e Vet dhe furnizimet e mira” Ka thënë Profeti – paqja qoftë mbi të:  “Zotëria i ushqimeve në dynja dhe ahiret është mishi” {Sh.p.: Këtë hadith dhe të tjerë me këtë kuptim i kanë dobësuar disa prej imamllarëve si: Albani në ‘Silsileh ed daifeh’, dhe para tij Busajri në ‘Misbahuz zuxhaxheh bi zeuaid ibni Maxheh’, El Hafidh el Irakij etj. Por mishi është përmendur në Kuran si ushqim i banorëve të Xhenetit si në fjalën e të Lartësuarit: “Dhe ua shtuam atyre të mirat me fruta dhe mish si ta duan ata” (Tur: 22), “Dhe mish shpendësh siç ua ka ënda” (Uakiah: 21)}

Dhe Profeti – paqja qoftë mbi të – e shoqëronte shalqirin (ose pjeprin) me hurmat e buta (e të freskëta) dhe thoshte: “E thyejmë nxehtësinë e kësaj (hurmës) me ftohtësinë e këtij (shalqirit), dhe ftohtësinë e këtij me nxehtësinë e kësaj.”  Dhe më parë në suren Maideh kemi shtjelluar kundërpërgjigjen ndaj atyre që i japin përparësi ushqimit të ashpër, dhe ky ajet i kundërshton ata dhe ajete të tjera veç tij. Dhe falenderimi i takon Allahut.

E katërta: Fjala e të Lartësuarit: “Thuaj: Ato janë për besimtarët në dynja” Allahu është Ai që furnizon dhe jep të mira, nëse njeriut që i janë dhuruar të mirat e njëson Allahun dhe e beson Atë e ka kryer obligimin e duhur kundrejt mirësisë së dhuruar, e nëse mohon i ka dhënë mundësi shejtanit që ta mbizotërojë. Në hadith të saktë ka ardhur: “Askush nuk është më durimtar ndaj shqetësime (dëmtimeve me fjalë) se sa Allahu. Ai u jep shëndet dhe i furnizon dhe ata i mveshin shoqe dhe djalë”

Pastaj tha: “të posaçme për ta”  dmth në Ditën e Kiametit Allahu do tua japë të mirat vetëm atyre që besuan, dhe idhujtarët s’do të kenë asgjë prej tyre, edhe pse në dynja ishin përfitues bashkë me besimtarët. Dmth kuptimi i ajetit është: ‘Thuaj ato janë për besimtarët dhe të tjerët në dynja, dhe janë vetëm për besimtarët në Botën Tjetër.’ Dhe kjo është fjala e Ibn Abbasit, Dahhakut, Hasenit, Katades etj.

dhe kështu Ne ja shtjellojmë argumentet një populli që dinë” siç ju shpjeguan juve e lejuara nga e ndaluara, po ashtu ju shtjellojmë juve atë për të cilën keni nevojë.     



[1] Ibnul Xheuzij në ‘Telbis Iblis’, Ibnus Sunnij në ‘Amelul jeumi uel lejleh’, etj me rrugë të shumta disa prej të cilave janë të sakta. Hadithi është i saktë in sha Allah.

[2] Një lloj pluhuri që del nga një gur i shtypur dhe është i dobishëm për sytë dhe qerpikët. Ka ardhur në ‘Tabekatul kubra’ të Ibn Sa’dit, por nuk gjeta dot gjykimin e këtij hadithi. Ai që është saktësuar me siguri është fjala e tij – paqja qoftë mbi të – kur pa një njeri me flokë të pakrehura dhe të shpërndara: “A nuk gjeti ky njeri diçka me të cilën t’i qetësonte flokët e veta?!” Saktësoi Albani në ‘Silsileh sahihah’/ Kapitulli: ‘Edukata, leja dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore’.

[3] Këtë transmetim shejkh Albani e ka konsideruar ‘daif xhidden’ (shumë të dobët) në: ‘Mukhtesar shemail el Muhammedijeh’. Dhe ka saktësuar: “Përdoreni ithmidin (kuhlin) përpara gjumit, sepse ai e pastron shikimin dhe mbin qerpikët”.

[4] Shiko ‘Telbis iblis’ të Ibnul Xheuzij.