Tefsiri i Kuranit përmes fjalëve të sahabëve radijAllahu anhum, si; Ibën Abasi, Ibën Mesudi dhe të tjerë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasiqë ata e shoqëruan dhe mësuan prej të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Shembulli i parë
Allahu i Lartësuar thotë: “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).” | Taha: 5 |
El Hafidh ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” thotë: Rigjallëruesi i sunetit El Begavi, në tefsirin e tij transmeton nga Ibën Abasi dhe shumica e dijetarëve të tefsirit, se kuptimi i Istiuasë (që përmendet në ajet) është ngritja dhe lartësimi (mbi Arsh). Ai më pas solli thëniet e Umu Selemes, Rabias, Malikut dhe të tjerëve të cilët kanë thënë: “Kuptimi i Istiuasë (ngritjes mbi Arsh) është i njohur. Forma e saj nuk mund të kuptohet, pohimi është besim, ndërsa mohimi i Istiuasë është mosbesim (kufër).” [1]
Shembulli i dytë
Allahu i Lartësuar thotë: “Ose keni prekur gratë tuaja.” | En Nisa: 43 |
Ibën Kethiri në librin e tij të tefsirit përcjell nga Ibën Abasi se ka thënë: “Do të thotë kur keni kryer marrëdhënie seksuale.”
Ibën Abasi gjithashtu ka thënë: “Fjalët; el-lems, el-mes dhe el-mubasharah, të gjitha nënkuptojnë marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, Allahu përdor atë metaforë që do.”
Ibën Kethiri ka thënë: Kjo është vërtetuar në mënyrë autentike nga Abdullah Ibën Abasi përmes burimeve të ndryshme.
Më pas (Ibën Kethiri) përmendi thënien e Ibën Mesudit: Fjala el lems (që u përdor në ajet) nënkupton atë që ndodh para marrëdhënieve seksuale.
Pas kësaj Ibën Kethiri tregoi mendimin e Ibën Xheririt: Mendimi më i saktë nga dy mendimet është ai që thotë se Allahu në ajetin e Tij “Ose keni prekur gratë tuaja”, ka për qëllim marrëdhëniet seksuale dhe jo ndonjë kuptim tjetër të prekjes. Kjo edhe për faktin e hadithit autentik të përcjellë nga i dërguari i Allahut, se ai e ka puthur ndonjërën prej grave të tij dhe pastaj është falur pa marrë abdes.[2]
Shënim i rëndësishëm
Nëse tefsiri i një hadithi ndaj një ajeti duket se bie ndesh dhe kundërshton tefsirin e një sahabiu ose tabiini për të njëjtin ajet, atëherë është detyrë e jona që t’i përafrojmë të dyja. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë detyrë e jona është t’i japim përparësi tefsirit të Profetit alejhi selam para tefsirit të kujtdo tjetër veç tij. Kjo për shkak se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është njeriu më i ditur në lidhje me atë që synon Allahu. Gjithashtu, për faktin se ai nuk flet nga dëshira e tij dhe për shkak se Allahu i Lartësuar na drejtohet duke na thënë: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij.” |El Huxhurat: 1| Pra, mos i jepni përparësi asnjë fjale dhe asnjë veprimi.[3]
Shembulli i tretë
Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur kërciri të zbulohet (ditën e ringjalljes).” |El Kalem: 42|
Këtë ajet imam Buhariu e shpjegoi përmes hadithit në të cilin i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Vërtet, Zoti ynë do ta zbulojë kërcirin e Tij dhe kështu të gjithë besimtarët dhe besimtaret do të bëjnë sexhde.”
Ndërsa në njërin prej transmetimeve që vijnë nga Ibën Abasi përmendet se ai e ka shpjeguar këtë ajet duke thënë: “Ajo është ditë e pikëllimit dhe shqetësimit.”[4] Këtë e ka përmendur Ibën Xherir et Taberi.
Edhe sikur transmetimi i mësipërm të ishte autentik, ai përsëri nuk bie ndesh me hadithin që shpjegon ajetin me kuptimin e kërcirit të Allahut (pa e përngjasuar Allahun me krijesat e Tij). Allahu do ta zbulojë kërcirin (Sakun) e Tij në ditën e gjykimit, ndërkohë që ajo ditë është ditë pikëllimi dhe shqetësimi.
Gjithashtu mund të thuhet se Ibën Abasit mbase nuk i ka arritur hadithi i Ebu Seid el Hudriut që e shpjegon këtë ajet. Njëlloj si rasti i një hadithi tjetër të saktë i cili përcillet nga Ebu Musa el Eshari, i cili kur kërkoi leje nga Umeri për të hyrë dhe trokiti tri herë në derë dhe nuk iu dha leja për të hyrë, ai u largua. Pas kësaj Umeri doli dhe tha: A nuk e dëgjuat zërin e Abdullah ibën Kajsit që kerkoi leje për të hyrë? Lëreni të hyjë. Kur ata e kërkuan ai ishte larguar. Më pas kur ai erdhi, Umeri e pyeti: Pse u largove? Tha: Unë kërkova leje tri herë për të hyrë brenda dhe nuk më dhanë. Unë e kam dëgjuar Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Kur dikush prej jush kërkon leje tri herë për të hyrë diku dhe nuk i jepet, atëherë le të largohet.” Umeri i tha: Do të më sjellësh argument për këtë që the përndryshe do të dënoj. Ai u nis te një grup njerëzish prej ensarëve dhe u përmendi atë që kishte thënë Umeri, dhe ata i thanë: Vetëm më i riu prej nesh do të dëshmojë për ty. Dhe kështu Ebu Seid el Hudri u nis me të dhe e informoi Umerin për këtë. Pas dëshmisë së tij Umeri tha: Mbase dalja ime për tregti më ka penguar nga dëgjimi i këtij hadithi. [5]
Marrë nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin”.
Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————————–
[1] “Tefsiri” i Begaviut 13/406.
[2] “Tefsiri” i Ibën Kethirit 1/502.
[3] Siç e përmend Ibën Kethiri në Tefsirin e tij.
[4] Transmetimin e Ibën Abasit e ka konsideruar të dobët Selim el Hilali në librin e tij “El Menhel er Rakrak” për shkak të parregullsisë në zinxhirin e tij.
[5] Mutefekun alejhi.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi