Allahu i Lartësuar e dalloi këtë umet me veçori e tipare dalluese si dhe me mirësi të larta. Prej këtyre mirësive ishte edhe përzgjedhja që Ai ia bëri ditës së xhuma si ditë feste për të gjithë muslimanët, ditë prej së cilës u privuan çifutët dhe të krishterët.
Hafidh Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është quajtur dita e xhuma me emrin “Xhuma”, sepse prejardhja e saj vjen duke u bazuar në të grumbulluarit (që bëhet atë ditë). Pasuesit e Islamit grumbullohen çdo javë në këtë institucion të madh. Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të grumbullohen për ta adhuruar Atë. I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për falje ditën e xhuma, nxitoni me zell te përkujtimi i Allahut.”[1]
Kjo nënkupton: Përkushtojuni me devocion dhe ngazëllim në shkuarjen në xhami për faljen e xhumasë. Nuk është për qëllim ecja me ngutje dhe nxitim, pasi për mospëlqimin e kësaj të fundit ka ardhur argument i qartë.”
El Hasani thotë: “Jo pasha Allahun, nuk është për qëllim nxitimi i këmbëve, pasi nuk na lejohet të shkojmë ndryshe për faljen e namazit pos me qetësi dhe përulje. Por është për qëllim të nxituarit me zemër, me nijet dhe me frikërespekt.[2]
Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dita e xhuma është ditë adhurimi dhe vlera e saj në krahasim me ditët e tjera, është si vlera e muajit të Ramazanit ndaj muajve tjerë. Ndërsa ora në të cilën në të pranohet lutja, është si nata e Kadrit në muajin Ramazan.”[3]
- Dita e xhuma dita më e mirë. Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli, është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi (alejhi selam), në këtë ditë u fut në xhenet dhe në këtë ditë është nxjerr prej tij. Nuk ka për t’u bërë Kiameti veçse në ditën xhuma.” Muslimi
- Dërgimi i salavateve për Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të jetë ditë e xhuma dhe natë e xhuma, i shtoni salavatet për mua.” Hadith i mirë (hasen). “Sahihul Xhami”
- Larja ditën e xhuma. Më e mira është që larja të bëhet para nisjes për në xhami. Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAlalhu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që merr gusël (lahet) ditën e xhuma ashtu siç merr lahet nga xhunubllëku…” hadithi. Buhariu dhe Muslimi
- Shkuarje herët në xhami. Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që merr gusël (lahet) ditën e xhuma ashtu siç merr lahet nga xhunubllëku pastaj shkon herët në xhami, kjo është për të, sikur të ketë bërë kurban (për Allahun) një deve. Kush shkon në orën e dytë, kjo është për të, sikur të ketë bërë bërë kurban një lopë. Kush shkon në orën e tretë, është sikur të ketë bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në orën e katërt, është njësoj sikur ka bërë kurban një pulë dhe kush shkon në orën e pestë, është njësoj sikur ka dhënë një kokërr vezë. Në kohën që del imami, engjëjt vijnë për të dëgjuar hutben.” Buhariu dhe Muslimi
Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): “Kjo mirësi (që përmendet në hadith) arrihet me kusht që njeriu të marr gusul (të lahet). Sikur ne të vendosnim te dyert e xhamisë një deve, lopë, dash, pulë dhe një kokërr vezë e të thonim: “Ai që vjen orën e parë do t’i japim një deve, ai që vjen orën e dytë do i japim një lop, ai që vjen në orën e tretë do i japim një dash, ai që vjen në orën e katërt do t’i japim një pulë dhe ai që vjen në orën e pestë do i japim një vezë”, njerëzit do të nxitonin për të ardhur herët në xhami. Bijtë e Ademit -subhanAllah- e duan këtë jetë kalimtare dhe për jetën Tjetër nuk kujtohen.” Et-Tealiku ala sahihi Muslim
Shejh Esh–Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!): “Thuhet se bidati i parë që është shpikur në islam është lenia e shkuarjes herët në xhami ditën e xhuma”. Eduaul-Bejan
- Në të është një orë në të cilën pranohet lutja. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita e xhuma është dymbëdhjetë orë. Nëse muslimani i lutet (i kërkon) Allahut diçka, Ai do t’ia japë atij (atë për të cilën është lutur). Prandaj kërkojeni atë në çastet e fundit pas ikindisë.”[4]
Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) pasi përmend mospajtimin për përcaktimin e kësaj ore, thotë: “Dominojnë në këtë çështje dy mendime që janë të përftuara prej haditheve të sakta:
I pari: Ajo orë është prej kohës së uljes së imamit e deri në përfundim të namazit, duke u argumentuar për këtë me hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ajo orë është ndërmjet uljes së imamit dhe përfundimit të namazit.”[5]
I dyti: Ajo orë është pas ikindisë; e ky është mendimi më i saktë.”[6]
- Ajo është festë e cila përsëritet çdo javë.
- Ajo është ditë në të cilën fshihen të këqijat. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pastaj falet aq sa ia ka caktuar Allahu, e kur imami fillon të ligjërojë, ai dëgjon me vëmendje dhe kështu atij i falen të këqijat mes asaj xhumaje dhe xhumasë tjetër.”[7]
- Të drejtuarit nga imami në kohën që ai ligjëron. Shejhu dhe muhadithi Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të drejtuarit nga hatibi (kur ai ligjëron), është prej suneteve të lëna (të harruara).”[8]
Imam Ibën el Mundhiri (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur emrat e atyre dijetarëve të cilët janë të këtij mendimi, duke filluar nga sahabët e më pas: Ibën Umeri, Enes bin Malik, Atau, imam Maliku, Sufjan eth Theuri, El Euzai, Seid bin Abdulaziz, Ibën Xhabir, Jezid bin Ebi Merjem, imam Shafiu dhe Is’haku. [9]
Përktheu: Unejs Sheme
[1] Kaptina Xhumua,9.
[2] “Tefsiri i Ibën Kethirit” vëll. 4.
[3] “Zadul Mead” vëll. 1.
[4] E transmeton En Nesai dhe e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!).
[5] Muslimi.
[6] “Zadul Mead” vëll. 1.
[7] Buhariu.
[8] “Es Silsiletus Sahihah” (5/110).
[9] Në librin e tij “El Eusat” (4/74-75).
Dosje: Xhumaja