Thirrja për tek Allahu dhe moralet e thirrësve
Autori: Sheikh Abdul Aziz bin Bazi-Allahu e mëshiroftë!
Marrë nga broshura : ”Thirrja për tek Allahu dhe moralet e thirrësve”
Cështja e Katërt: Sqarimi i moraleve dhe cilësive me të cilat duhet të pajisen dhe stolisen thirrësat.
Përsa i përket moraleve të thirrësve dhe cilësive të tyre me të cilat ata duhet të pajisen, këtë gjë e ka qartësuar Allahu i Lartësuar në ajete të shumta e vende të ndryshme në librin e Tij fisnik.
Prej tyre mund të përmendim:
SË PARI: (الإخلاص) Sinqeriteti.
Është detyrë për thirrësin që të jetë i sinqertë në thirrjen e tij për hir të Allahut të Lartësuar, të mos ketë për qëllim syefaqësinë apo famën, as mburrjen e njerëzve apo lavdërimin e tyre, por të ftojë për tek Allahu duke patur për qëllim fytyrën e Allahut te Lartësuar ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: قل هذه سبيلي أدعوا إلى الله ”Thuaj kjo është rruga ime ftoj për tek Allahu” { Surja Jusuf: 108}
Po ashtu Allahu i Lartësuar ka thënë:
(( و من أحسن قولا ممن دعآ إلى الله)) { Surja Fusilet: 33}.
”Kush është më i mirë kur flet se sa ai i cili fton për tek Allahu”
Pra është detyrë për ty që të jesh i sinqertë për hir të Allahut të Lartësuar duke qënë se kjo gjë është nga moralet më të rëndësishme dhe po ashtu sinqeriteti është nga cilësitë më të mëdhaja që duhet të jenë pjesë e thirrjes tënde duke dëshiruar me të fytyrën e Allahut dhe botën tjetër.
SË DYTI: (البينة) Argumentimi (Bej-jineh).
Të folurit me prova dhe fakte gjatë thirrjes tënde, pra të folurit me dije duke mos qenë i paditur rreth asaj gjëje që flet. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur`an:
((قل هذه سبيلى أدعوا إلى الله على بصيرة))
((Thuaj kjo është rruga ime ftoj për tek Allahu me dije)).{ Surja Jusuf- 108}
Pra dija është e domosdoshme dhe marrja e saj është e detyrueshme, prandaj kij kujdes o robi i Allahut nga të folurit rreth diçkaje për të cilën nuk ke dituri sepse injoranti shkatërron dhe nuk ndërton, ai prish dhe nuk përmirëson, ndaj kije frikë Allahun o robi i Allahut. Kij kujdes e mos fol për Allahun pa dije, fto në diçka vetëm pasi të kesh DIJE rreth saj dhe Basijrah (Njohuri e thellë) për atë që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pra Basijrah është dije e kuptuar mirë e cila është e detyrueshme gjatë thirrjes.
Është detyrë po ashtu për nxënësin e dijes dhe thirrësin (davetxhiun) që të ketë dije rreth asaj gjëje tek e cila fton duke e shqyrtuar atë mirë me argument e nëse i bëhet e qartë duke e ditur se ajo gjë është e vërteta, atëherë le të ftojë në atë gjë, qoftë kjo nëlidhje me kryerjen e një vepre apo në lënien e saj. Kështu ai fton në bërjen e një vepre nëse ajo është bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe po ashtu fton në lënien e një vepre të cilën e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguri i Tij me argument dhe dije.
E TRETA: Të qënurit i përmbajtur dhe i butë në thirrjen tënde, përballues dhe durimtar ashtu siç bëri i Dërguari i Allahut alehi as-salatu ue es-selam; ki kujdes, ruaju nga nxitimi, nga vrazhdësia dhe ashpërsia, e ke detyrë të tregosh durim, maturi dhe butësi në thirrjen tënde. Kemi përmendur më përpara (në kapitull tjetër) disa argumente për këtë çështje siç është psh fjala e Allahut të Lartësuar:
((ادع إلى سبيل ربك بالحكمة و الموعظة الحسنة و جادلهم بالتي هي أحسن))
”Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë dhe polemizo me ata me mënyrën më të mirë” {Surja En-nehl 125}
Po ashtu fjala e Allahut të Lartmadhëruar ((فبما رحمة من الله لنت لهم))
”Ti ishe i butë me ata për shkak se Allahu të dhuroi mëshirë” {Surja Ali Imran:159}
Gjithashtu fjala e Allahu të Lartësuar në historinë e Musës dhe Harunit paqja qoftë mbi ta: ((فقولا له قولا لّيّنا لّعلّه يتذكّر أو يخشى))
((Flisni atij (Faraonit) fjalë të buta se ndoshta ai do të përkujtohet e do të frikësohet)) {Surja Ta-Ha: 44}
Ndërsa në hadith të saktë ka thënë i Dërguari i Allahut sal-la llahu alejhi ue selam: ”O Allah kush merr përsipër (komandon-udhëheq) një çështje të ummetit tim dhe tregohet i butë me ata, tregohu i butë me atë, ndërsa ai që kush merr përsipër një çështje të ummetit tim dhe ua vështirëson atyre, vështirësoja atij”
Transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij.
Kështu pra është detyrë për ty o robi i Allahut të jesh i butë në thirrjen tënde dhe të mos ua vështirësosh gjërat njerëzve, e të mos i largosh ata nga feja dhe as të mos i largosh ata me vrazhdësinë tënde ose me injorancën tënde, mos përdor me ata metodë të ashpër që prish dhe shkakton dëm, por mbetet detyrim për ty të jesh i përmbajtur, durimtar i madh, të flasësh shtruar me fjalë të buta e të mira deri sa të lësh gjurmë në zemrën e vëllait tënd musliman, derisa të ndikosh tek ai të cilin po e fton deri sa të bëhet miqësor me ftesën tënde dhe ta pëlqejë atë duke u ndikuar prej thirrjes. Në këtë mënyrë ai do të të lavdërojë ty për shkak të asaj thirrje (da’wah) që i ke bërë dhe do të të falenderojë që i bëre d’awah, kurse vrazhdësia i largon njerëzit dhe nuk i afron, ajo i përçan ata nuk i bashkon.
Gjithashtu prej moraleve dhe cilësive me të cilat është e nevojshme që të pajiset një thirrës, madje është detyrë për të që t`i posedojë ato është edhe:
Të vepruarit në veten e tij me ato gjëra tek të cilat ai thërret në to.
Ai duhet të jetë një shembull i mirë për të tjerët në lidhje me gjërat që ai fton dhe jo të bëhet si ai i cili i fton njerëzit në diçka por pastaj e lë vetë atë vepër pa e vepruar ose i ndalon të tjerët nga diçka dhe e bën vetë atë vepër. Kjo është gjëndja e njerëzve të humbur, Allahu na ruajtë nga kjo gjë.
Ndërsa besimtarët fitimtarë (që sjellin dobi) janë thirrësat e të vërtetës të cilët punojnë me të vërtetën, janë aktivë me të, ata shpejtojnë për tek e vërteta duke u larguar nga çdo gjë që i pengon për të arritur tek ajo. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
((يأيّها الذين ءامنوا لم تقولون ما لا تفعلون كبر مقتا عند الله أن تقولوا ما لا تفعلون) )
”O ju të cilët keni besuar pse e thoni atë që nuk e veproni?”
”Tek Allahu është shumë e urryer që të thoni atë që nuk e veproni”
[Sure: Es-saf:2-3 ]
Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë në qortimin që u ka bërë Jehudëve për shkak se ata i urdhërojnë njerëzit për vepra të mira dhe i harrojnë vetet e tyre:
(( أ تأمرون الناس بالبر و تنسون أنفسكم و أنتم تتلون الكتاب أفلا تعقلون ))
”A po i urdhëroni njerëzit për vepra të mira ndërsa vetet tuaja po i harroni ndërkohë që ju e lexoni librin, a nuk po logjikoni”? [Sure El Bekare:44]
Është saktësuar nga i Dërguari i Allahut sal-la Allahu alejhi ue selam i cili ka thënë: ”Do të merret njeriu në Ditën e Gjykimit dhe do të hidhet në zjarr ndërkohë që zorrët i dalin nga barku teksa ai rrotullohet rreth tyre siç rrotullohet gomari rreth mullirit; pastaj mblidhen rreth tij banorët e zjarrit dhe i thonë atij: – ”O filan si është puna jote, a nuk ke qënë ti që na urdhëroje për vepra të mira dhe ndaloje nga të këqijat?!
Ai thote: -”Po, është e vërtetë, unë isha ai që u urdhëroja juve për vepra të mira por vetë nuk i veproja ato dhe u ndaloja juve nga veprat e këqija por i veproja vetë ato”
[Muttefekun Alejhi]
Kjo është gjendja e atij personi i cili fton për tek Allahu, urdhëron për vepra të mira dhe ndalon nga të këqijat pastaj fjala e tij e kundërshton veprën që ai bën ndërsa vepra e tij bie ndesh me fjalën që ai thotë, kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga kjo gjë.
Po ashtu prej moraleve më të rëndësishme dhe më madhështore në të drejtën e thirrësit është të punuarit me atë gjë që ai thërret dhe të ndalohet (frenohet) nga ajo gjë e cila ai i ndalon të tjerët prej saj; nga ana tjetër thirrësi duhet të pajiset me moral të lartë dhe sjellje të lavdërueshme, me durim dhe qëndresë, ai duhet të ketë sinqeritet në thirrjen e tij, të bëj përpjekje për t`a përhapur të mirën (khajrin) tek njerëzit dhe t`i largoj ata nga e kota, megjithatë ai duhet të lutet për udhëzim për ata, veprim ky i cili është prej moraleve të virtytshme që thirrësi të bëj lutje për udhëzimin e atyre që u bën ftesë (davet) duke i thënë për shembull atij për të cilin lutet: ”Allahu të udhëzoftë”, ”Allahu të dhëntë sukses në pranimin e të vërtetës” ose ”Allahu të ndihmoftë në pranimin e të vërtetës”. Gjithashtu t`a ftosh dhe t`a udhëzodh atë e njëkohësisht të bësh durim ndaj dëmit të tij, por pavarësisht nga kjo, lutu për atë për udhëzim. Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-la Allahu alejhi ue selam kur i thanë për fisin Deus (fis arab) se ata kanë rënë në gjynahe: ”O Allah udhëzoje fisin Deus dhe jepi atyre”. (mirësi-falje-mëshirë) Kështu (o ti thirrës), lutu për udhëzim dhe sukses në pranimin e të vërtetës për atë njëri të cilin e thërret duke duruar dhe qëndruar fort tek kjo gjë pa u dëshpëruar dhe pa i humbur shpresat (për udhëzim) duke thënë gjithmonë fjalë të mira pa treguar vrazhdësi e as duke shfaqur ashpërsi ose duke thënë fjalë të këqija të cilat bëjnë që të urrehet e vërteta.
Kurse ai njeri i cili bën padrejtësi dhe i kalon kufijtë, çështja e tij ndryshon ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
((و لا تجادلوا أهل الكتاب إلّا بالتي هي أحسن إلّا الذين ظلموا منهم))
”Mos polemizoni ndryshe me ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) vetëm se me mënyrën më të mire përveç atyre që janë mizorë” [Sure El-Ankebutë:46]
Pra njeriu i padrejtë i cili e lufton thirrjen Islame me të keqe dhe kokëfortësi duke sjellë dëme, ky njëri ka gjykim tjetër, ai edukohet atë me burgosje (nga shteti) ose me diçka tjetër sipas gradës së padrejtësisë së tij. Por nëse ti je në gjëndje për ta përballuar dëmin e shkaktuar prej tij, atëherë ti duhet të bësh durim ndaj tij duke e kritikuar (kundërshtuar) atë e duke polemizuar me atë në mënyrën më të mire, t`a falësh atë për disa dëme personale që të ka shkaktuar ty ashtu siç duroi I Dërguari I Allahut dhe shokët e tij me mënyrën më të mire.
Përktheu: Kreshnik Ibrahimaj
Dosje: Virtyti
Të Ngjashme
- Njësimi i Allahut në Emrat dhe në Cilësitë e Tij Shejh Abduselam Berxhes
- Lutja ndaj Allahut për Dije të Dobishme Ibën Rexheb el Hanbeli
- Njohuritë e Dobishme dhe Njohuritë e Padobishme Ibën Rexheb el Hanbeli
- Përçmimi i Lakmisë për Pasuri dhe Famë Ibën Rexheb el Hanbeli
- Analizë e Mahnitshme nga Ibën Kajim el Xheuzije Udha e Besimtarëve