Tri çështje të rëndësishme, shumë të diskutuara mes dijetarëve, në lidhje me shkurorëzimin e grave. [Pjesa 2].
Çështja e dytë: A merret parasysh talaku (divorci) tri herë me një fjalë?
Kjo çështje del në pah kur burri i thotë gruas: ti je e ndarë tri herë. Ky lloj talaku (divorci) është në kundërshtim me rregullin e Allahut, sepse rregulli në lidhje me numrin e tyre është të jepen të ndarë ku dy prej tyre janë me periudhë pritjeje dhe i japin mundësi burrit për ta rikthyer gruan e tij ngase ato nuk e marrin në moment formën e prerë.
Kështu që burri për të përshpejtuar ndarjen e plotë të gruas së tij dhe për të mos i lënë vetës mundësi për ta rikthyer atë, i thotë asaj ti je e ndarë tri herë. Ky lloj talaku (divorci) në shumicën e rasteve ndodh kur mes çiftit ka grindje dhe në zemërim e sipër duan ta zgjidhin çështjen me ndarje që merr formën e prerë në moment dhe që është talaku i tretë.
Dijetarët e islamit në lidhje me këtë lloj talaku nuk janë në pajtim dhe janë ndarë në katër mendime:
Mendimi i parë: Ky talak merret parasysh dhe llogaritet si talaku i dhënë tri herë ndarazi dhe gjithashtu merr formën e prerë që në momentin e dhënies së tij.
Të këtij mendimi janë: katër imamllarët e mëdhenj, shumica e tabiinëve dhe shumë prej sahabëve si: Ibn Abbasi, Ebu Hurejra, Ibn Umr, Ibn Mesudi dhe Enes bin Malik -radiallahu anhum-. Më gjerësisht për këtë çështje shih librat: “Ihktilaf El-Fukaha” të El-Meruezij, “El-Ishraf” të El-Kadi Abduluehhab, “Bedaius-Sanaiu” të El-Kasanit, dhe “El-Mugnij” të Ibn Kudames.
Këta dijetarë argumentohen me argumentet e mëposhtme:
1- Hadithi i Uejmir El-Axhlanij -radiallahu anhu- i cili ka shkuar te Profeti -alejhi selam- duke akuzuar gruan e tij për zina dhe pasi mallkuan njëri-tjetrin para tij thotë: “Do të isha gënjeshtar nëse do ta mbaja më, o i dërguari i Allahut! Ai e ndau atë tri herë para se ta urdhëronte Profeti -alejhi selam-” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ky argument është kundërshtuar me faktin se ndarja këtu ka ndodhur me mallkimet që bëhen kur burri akuzon gruan për zina dhe nuk ka dëshmitarë, siç ka ardhur në suretu En-Nur dhe fjala tre pas mallkimeve nuk ka më asnjë kuptim.
2- Hadithi i Fatime bintu Kais -radiallahu anha- kur e ndau atë burri i saj dhe thotë: “Më ndau burri tri herë dhe Profeti -alejhi selam- nuk caktoi për mua (nga ish-burri im) as shpenzime dhe as vendbanim” e transmeton Muslimi.
Ky argumentim është kundërshtuar me faktin se fjala [tre herë] në këtë hadith është fjalë e përgjithshme dhe jo e qartë se ato talakë janë dhënë me një fjalë bile në një transmetim tjetër gjithashtu të transmetuar nga Muslimi thuhet [ai i dha asaj talakun e tretë të fundit] që do të thotë se ato kanë qenë talakë të ndarë dhe jo të bashkuar në një fjalë.
3- Hadithi i Rukanes i cili kishte ndarë gruan e tij Suhejmen në formë të prerë dhe i tregon për të profetit -alejhi selam- duke i thënë: “Pasha Allahun nuk kam pasur për qëllim veçse një talak. Profeti -alejhi selam- i thotë: Pashë Allahun nuk ke dashur veçse një? Ai i thotë: Pasha Allahun nuk kam dashur veçse një! Atëherë profeti -alejhi selam- ia kthen atij gruan” e transmeton Ebu Daudi dhe e dobëson sheikh Albani.
Këta dijetarë thonë se nëse talaku tri herë nuk do të ishte i pranueshëm, nuk do të kishin kuptim betimet e tij, mirëpo është kundërshtuar me faktin se të gjitha transmetimet e këtij hadithi janë të dobëta, siç ka gjykuar imam Ahmedi dhe Buhariu.
4- Hadithi i Ubade bin Es-Samit i cili thotë: “Një prej baballarëve të mi e kishte ndarë gruan e tij një mijë herë dhe bijtë e tij shkuan te Profeti -alejhi selam- dhe i thanë: babai ynë e ka ndarë gruan e tij një mijë herë. A ka rrugëzgjidhje për të? Ai i thotë: babai juaj nuk i është frikësuar Allahut që ti bëjë atij rrugëzgjidhje. Ajo (tani) quhet e ndarë prej tij në formë të prerë me tri talakë jo sipas rregullit dhe nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë herët e mbetura janë gjynah mbi supet e tij” e transmeton Darakutni dhe thotë se në zinxhirin e tij të transmetuesve ka njerëz që nuk njihen dhe njerëz të dobët.
Mendimi i dytë: Nuk merren fare parasysh sepse kjo gjë është bidat i ndaluar dhe bidatet kthehen mbrapsht sepse Profeti -alejhi selam- thotë: “Kush bën një vepër e cila nuk është sipas urdhrit tonë, kthehet mbrapsht”dhe ky është mendimi i dhahirive dhe i shijave.
Mendimi i tretë: Këto tri herët e talakut llogariten një talak i vetëm, duke mbetur kështu mundësia e burrit për rikthimin e gruas edhe pse me gojë janë thënë tre. Ky mendim është mendimi i Ibn Abasit, Tausit, Ikrimes dhe Is’hak bin Rahauejhit.
Ky mendim mbështetet në hadithin e Ibn Abasit -radiallahu anhu- i cili thotë: “Talaku tri herë me një fjalë në kohën e Profetit -alejhi selam-, Ebu Bekrit dhe dy vjet nga koha e Omerit ishte një talak. Omeri atëkohë tha: Njerëzit po nxitojnë në vendimin e një çështje ku Allahu u kishte bërë lehtësim, sikur t’jua zbatoja atë! Dhe ai e zbatoi”. Në një transmetim tjetër Ebu Es-Sahba nxënës i Ibn Abasit -radiallahu anhu- i thotë Ibn Abasit: E di që talaku tre herë me një fjalë merrej një talak në kohën e profetit -alejhi selam-, Ebu Bekrit dhe tre vjet nga koha e Omerit? Ai tha: po. E transmeton Muslimi.
Ky hadith i Ibn Abasit -radiallahu anhu- i cili tregon për çështjen e talakut deri në kohën e Omerit është kundërshtuar me një fetva të vetë Ibn Abasit siç thotë Muxhahidi: “Isha te Ibn Abasi kur erdhi një burrë dhe i tha se kishte ndarë gruan e tij tre herë me një fjalë. Ai heshti derisa mendova se do tia kthente gruan pastaj tha: shkon dikush e bën budallallëqe pastaj vjen dhe thotë: O Ibn Abasi! O Ibn Abas! Allahu ka thënë: “Kush i frikësohet Allahut, Ai i bën atij rrugëzgjidhje” (suratu Et-Talak: 2). Ti nuk i je frikësuar Allahut dhe unë nuk di për ty rrugëzgjidhje. E kundërshtove Allahun dhe u nda plotësisht gruaja prej teje…” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Sheikh-ul-islam Ibn Tejmije në lidhje me këtë çështje thotë: Fetvaja e Ibn Abasit nuk është tjetër veçse si fetvaja e Omerit, pra për të edukuar njerëzit për të lënë këtë punë të ndaluar (bashkimin e talakëve në një fjalë) atëherë kur kjo gjë u bë zakon mes tyre dhe nuk ka mospërputhje me hadithin ku tregon se si ka qenë në kohën e Profetit -alejhi selam-.
Mendimi i katërt: Bëhet dallim mes gruas para se të bashkohet me burrin e saj (gruaja në fejesë që nuk ka kontakt me burrin) të cilës i llogaritet vetëm një talak dhe gruas pas bashkimit me burrin e saj (gruaja që ka kontakt me burrin) të cilës i llogaritet tre talakë. Ky mendim është mendimi i disa shokëve të Ibn Abasit -radiallahu anhu- si: Said bin Xhubeir, Taus, Ebu Esh-Shaatha dhe Amr bin Dinar të cilët thonë: Ai që ndan virgjëreshën tre herë me një fjalë i llogaritet një. Ky mendim është gjithashtu mendimi i Is’hak bin Rahauejhit dhe mbeshtetet në një transmetim tjetër të hadithit të Ibn Abasit i cili sipas këtij versioni thuhet se Ebu Es-Sahba i ka thënë Ibn Abasit: “A nuk e di se burri nëse e ndante gruan e tij tre herë me një fjalë para se të bashkohej me të, e llogarisnin një talak në kohën e profetit -alejhi selam-, Ebu Bekrit dhe fillimin e kohës së Omerit dhe ai kur e pa se njerëzit po e bënin zakon tha: zbatojani atyre këtë gjë” e transmeton Ebu Daudi dhe e dobëson sheikh Albani.
Fjala e tij [para se të bashkohej me të] tregon se talaku tre herë me një fjalë që ka qenë para kohës së Omerit -radiallahu anhu- dhe që llogaritej një, ka qenë për gruan e cila nuk ka pasur kontakte me burrin e saj. Mirëpo ky hadith është kundërshtuar me faktin se të gjithë transmetuesit që e transmetojnë këtë hadith nëpërmjet Tausit janë të panjohur pastaj nga ana tjetër kundërshton transmetimin tjetër dhe i saktë nga Muslimi në të cilin nuk gjendet kjo fjalë.
Përmbledhje.
Së fundi mund të themi se mendimi më i saktë dhe që mbetet i pakundërshtuar me fakte të qëndrueshme është mendimi i tretë, mendim i cili thotë se ky lloj talaku llogaritet një, me mundësi rikthimi, duke u argumentuar me hadithin e Ibn Abasit -radiallahu anhu- dhe ky është gjithashtu është edhe përzgjedhja e sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-.
Shkroi Dr, Abdullah Nabolli
Dosje: Divorci, Martesa, Shkurorzimi
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve