Tubimet e përkujtimit të Allahut

June 27, 2025

Tubimet e përkujtimit të Allahut

Pa dyshim, tubimet më të mira, më të pastra, më fisnike dhe më të larta në vlerë para Allahut, janë tubimet e përkujtimit (dhikrit). Ato janë jetë për zemrat, shtim për besimin, pastrim për shpirtin dhe rrugë drejt lumturisë dhe suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër.

Për këtë arsye, në Librin e Allahut dhe në traditën profetike (sunetin) janë transmetuar shumë tekste që flasin për madhështinë e këtyre tubimeve, duke nxitur pjesëmarrjen në to dhe qëndrimin e vazhdueshëm aty, çka tregon qartë për pozitën e lartë dhe vlerën e madhe që ato kanë – dhe se janë vërtet tubimet më të mira.

Tubimet e përkujtimit të Allahut janë si kopshtet e xhenetit në këtë botë.

Transmetohet nga Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur të kaloni pranë kopshteve të xhenetit, qëndroni aty!” Pyetën: “Cilat janë kopshtet e xhenetit?” Ai u përgjigj: “Rrethet e përkujtimit (halakat e dhikrit).” [Hadith i transmetuar nga Tirmidhiu dhe të tjerë]

Gjithashtu, Ibn Ebi Dunja e transmeton nga Xhabir bin Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili ka thënë: Doli tek ne i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe tha: “O njerëz, qëndroni në kopshtet e xhenetit!” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?” Tha: “Janë tubimet e përkujtimit të Allahut.”

Ky hadith është transmetuar gjithashtu nga Ibn Umeri, Ebu Hurejra dhe Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë), dhe është i mirë në tërësinë e rrugëve të transmetimit të tij.

Pra, kush dëshiron të shijojë kopshtet e xhenetit qysh në këtë botë, le të jetë pjesmarrës i tubimeve të përkujtimit, sepse ato janë kopshtet e xhenetit në tokë.

Tubimet e përkujtimit të Allahut janë tubime të mbushura me melekë (engjëj)

Tubimet e përkujtimit të Allahut janë tubimet e melekëve. Nuk ka në këtë botë asnjë tubim që të jetë më i nderuar dhe më i pranueshëm se ai ku përmendet Allahu. Siç tregohet në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Vërtet, Allahu ka melekë që enden nëpër tokë, duke kërkuar tubimet e përkujtimit (dhikrit). Kur gjejnë njerëz që e përmendin Allahun, ata thërrasin njëri-tjetrin: ‘Ejani, ejani drejt asaj që kërkojmë!’ Dhe i rrethojnë ata me krahët e tyre, deri në qiellin më të afërt.” “Pastaj Zoti i tyre, edhe pse është më i Dijshmi, i pyet: ‘Çfarë thonë robërit e Mi?’ Ata (melekët) thonë: ‘Po Të madhërojnë, Po Të lartësojnë, Po Të falënderojnë dhe Po Të përmendin me lavdi.’ Ai i pyet: ‘A më kanë parë ata Mua?’ Ata përgjigjen: ‘Jo, pasha Allahun, nuk Të kanë parë.’ Ai thotë: ‘Po sikur të më kishin parë, si do të ishte gjendja e tyre?’ Ata thonë: ‘Po të të kishin parë, do të ishin edhe më të përkushtuar në adhurim, më të zellshëm në lavdërim, më të shumtë në falënderim dhe madhërim.’ Ai i pyet përsëri: ‘Çfarë kërkojnë prej Meje?’ Ata thonë: ‘Kërkojnë Xhenetin.’ Ai thotë: ‘A e kanë parë Xhenetin?’ Ata thonë: ‘Jo, pasha Allahun, o Zot, nuk e kanë parë.’ Ai thotë: ‘Po sikur ta kishin parë, si do të vepronin?’ Ata thonë: ‘Po ta kishin parë, do të ishin edhe më të etur për të, më të vendosur për ta fituar dhe më të zjarrtë në dëshirën për të.’ Ai thotë: ‘Nga çfarë kërkojnë mbrojtje?’ Ata thonë: ‘Kërkojnë mbrojtje prej Zjarrit të Xhehenemit.’ Ai pyet: ‘A e kanë parë atë?’ Ata thonë: ‘Jo, pasha Allahun, o Zot, nuk e kanë parë.’ Ai thotë: ‘Po sikur ta kishin parë, si do të vepronin?’ Ata thonë: ‘Po ta kishin parë, do të ishin edhe më të largët prej tij, më të frikësuar dhe më të kujdesshëm ndaj tij.’ Atëherë Allahu thotë: ‘Ju bëj dëshmitarë se Unë ua kam falur atyre.’ Njëri nga melekët thotë: ‘Në mesin e tyre është edhe një njeri që nuk është prej tyre; ai vetëm sa ka ardhur për një punë tjetër.’ Allahu i Madhërishëm thotë: ‘Ata janë një grup i tillë që edhe ai që ulet me ta, nuk do të jetë kurrë i humbur.’” [Hadithi transmetuar nga Buhariu dhe të tjerë]

Tubimet e përkujtimit janë tubime të mbushura me melekë, përkundër tubimeve të harresës, argëtimit të kotë dhe fjalëve boshe, të cilat janë tubime të djajve. Allahu i Madhërishëm thotë: “E kush largohet me qëllim nga përkujtimi i të Gjithëmëshirshmit, Ne ia caktojmë atij një djall për shoqërues, dhe ai bëhet miku i tij i ngushtë.” [Ez-Zuhruf: 36]

Pa dyshim, tubimet e përkujtimit e ruajnë njeriun nga pendesa dhe keqardhja në Ditën e Gjykimit. Ndërsa tubimet e kotësisë dhe shpërqendrimit, do të jenë burim hidhërimi dhe dëshpërimi për pjesëmarrësin e tyre në atë Ditë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush ulet në një vend dhe nuk përmend Allahun në të, do ta ketë atë si barrë dhe mangësi për veten e tij para Allahut. Dhe kush shtrihet në një vend për të pushuar e nuk përmend Allahun, do ta ketë edhe atë si barrë dhe mangësi për veten e tij para Allahut.” [Hadith i transmetuar nga Ebu Davudi dhe të tjerë]

Në thelb, çdo çast i jetës pa përkujtimin e Allahut është një mundësi e humbur që njeriu do ta ndjejë si barrë nesër. Ndërsa çasti i kaluar në përmendjen e Tij, është dritë për zemrën, mëshirë për shpirtin dhe shpëtim në përjetësi.

Prej nderimit dhe madhështisë së tubimeve të përkujtimit është se: Allahu krenohet me ata që e përmendin Atë përpara melekëve të Tij më të afërt.

Kjo është vërtetuar në një hadith të transmetuar nga Ebu Said el-Hudrij (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon: Një ditë Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të) hyri në xhami dhe gjeti një rreth njerëzish të ulur, dhe u tha: — “Çfarë ju ka bërë të uleni këtu?” Ata u përgjigjën:
— “Jemi ulur për të përmendur Allahun.” Ai tha: — “Për Allahun, a ky është shkaku i vetëm që ju ka mbledhur?” Ata thanë: — “Pasha Allahun, vetëm për këtë jemi ulur.” Muaviu tha: — “Unë nuk ju kërkova të betoheshit se po dyshoja, por faktikisht, unë kam dëgjuar më pak hadithe nga i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), edhe pse isha afër tij. Por një ditë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) doli dhe gjeti një tubim të shokëve të tij dhe i pyeti: ‘Çfarë ju ka bërë të uleni kështu?’” Ata u përgjigjën: — “Jemi ulur për të përmendur Allahun dhe për ta falënderuar Atë që na udhëzoi në Islam dhe na dhuroi këtë begati.” Profeti (paqja qoftë mbi të) tha: — “Për Allahun, nuk jeni ulur për asgjë tjetër veçse për këtë?” Ata thanë: — “Pasha Allahun, nuk jemi ulur për asgjë tjetër përveç kësaj.” Profeti u tha: — “Unë nuk ju kërkova të betoheshit se po dyshoja tek fjalët tuaja, por më erdhi Xhibrili dhe më njoftoi se Allahu i Madhërishëm po krenohet me ju përpara melekëve të Tij.

Tubimet e përmendjes së Allahut janë një shkak madhor për ruajtjen e gjuhës dhe largimin e saj nga përgojimi, shpifja, gënjeshtra, fjalët e ulëta, tallja dhe e kota.

Njeriu është i prirë të flasë, dhe gjuha është krijuar për të folur. Nëse ajo nuk është e zënë me përmendjen e Allahut, me përkujtimin e urdhëresave të Tij, me fjalë të mira dhe me dobi, atëherë domosdo do të angazhohet me fjalë të ndaluara, ose me një pjesë të tyre.

Kush ia mëson gjuhës së tij përmendjen e Allahut, do ta ruajë atë nga e kota dhe nga fjalët e pavlera. Por ai që e tharë gjuhën e tij nga përkujtimi i Allahut, do ta mbushë atë me fjalë të kota, të ndyra dhe të shëmtuara.

Duhet që myslimani të jetë i vetëdijshëm në këtë çështje, se përmendja e Allahut nuk është e kufizuar vetëm në ato mbledhje ku përmendet emri i Tij përmes tesbihut, tekbirit, tahmidit dhe të ngjashme me to. Përmendja e Allahut përfshin gjithashtu edhe mbledhjet ku përmenden urdhrat dhe ndalesat e Tij, çfarë është hallall dhe haram, çfarë Ai do dhe kënaqet me të.

Madje ndodh që ky lloj përkujtimi të jetë edhe më i dobishëm, sepse njohja e hallallit dhe haramit është detyrë për çdo mysliman, në masën që ka të bëjë me të. Ndërsa përmendja e Allahut me gjuhë është në shumicën e rasteve vullnetare, përveç atyre rasteve kur është e detyrueshme, siç është përmendja brenda namazeve të detyruara.

Por njohja e asaj që Allahu ka urdhëruar, e asaj që Ai do dhe me të cilën është i kënaqur, si dhe e asaj që Ai urren, është detyrim për çdo njeri që ka nevojë për këto dituri – që ta mësojë ato.

Pikërisht për këtë, kur Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) e përmendte fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Kopshtet e Xhenetit janë rrethet e përmendjes (dhikrit)”, ai thoshte: “Unë nuk kam për qëllim rrëfimtarët (el-kussas), por rrethet e dijes fetare (fik’hut).” Dhe kuptimi i kësaj është përcjellë edhe nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Ataa el-Khurasani tha: “Tubimet e përmendjes janë tubimet ku diskutohet për hallallin dhe haramin, si të blesh e të shesësh, si të falësh namazin, si të agjërosh, si të martohesh dhe si të ndahesh, dhe gjëra të ngjashme me këto.”

Yehja ibn Ebi Kethir tha: “Studimi i dijes fetare është vetë adhurim (si namazi).”
Ndërsa Ebu Sevar el-Adevi ishte ulur në një rreth ku përkujtohej dija, dhe me ta ishte edhe një i ri. Ai i tha: “Thoni: Subhanallah, Elhamdulilah!” E atëherë Ebu Sevari u zemërua dhe i tha: “Mjerë për ty! E me çfarë mendon se ishim duke u marrë ne atëherë?!”

Shembuj të tjerë me këtë kuptim janë të shumtë.

Për këtë arsye, qendrat e dijes dhe institucionet fetare — si universitetet islame, institutet dhe medresetë — ku mësohet feja, u mësohet njerëzve sheriati, u sqarohet hallalli dhe harami, e vërteta dhe e kota, udhëzimi dhe devijimi, ku recitohen ajetet e Allahut dhe mësohen hadithet e të Dërguarit ﷺ dhe përhapet dija — pa asnjë dyshim e pa kurrfarë hezitimi — janë nga tubimet e përmendjes, të cilat feja jonë na nxit dhe na porosit që të ulemi në to dhe të përfitojmë prej tyre.

Hytbe nga Shejh Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

 

 

 

Dosje: ,

Loading...