Udhëzimi, kuptimet e tij të thella, nga ky imam i madh, Ibnul Kajjim el Xheuzijeh.

Disa fjalë të arta dhe të thella për udhëzimin që zor t’i gjesh në vend tjetër.

Thotë Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë:

“Fjala e Allahut të Lartësuar: “Na udhëzo në udhën e drejtë!”

Udhëzimi është: sqarimi dhe orientimi, pastaj suksesi dhe inspirimi, të cilat  janë pas sqarimit dhe orientimit. Nuk ka rrugë tjetër për sqarimin dhe orientimin veçse nëpërmjet të Dërguarve. Nëse realizohen sqarimi, orientimi dhe njohja (e rrugës së drejtë), rrjedhojë e kësaj është udhëzimi i suksesit (udhëzimi nga Allahu) dhe vendosja e besimit në zemër, bërja e tij të dashur tek njeriu dhe zbukurimi i tij (besimi i bëhet i dashur dhe i bukur), e kështu lë ndikim tek ai, kënaqet me të dhe e pëlqen.

Pa këto të dyja nuk arrihet suksesi, dhe ato përmbajnë njohjen e asaj që nuk e dimë prej së vërtetës, në detaje dhe në mënyrë të përgjithshme, inspirimin tonë me të, të na bëjë ne ta duam pasimin e së vërtetës haptas dhe fshehtas, pastaj krijimi i fuqisë tek ne për të zbatuar ato detyrime që vijnë nga kjo, prej fjalëve, veprave dhe vendosmërisë, pastaj vazhdimësia e këtyre gjërave për ne, dhe përforcimi ynë në këtë rrugë deri në vdekje.

Prej këtu kuptohet domosdoshmëria e robit për këtë lutje, ajo me të vërtetë është mbi çdo domosdoshmëri tjetër! Po ashtu kuptohet edhe kotësia e pyetjes së atij që thotë: Nëse jemi të udhëzuar si lutemi për udhëzim?! Kjo është pyetje e kotë sepse ajo që ne nuk njohim prej së vërtetës është shumëfish më e madhe se ajo që njohim, dhe ajo që nuk kemi dëshirë ta bëjmë -nga neglizhenca dhe përtacia – është po aq sa ajo që duam ta bëjmë, apo më shumë se aq, apo më pak. Dhe po kështu është edhe ajo që nuk kemi mundësi – prej gjërave që duam t’i bëjmë. Ato që i njohim në mënyrë të përgjithshme dhe nuk udhëzohemi dot për tek detajet e tyre është diçka që i tejkalon shifrat. Dhe ne kemi nevojë për udhëzim të plotë. Prandaj atij që i janë plotësuar këto gjëra, lutja e tij për udhëzim është lutje për përforcim dhe vazhdimësi.

Por udhëzimi ka edhe një gradë tjetër, e cila është grada e saj e fundit, që është: udhëzimi në Ditën e Kijametit në rrugën që të çon në Xhennet! Prandaj ai që është udhëzuar në këtë jetë në rrugën e drejtë të Allahut (siratil-lahil mustekim), për të cilën Ai ka dërguar të Dërguarin e Tij dhe ka zbritur Librin e Tij, do të udhëzohet atje në rrugën e drejtë që të çon në Xhennetin e Tij, vendin e shpërblimit të Tij. Dhe në varësi të qëndrueshmërisë së këmbëve të robit në këtë rrugë që Allahu e ka vendosur për robërit e Tij në këtë dynja, do të jetë edhe qëndrueshmëria e këmbëve të tij në urën e Siratit të vendosur mbi Xhehennem! Dhe në varësi të ecjes së tij në këtë rrugë (në dynja) do të jetë edhe ecja e tij mbi urën e Siratit. Kështu do të ketë prej njerëzve që do ta kalojnë atë si vetëtima, dikush sa hapja dhe mbyllja e syve, dikush si era, dikush si ai që kalëron mbi kalin e shpejtë. E dikush duke ecur me vrap, dikush me hap, dikush duke u zvarritur. Dikush do të çirret (nga ganxhat që janë atje) por do të shpëtojë, e dikush do të hidhet që andej në Zjarr. (Allahu na ruajtë!)

Prandaj le të shikojë njeriu ecjen e tij në këtë rrugë që të dijë se si do të ecë në atë urë! Sepse ato do të jenë njësoj! Shpërblim sipas punës! (Allahut i kërkojmë ndihmë) “A shpërbleheni për diçka tjetër veç për atë që punuat?!” (Neml: 19)

Dhe le të shikojë epshet dhe dyshimet që i paraqiten në këtë rrugë të drejtë, sepse ato janë ganxhat (grepat e mëdhenj) që ndodhen në dy anët e urës së Siratit, e kapin atë dhe ia pengojnë atij ecjen në të. Nëse janë të shumta dhe të forta këtu, ashtu do të jenë edhe atje! “Dhe Zoti yt nuk është i padrejtë me robërit e Tij” (Fussilet: 46)

Prandaj kur i lutesh Allahut për udhëzim (në suren Fatiha) ajo nënkupton arritjen e çdo mirësie dhe shpëtimin nga çdo e keqe!”

“Medarixhus salikin” fq. 16 – 17.